E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet me zgjedhje, mbesin 5 mijë maturantë

 

Nota mesatare në provimet me zgjedhje, është 6.3, ku maturantët janë paraqitur shumë dobët si në lëndët ekzakte, ashtu edhe në ato shoqërore

Rezultate të dobëta dhe ngelje në masë. Provimet me zgjedhje, kanë lënë jashtë dyerve të universiteteve rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk arritën të kalojnë provën e fundit të testimit, të Maturës Shtetërore. Statistikat e publikuara nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve, flasin për nivel të ulët të përgatitjes së maturantëve në dy lëndët me zgjedhje. Në provimin e zhvilluar më datë 10 korrik, morën pjesë 27 987 nxënës, nga të cilët 17. 58 për qind nuk arritën t’ia dalin mbanë për të vazhduar më tej. Niveli i lartë e mbetësve vihet re qartë edhe në notën mesatare, që kanë marrë provimet me zgjedhje, e cila pa diskutim përpos debateve që do të lindë do të kërkojë analizë të thelluar mbi shkaqet e këtij rezultati aspak të kënaqshëm. Profesor Edmond Lulja, në cilësinë e drejtorit të AVA-s, ka raportuar për mediat, se nota mesatare në dy provimet e lëndëve me zgjedhje është 6.3, shumë poshtë mesatares së parashikuar. Në krahasim me provimin e parë në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, dhe të provimit të dytë me detyrim në lëndën e Matematikës, kalueshmëria vihet re se ka rënie të dukshme, ndërkohë që notat e dobëta dominojnë pasqyrën statistikore.

***

Në dy provimet me zgjedhje vetëm 30 maturantë, kanë arritur të marrin pikët maksimale, që përmbanin testet. Në pamje të parë, shifra duket e kënaqshme, por po ta përpjesëtosh me numrin e lëndëve, që u dhanë provim me zgjedhje, konstaton se numri i nxënësve që kanë arritur të shkëlqejnë është shumë më i vogël se në dy provimet e para, ku vetëm në Matematikë patëm 8 të tillë. Zhgënjyese janë po të vazhdosh më tej edhe rezultatet e marra për secilën lëndë. Në Fizikë morën pjesë në provim 1821 maturantë, nga të cilët 350 rezultuan mbetës. Në lëndën e Fizikës, nota mesatare e marrë në provim, është 6.63, që krahasuar me provimin e dhënë në lëndën e Matematikës, do të thotë se maturantët janë paraqitur më dobët. Në këtë interval paraqiten statistikat edhe në lëndët e tjera ekzakte. Në Kimi, nuk kanë arritur të marrin provimin jo pak, por 21 për qind e maturantëve. Në këtë lëndë, morën pjesë 4545 nxënës, 900 nga të cilët do të duhet të presin vitin e ardhshëm për të vazhduar studimet e larta. Ashtu si edhe në lëndën e Fizikës edhe në lëndën e Kimisë, nota mesatare është lëkundur në 6.34, ku komentet janë të tepërta. Më skandal akoma janë paraqitur maturantët që kanë zgjedhur të japin provim lëndën e Biologjisë, ku 28 për qind e nxënësve që morën pjesë në provim, ose ndryshe 1930 maturantë kanë rezultuar mbetës. Nota mesatare në lëndën e Biologjisë, është 5.91, që mund të cilësohet si një tjetër rezultat i keq, në vazhdën e të parës. Për çudi, maturantët akoma edhe më keq kanë dalë në lëndët shoqërore. Në Histori dhe Gjeografi, për secilin provim nota mesatare nuk ka shkuar më shumë se 5.70. Në të dyja lëndët nuk kanë arritur të marrin provimin, përkatësisht 23 për qind e maturantëve, që e kthyer në shifra do të thotë se nga 10 500 maturantë, 2 200 prej tyre janë të detyruar t’i thonë lamtumirë studimeve të larta. Pak a shumë e njëjta pasqyrë vihet re edhe në lëndët Njohuri për Shoqërinë dhe Ekonomi, Filozofi, ku numri më i lartë i mbetësve është konstatuar në lëndën e fundit, me 26 për qind të maturantëve që nuk marrin provimin. Në lëndën Njohuri për Shoqërinë, kanë mbetur në provim, nga 17 109 maturantë pjesëmarrës, 1880, ndërsa në Ekonomi dhe Filozofi, 2 230 të testuar. Rezultatet më të mira në provimet e lëndët me zgjedhje, janë arritur në gjuhën angleze dhe frënge, ku mesatarja mbi 7 flet qartë për nivelin e përgatitjes. Në anglisht, nga 7790 nxënës që iu nënshtruan provimit, 620 morën notën katër, ndërsa në Frëngjisht rezultuan mbetës vetëm 15 maturantë.

Studimet

Kush kalon provimet me zgjedhje, shkon në universitet

Numri i lartë i mbetësve ka favorizuar maturantët që kanë rezultuar kalues në provimet me zgjedhje

Të gjithë maturantët që rezultuan kalues në dy provimet me zgjedhje, paçka notave të dobëta që kanë marrë në provim, do të kenë mundësi të vazhdojnë studimet e larta. Kjo falë një llogaritjeje shumë të thjeshtë matematikore. Një muaj më parë Këshilli i Ministrave miratoi kuotat e pranimit për vitin akademik 2008-2009. Qeveria vendosi të pranojë për vitin në vazhdim 22 mijë studentë të rinj, po aq sa edhe numri i maturantëve që arritën të kalojnë provën e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore, hapi i fundit ky që të çon në universitete. Rezultatet e provimeve me zgjedhje pritet të dalin ditën e hënë, ndërsa me shpalljen në shkolla maturantët do të kenë mundësi të bëjnë llogaritjen e duhur të pikëve. Maturantët që përfunduan me sukses provimet e Maturës Shtetërore 2008, do të nisin procedurat e regjistrimit në universitete në muajin shtator, sipas parimit Meritë-Preferencë (MeP).Të gjithë maturantëve u është shpërndarë gjatë provimit me zgjedhje një fletëpalosje. Regjistrimi i studentëve do të kryhet si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të IAL-ve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të çregjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet, njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›