Korçë, 300 banorë jetojnë mes ujërave të zeza
KORÇË- Rreth 300 banorë të Korçës kërcënohen nga sëmundjet epidemiologjike, pas bashkëjetesës së tyre me ujërat e zeza. Gjendja e krijuar ka më shumë se një muaj, ndërsa temperaturat e larta të ditëve të kësaj vere, janë kërcënimi real që iu bëhet jetës së tyre. Shpërthimi i ujërave të zeza në një nga lagjet periferike dhe më të reja të Korçës rrezikon përhapjen e infeksioneve deri dhe të epidemive të rënda. Banorët në fjalë kanë populluar lagjen pak vjet më parë si zonë informale pas ardhjes së tyre nga zona të ndryshme rurale të rajonit të Korçës.
Ata tashmë ankohen duke shpresuar në zgjidhjen e këtij problemi që për ta është bërë i përvitshëm por që këtë herë ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. 300 banorët janë të ekspozuar ndaj epidemive të mundshme që mund të shpërthejnë nga moment në moment si pasojë ujërave të zeza me një erë të padurueshme që kanë bllokuar krejt rrugën. Zona e banimit e populluar nga të paktën 300 persona është kthyer në ferr të vërtetë, për ata që jetojnë në këtë lagje edhe për faktin se ka një ngërç për të saktësuar se cilat institucione duhet të marrin përsipër pastrimin e një kanali anësor që është bërë edhe shkak për daljen në sipërfaqe të ujërave të zeza. Sipas deklarimeve të banorëve, kanë ardhur mjete për të kryer zhbllokimin nga ndërmarrje të ndryshme të rajonit në Korçë, ndonëse drejtuesit e tyre pretendojnë se nuk iu takon atyre të kryejnë ndërhyrje për të hapur dhe pastruar kanalin. Në të gjitha rastet, mjetet sipas banorëve, janë larguar pa zgjidhur situatën e rëndë. Në këtë lagje janë të paktën 10 familje, të cilat jetojnë disa metra larg kanalit ku kanë shpërthyer ujërat e zeza, të cilat janë më të rrezikuarat nga epidemitë dhe infeksionet edhe për faktin se fëmijët e tyre të vegjël, luajnë në afërsi dhe shpesh topi përfundon në to.
Më të rriturit, nga ana tjetër, kanë vendosur mbi rrugë disa gurë nëpërmjet të cilëve mund të kalojnë përmes ujit të ndotur për të dalë nga shtëpitë në rrugën nacionale. “Nuk mund të jetojmë më kështu. Kemi më shumë se një muaj që jetojmë mes ujërave të zeza dhe askush nuk vjen për të hapur dhe pastruar këtë kanal. Këtu derdhen ujërat e zeza të gjithë qytetit dhe kanali është lënë i hapur. Por për arsye të bllokimit të një ure që kalon përmes dhe lidh rrugën me shtëpitë, kanali është mbushur dhe ka dalë në rrugë. Për ne është bërë jo vetëm e tmerrshme që në gjithë këtë vapë të durojmë kanalet që kanë erë të keqe dhe papastërtitë që na kanë zënën derën e shtëpisë, por shpesh herëfëmijët tanë kanë temperaturë që shoqërohet me bark e të vjella. Edhe në rrugë makinat shpesh nuk kalojnë dot nga uji i kanalit. Këtu vijnë mjete nga drejtori të ndryshme dhe nga ajo e rrugëve por nuk e kanë zhbllokuar deri më tani. fëmijët po na sëmuren shumë shpesh si kurrë më parë dhe ne rrezikojmë të infektohemi dhe në se nuk merren masa do të hidhemi në protesta për të bllokuar rrugën nacionale, pasi nuk mundemi më”,- tregon për gazetën një nga banoret e lagjes së përmbytur nga ujërat e zeza, Hakije Musku që jeton këtu prej 10 vitesh.