Pushteti i medias, apo mediatizim i shoqërisë ?
Mediatizimi i shoqërisë është një nga treguesit e modernitetit të shoqërisë shqiptare. Mediatizimi i kulturës, politikës, ekonomisë dhe jetës sociale, nuk është dukuri e jetës sonë shoqërore. Ajo është veçori universale e epokës postmoderne. Sociologët e medias, duke dashur të vlerësojnë përmasat e këtij procesi dhe thellimin e intensitetit të ndikimit mediatik, e quajnë atë “shoqëri e mediave”. Fuqia e medias ka filluar të shfaqet si “pushtet më vete”. Kjo e vërtetë është realitet i padyshimtë. Fuqinë e shtypit, televizionit, jo thjesht si mjet komunikimi, përditë e më shumë e ndjejmë dhe e përjetojmë të gjithë si qytetarë. Kur flasim për rolin politik, social, kulturor dhe komunikativ të medias, nuk është fjala thjesht për të vlerësuar “fuqinë e jashtme”, shpejtësinë e pasqyrimit të ngjarjeve që ndodhin në realitetin tonë. Kjo është “fuqia tradicionale” e medias elektronike dhe të shkruar. Natyrisht edhe fillimi i dallimit të pushtetit të thjeshtë të saj, i cili është “krahas” dhe në shumicën e rasteve, “mbi” pushtetet e tjera. Fuqia e medias në shoqërinë tonë ka evoluar. Është forcuar dhe shumëfishuar ndikimi polivalent i saj, përtej kufijve tradicionalë të “komunikimit të kulluar”. Tani duhet ta pranojmë pa mëdyshje realitetin e ri të “shoqërisë së mediatizuar”, të shoqërisë së interferuar në mënyrë të pandarë me median.Duket qartë se pushteti i medias shfaqet jo vetëm në aftësinë e veçantë komunikative, por dhe në një aspekt të ri me shumë rëndësi për “shoqërinë e mediatizuar”. Ajo po luan rolin e “agjentit interpretativ” të fakteve, ngjarjeve të jetës publike, politike e shoqërore, duke u bërë fuqi e papërballueshme, që gradualisht, në mënyrë direkte apo të tërthortë ka filluar të ndikojë “përtej komunikimit” dhe të bëhet faktor me impakt në vendimmarrjet me natyra të ndryshme.
Këto dy elementë të pushtetit të medias, në shoqërinë tonë janë në rritje. Ato nga njëra anë janë një mjet pozitiv për rolin e medias në forcimin e shoqërisë civile, e nga ana tjetër janë një tregues i zgjerimit dhe fuqizimit të “pushtetit mediatik” në shoqërinë tonë. Këtë realitet të forcës, rolit, ndikimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të medias në politikë dhe vendimmarrje e ndjejmë çdo ditë.
Personalisht jam dakord me grupin e sociologëve, që e konsiderojnë si “kufi të postmodernitetit”, kalimin e teknologjisë së medias nga faza mekanike në fazën informatike dhe elektronike. Në këtë sferë është zgjeruar fuqia sociale dhe informative e medias në Shqipëri, saqë mund të thuhet se është një nga sektorët më të zhvilluar të jetës. Madje, sipas meje, qëndron në avangardë të procesit gjithëpërfshirës të modernitetit. Në mendimin modern social dhe filozofik, ka përpjekje të gjëra, për të detajuar dhe ndarë efektet e fuqisë së komunikimit dhe të pushtetit mediatik në shoqëri. Natyrisht askush nuk mund të idolatrizojë ndikimin e mediave dhe të mos pranojë efektet dhe ndikimet kontradiktore të saj në jetën e shoqërisë sonë. Media nga njëra anë ka ndikim në “njëtrajtësimin” e kulturës kolektive apo mund të ndikojnë në unifikimin e shijeve sipas modës sunduese. Por nga na tjetër ato kanë mundësi të na njohin edhe me kulturën, traditën dhe zhvillimet e çdo grupi social.
Ndërkaq, siç po duket po forcohet lidhja e medias dhe ndikimi ndërmjetësues i saj me tregun, ngaqë forca e tij për të treguar se ku është oferta dhe kërkesa në një moment të caktuar është e jashtëzakonshme. Mjafton të shikoni pushtetin e reklamave në të cilat pasqyrohet gjithçka dhe flitet për çdo gjë. Kaq e fuqishme është kjo lidhje e medias me tregun, saqë ajo nuk bën vetëm funksionin e transmetimit të lajmit, të ofertës dhe kërkesës, por ka filluar të marrë përsipër edhe rolin e “agjentit interpretues”. Në këtë kontekst fuqia e madhe interpretative e medias, ndikimi i saj në opinionin publik ka një efekt të veçantë në krijimin e imazhit për sendet, ngjarjet, faktet, ndodhitë, nga më të thjeshtat deri tek ato me peshë social-politike dhe kulturore të veccantë. Media po e bën botën moderne të marrë pamjen e përplasjes së interpretimeve, të kaosit të lajmit politik, artistik dhe tregtar. Mediat shqiptare për shkak të konkurrencës, kanë krijuar edhe përplasje me njëra-tjetrën, duke krijuar një atmosferë të ndezur, të cilën filozofi modern francez Pol Rikër e konsideron si “konflikt të interpretimit”. Kjo gjë ndodh për shkak të orientimit dhe parapëlqimeve politike të pronarëve të medias dhe orientimeve të stafit.
A ka gjëra që duhen rregulluar në fushën e komunikimit mediatik, në mënyrë që ai të bëhet mjet për emancipimin politik social dhe demokratik?
Megjithë përmirësimet e jashtëzakonshme që ka pësuar bota e medias në Shqipëri, megjithë zgjerimin me shpejtësi të jashtëzakonshme të kontureve, larmisë dhe potencës mediatike të shtypit dhe televizioneve të shumta publike dhe private, duket nevoja për një përkryerje të lirisë së shtypit, luftës kundër monopolit politik të informacionit, përdorimit të saj si mjet për “trafik influence”, dhe instrumentalizimi të “doxas”(opinionit të lirë).
Media shqiptare sipas meje është në rolin e pazëvendësueshëm të qëndrimit të ekuilibruar midis politikës dhe të vërtetës. Asnjë mision nuk është aq i rëndësishëm sa nevoja që ka shoqëria shqiptare, për të vërtetën dhe transparencën e komunikimit publik. Pesha e mediave në shoqërinë tonë është më e fortë se sa ndikimi i propagandës bajate të partive politike dhe shtypit të tyre fare të vakët. Nuk është rastësi që për shkak të dobësimit të influencës së partive politike dhe dobësimit të ndikimit të propagandës së tyre në publik, po flitet për një tipar të ri të shoqërisë moderne, të cilën politologët dhe sociologët e konsiderojnë si “shoqëri e mediave”. Në këtë shoqëri të komplikuar, në të cilën ndikimi ipolitikës është në rënie, kur ajo jo gjithnjë është e vërtetë dhe transparente, media ka filluar të fuqizohet me shpejtësi që “duhet llogaritur”. Ajo po bëhet një faktor impozant, me role dhe ndikime politike dhe sociale të shumëfishta, që kanë impakt të dukshëm në problemet “ontologjike” të realitetit tonë...