Braçe: "Berisha zëvendësoi ligjet me rregullat e mafies"
Natyrisht që po. Gjerat po shkojnë keq. Kthimi pas është evident, madje edhe hapi përpara drejt humnerës ndriçon po kaq shumë. Ftesa për të mbrojtur sistemin demokratik në këtë vend është një sfidë për të gjithë. Republika e korrupsionit ku nuk ka institucione, por familje, fis, klan dhe ku ligjin e bën një “don”, pra kumbari, ku ligjet urrehen dhe ku në fuqi janë dhjetë rregulla të mafies, mes të cilave “mos lakmo paratë e familjes” apo dhe rregulli tjetër “mos shiko gruan e të ngjashmit brenda klani” po zëvendësojnë republikën parlamentare. Ajo që është publikuar gjatë dy ditëve të fundit natyrisht që është një goditje e fortë jo thjesht për Sali Berishën, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Tani të gjithë kanë të qartë se Berisha po i merr shpirtin shtetit demokratik, po vret institucionet demokratike, kapacitetet reaguese të të cilave natyrisht po neutralizohen. Berisha po kërkon të mos ketë më institucione ose të ketë institucione fars, reagimi i të cilave të varet nga ai dhe jo nga kushtetuta dhe nga ligji. Në fakt kapacitetet reaguese të institucioneve, reagimi i tyre janë garantet e demokracisë në këtë vend dhe në rast se ato goditen në këtë vend nuk ka më demokraci. Dua të sjell në vëmendje pikërisht faktin se alarmi është dhënë për institucione të tilla të rëndësishme si prokuroria, gjykatat deri në nivelin e tyre më të lartë, apo KLD-ja dhe për të vazhduar me institucionet e sigurisë siç është SHISH-i, dhe natyrisht gërshërët e Sali Berishës po shkojnë edhe më të tutje për të paralizuar apo prerë ndjesinë e institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri për të monitoruar të gjitha këto zhvillime. Ajo që është e qartë ka të bëjë me faktin se reformat që pas Marsit dhe veçanërisht pas Prillit, kur Shqipëria mori ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, jo vetëm që kanë mbetur në vend, por një pjesë e rezultateve të arritura me shumë mund dhe sakrifica në 17 vite tashmë nuk ekzistojnë. Ato po zëvendësohen nga rezultatet e aksionit politik të Berishës për të rrënuar institucionet demokratike. Ajo që pamë dy ditë më parë në Shkodër nga Berisha, dëshmon më së miri, jo thjesht mentalitetin, por edhe atë që Sali Berisha po gatuan në këtë vend. Reagimi i tij herë si Chavez dhe herë si Mugabe do të dëshmojë se ai është ai i forti, është ai që bën ligjin, ai është vetë ligji dhe natyrisht me të duhet negociuar për çdo gjë. Krahas reagimeve politike këto ditë ka pasur dhe një reagim që shkon paralel me kritikat e forta të diplomatëve perëndimorë për zhvillimet politike dhe institucionale në Shqipëri. Është reagimi i shefit të misionit të FMN-së, z.Portugal, i cili foli dhe për kërcënimet e rënda serioze që po shoqërojnë zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Të gjitha bashkë do të thonë që moti në Shqipëri po prishet dhe në qendër të shtrëngatës është Sali Berisha.
A përbën qëndrimi i këtij diplomati dhe një mesazh për opozitën për të ndryshuar sjelljen e saj në raport me këtë qeveri?
Ftesa është e hapur për të gjithë. Sali Berisha nuk i ka bërë sfidë vetëm demokracisë, por i ka bërë sfidë çdo institucioni të domosdoshëm për demokracinë. Dhe opozita është një nga elementët thelbësor sipas të cilës natyrisht mund të matet dhe niveli i demokracisë në këtë vend. Do të thosha se gjërat po rrokullisen shpejt. Ne nuk mund të presim që Berisha të dëgjojë kambanën e radhës, apo kambanën më të madhe që mund të vijë më pas. Ai nuk ka për të dëgjuar. Berisha është shurdh në të tilla gjëra. Ai dëgjon vetëm oferta dhe propozime për korrupsion. Pikërisht për këtë arsye opozita duhet të shikojë qëndrimin e saj. Është e pamundur dhe e papranueshme që diplomat në Tiranë të reagojnë më fort sesa opozita. Kjo është shumë domethënëse për të ridimensionuar veprimin total të opozitës duke nisur që nga 1 shtatori, ditën kur nis sesioni i ri parlamentar. Kështu që beteja në parlament që nga 1 shtatori duhet të jetë totalisht tjetër dhe synimi ynë duhet të jetë bërja e institucioneve demokratike dhe denoncimi pa fund i korrupsionit, natyrisht duke gjetur dhe instrumentet që bëjnë të pavlerë qoftë skenarin e Berishës, por edhe aferat e tij korruptive. Skenari i Berishës për cenimin e institucioneve buron nga korrupsioni. Dua të sjell pikërisht faktin se kriminelët kur shkelin ligjin, kur pasurohen në mënyrë të paligjshme, gjëja e parë që mendojnë nuk është avokati i tyre. Jo. Gjëja e parë është si të blejnë policët, si të blejnë prokurorët, si të blejnë gjykatësit edhe ata të lartë, madje si të blejnë dhe ata që i emërojnë gjykatësit. Frika e Sali Berishës nga korrupsioni marramendës që u evidentua në krimin shtetëror të Gërdecit dhe në vjedhjen e shekullit në rrugën Durrës-Kukës e shtynë Sali Berishën të dhunojë institucionet dhe të kapë prokurorinë apo gjykatat. Prandaj dhe reagimi i opozitës për këto çështje nuk duhet të jetë virtual po konkret.
Kuvendi sapo ka mbyllur sesionin e radhës. Si do t’i vlerësonit me pak fjalë këta gjashtë muaj jetë parlamentare?
Është sesioni më i zi që unë mbaj mend në gjithë këto vitet e qenies time në parlament. Jo më kot cilësohet edhe nga ndërkombëtarët si epiqendra apo si një nga institucionet në rrezik dhe nga buron më pas rreziku në institucionet e tjera. Kuvendin e drejton një njeri që nuk ka të ngjashëm në padituri, në injorancë dhe në urrejtjen ndaj lirisë si Jozefina Topalli dhe që është e joshur pafundësisht nga besnikëria e verbër përkundrejt Sali Berishës në misionin e tij të dhunimit të institucioneve.
Z. Braçe ju pak më lart folët për nevojën e ndryshimit të të sjellurit të opozitës. Çfarë mendoni se duhet të ndryshoj?
Ndryshimi i të bërit opozitë në sallën e Kuvendit është një nga elementët të rëndësishëm natyrisht, ashtu siç është po kaq i rëndësishëm ridimensionimi i opozitës me popullin e saj, me popullin e opozitës. Sot në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë njerëz që shikojnë si zgjidhje jetike për fatet e tyre largimin e Berishës. Natyrisht ky duhet të jetë një nga objektivat e opozitës. Natyrisht që ai ikën me votë, por ama jemi në kushtet kur Sali Berisha po bën ç’është e mundur për të patur aksesin e domosdoshëm për të deformuar votën e shqiptarëve në zgjedhjet që vijnë. Kur korrupsioni dhe presioni i Berishës, për të nënshtruar institucionet e pavarura ka arritur në përmasa të tilla, opozita duhet të ndërhyjë për t’i dhënë forcë politike reagimit qytetar të shtresave të ndryshme sociale kundrejt tij. Natyrisht ne nuk do të dalim jashtë mjeteve legale, por ne nuk mund të kthejmë faqen tjetër kur Berisha godet jo me shuplakë, por me topuz të drejtat kushtetuese të opozitës dhe rregullat e një shteti demokratik. Kjo do të thotë që ne nuk mund të japim më konsensuse pa kondicionuar atë me mbrojtjen e institucioneve dhe të të drejtave të shqiptarëve në sallën e parlamentit dhe kudo tjetër.
Ky ndryshim pritet të shoqërohet me ndryshime dhe në drejtimin e grupit parlamentar?
Unë them se i gjithë grupi duhet të ridimensionojë veprimin e tij, dhe jo thjesht drejtimi i grupit apo drejtuesit e grupit. Më shumë sesa ka rëndësi se kush është në krye të grupit, ka rëndësi ridimensionimi i veprimit të grupit parlamentar dhe marrja e përgjegjësive për t’u përballur me çdo çmim me Sali Berishën në sallën e Kuvendit dhe jashtë saj.
Ditët e fundit Presidenti dekretoi dhe ligjin shumë të përfolur për titujt e pronësisë, ndërkohë që opozita kishte deklaruar më parë se do të çonte atë në Gjykatën Kushtetuese. Do ta ndërmerrni këtë hap?
Po, patjetër. Ditët e fundit të sesionit që sapo u mbyll ne depozituam në Gjykatën Kushtetuese reagimin tonë për ligjin për legalizimet dhe fillimi i sesionit të ri parlamentar do të shënojë dorëzimin në këtë gjykatë të ankimimit për ligjin “Për titujt e pronësisë”. Kjo për faktin se ligji ka dy elementë tepër sinjifikativ: së pari interes totalisht elektoral për të marrë peng të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në fshat, dhe së dyti për të fshehur tregtinë me trojet dhe pronat që po zhvillon familja e Kryeministrit në të gjithë vendin, kryesisht në bregdet.
Dhe një pyetje të fundit për marrëdhëniet mes vetë opozitës. Është vënë re gjatë vitit të fundit një acarim skajor i marrëdhënieve mes partive opozitare. Kur duhet më pak se 1 vit për të shkuar në zgjedhjet parlamentare, sa mendoni se rrezikohet fitorja e opozitës nga ky fragmentarizim dhe a do të ketë një ribërje të koalicionit të majtë?
Do të doja të sillja në vëmendje të lexuesve faktin që pavarësisht asaj që është e dukshme, konkurrencës së padobishme, rivalitetit të hidhur dhe procesit të thikënguljes në kurrizin tonë, ne nuk jemi përfshirë në asnjë moment në këtë histori, në këtë shernajë. Dua të them se për këtë ka një meritë të madhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Së dyti do të doja të thosha që ajo që bie në sy është sulmi i vazhdueshëm prej partive të vogla përkundrejt PS-së. Ne nuk jemi përfshirë dhe nuk do të përfshihemi në këtë shernajë, por ne do të vazhdojmë t’i ftojmë të gjitha partitë e vogla, që të bëhen pjesë e një koalicioni të gjerë që tashmë ka dy detyra, së pari të mbrojë sistemin demokratik në këtë vend dhe së dyti të rikthejë në pushtet popullin e opozitës si një zgjidhje dhe jo si një qëllim apo synim për të bërë njërin apo tjetrin kryeministër. Unë do të doja t’i bëja thirrje kolegëve të mi, veçanërisht të LSI-së që ta ndalin këtë proces sulmi ndaj PS-së. Tani ka rëndësi vetëm beteja me Sali Berishën.
Për Kuvendin
“Është sesioni më i zi që unë mbaj mend në gjithë këto vitet e qenies time në parlament. Jo më kot cilësohet edhe nga ndërkombëtarët si epiqendra apo si një nga institucionet në rrezik dhe nga buron më pas rreziku në institucionet e tjera”.
Për opozitën
“Ne nuk mund të presim që Berisha të dëgjojë kambanën e radhës, apo kambanën më të madhe që mund të vijë më pas. Ai nuk ka për të dëgjuar. Berisha është shurdh në të tilla gjëra. Ai dëgjon vetëm oferta dhe propozime për korrupsion. Pikërisht për këtë arsye opozita duhet të shikojë qëndrimin e saj”
Për Topallin
“Kuvendin e drejton një njeri që nuk ka të ngjashëm në padituri, në injorancë dhe në urrejtjen ndaj lirisë si Jozefina Topalli dhe që është e joshur pafundësisht nga besnikëria e verbër përkundrejt Sali Berishës në misionin e tij të dhunimit të institucioneve”.
Për pronat
“Ditët e fundit të sesionit që sapo u mbyll ne depozituam në Gjykatën Kushtetuese reagimin tonë për ligjin për legalizimet dhe fillimi i sesionit të ri parlamentar do të shënojë dorëzimin në këtë gjykatë të ankimimit për ligjin “Për titujt e pronësisë”.
Për opozitën
“Ne do të vazhdojmë t’i ftojmë të gjitha partitë e vogla, që të bëhen pjesë e një koalicioni të gjerë që tashmë ka dy detyra, së pari të mbrojë sistemin demokratik në këtë vend dhe së dyti të rikthejë në pushtet popullin e opozitës si një zgjidhje dhe jo si një qëllim apo synim për të bërë njërin apo tjetrin kryeministër”.