E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten borxhet e ekonomisë shqiptare

 

Rezerva valutore ndërkombëtare e vendit ra në nivelin më të ulët që nga viti 1997 në raport me importet

Debiti i Shqipërisë kundrejt vendeve të tjera u dyfishua në 1.2 miliardë euro gjatë vitit të kaluar

Rezerva valutore ndërkombëtare e Shqipërisë ka pësuar një rritje shumë të paktë gjatë dy viteve të fundit, ndërsa në raport me importet, kanë rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1997, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Rezervat valutore të Shqipërisë pritet që të mos e kapërcejnë kufirin e 1.47 miliardë eurove për vitin 2008, me një rritje shumë të lehtë në krahasim me vitin 2007, kur qenë afro 1.467 miliardë euro. Por për shkak se importet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur shumë gjatë viteve të fundit, rezerva valutore mund të mbulojë sot vetëm 3.6 muaj importe, kuota më e ulët e regjistruar për Shqipërinë që nga viti 1997. Kërkesa e lartë për valutë për të paguar importet duket se është faktori kryesor i mosrritjes së rezervës valutore të Shqipërisë. Në vitin 2005, rezerva valutore ishte e barazvlefshme me 4 muaj importe.

Për çfarë shërben

Rezerva në valutë të huaj janë paratë që Banka e Shqipërisë i mban për t’iu përgjigjur kërkesave të papritura të tregut të brendshëm për valutë. Rezerva valutore është përdorur në të gjitha kohët si garanci e vlerës së monedhës vendase. Para Luftës së Dytë Botërore, qeveritë përdornin arin si rezervë garanci për vlerën e kartëmonedhave që emetonin. Pas krijimit të sistemit të Bretton Woods, në vitin 1945, si monedhë rezervë u përdor dollari amerikan. Sot, shumë qeveri përdorin si rezervë monedha të ndryshme të huaja. Shqipëria e mban rezervën valutore pjesërisht në euro dhe pjesërisht në dollarë. Këto para investohen në tituj borxhi të qeverive të ndryshme perëndimore. Rezerva valutore konsiderohet si mekanizmi më i rëndësishëm i stabilitetit financiar të vendit, pasi i shërben bankës qendrore të ndërhyjë në mbrojtje të lekut në rast se investitorët e huaj dëshirojnë të tërheqin investimin e tyre apo besimi i popullatës te monedha vendëse ulet papritur.

Debiti i Shqipërisë dyfishohet

Sipas Bankës së Shqipërisë, pozicioni i përgjithshëm i jashtëm i Shqipërisë gjatë vitit 2007, është përkeqësuar ndjeshëm. Pozicioni neto debitor i Shqipërisë në fund të vitit 2007 është 2.2 herë më i lartë sesa në fillim të vitit”, njoftoi Banka e Shqipërisë në Buletinin e Bilancit të Pagesave. Pozicioni i jashtëm merr parasysh të gjitha detyrimet që ekonomia shqiptare ka kundrejt botës, (përfshirë investimet e huaja dhe borxhet), kundrejt investimeve të shqiptarëve jashtë. Në fund të vitit 2007, detyrimet e ekonomisë Shqiptare qenë 3.56 miliardë euro, ndërsa mjetet e huaja qenë 2.34 miliardë euro. Deficiti në investime arriti në 1.2 miliardë euro.

Autoriteti Mbikëqyrës vëren se rreziqet janë ulur për Shqipërinë

BSH pret rënie të inflacionit

Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni do të ketë tendencë të ulet gjatë muajve në vijim duke e mbyllur vitin nën nivelin prej 4%, por kërcënimi për rritje të mëtejshme nuk ka shterrur ende për shkak të rreziqeve që vijnë nga çmimet e mallrave në tregun ndërkombëtar.

“Në muajt në vijim, inflacioni parashikohet të ndjekë një prirje në rënie duke iu afruar mjaft objektivit të Bankës së Shqipërisë në fund të tremujorit të dytë të vitit 2009”, - deklaroi BSH pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës. “Ne vlerësojmë se rreziqet për inflacion janë ende prezente, ndonëse me një probalitet më të ulët për t’u materializuar në 12 muajt në vijim”.

Inflacioni në Shqipëri arriti maksimumin prej 4.6% në muajin mars, ndërsa shënoi rënie konstante prej 0.2% në tre muajt në vijim. Rënia qe aq e shpejtë sa i habiti vëzhguesit. Vetë BSH vërejti se rënia e çmimeve në prill, qe më e forta e regjistruar në Shqipëri në dy vjet. Çmimet e larta në Shqipëri u shkaktuan veçanërisht nga rritja e shpejtë e çmimeve të mallrave të importuara. Por edhe industritë vendëse të mishit e vajit u prekën nga ndryshimet në bursat e huaja për shkak se punojnë me lëndë të parë importi.

Bursa 360 gradë

Tregjet ende të shqetësuara

Tregjet e aksioneve u përballën me luhatshmëri ekstreme këtë javë kur çmimet e naftës u zhytën, ndërsa investitorët morën lajme kontradiktore mbi gjendjen e ekonomisë dhe shëndetin e korporatave në vendet e zhvilluara. Frika se më e keqja e krizës së kredive me kolateral nuk ka ardhur ende, u balancua me lajme të mira e të këqija nga sektori bankar. Humori i investitorëve u përmirësua kur Rezervat Federale rritën fondet e emergjencës për bankat. Lajmet nga ekonomia amerikane qenë të këqija, por jo aq të këqija sa priteshin. Numri i të punësuarve në sektorin jobujqësor u ul me 51 mijë gjatë korrikut dhe niveli i papunësisë u rrit në 5.7%, më i larti në më shumë se një dekadë. “Punësimi ka rënë për shtatë muaj radhazi, por ne ende nuk kemi parë rënie të konsiderueshme”, - deklaroi Paul Ashworth, ekonomist. “Për fat të keq, shumë tregues të tjerë ekonomikë janë në përkeqësim”.

Në Europë, shumica e investitorëve besojnë se punët po ecin shumë keq. Inflacioni u rrit më tej në 4.1% dhe rritja duket e pandalshme. Ekonomia Gjermane, e cila është më e rëndësishmja në kontinent, ka dhënë shenja se po bie në recesion. “Vetëm një mrekulli mund të sjellë rritje të GDP-së në Gjermani në gjashtëmujorin e dytë”, komentoi një analist. Në kuadër të këtyre shqetësimeve, shumë pak investitorë besojnë tani se interesi bazë mund të rritet në Europë dhe Amerikë brenda këtij viti. Kur e shohin të ardhmen të errët, investitorët heqin dorë nga blerja e aksioneve dhe synojnë të blejnë tituj borxhi, të cilat japin përfitime më të vogla, por janë më të sigurta. Për pasojë, shtimi i kërkesës për tituj borxhi, solli edhe uljen e interesit të borxhit të emetuar në SHBA dhe BE. Bondet dyvjeçare amerikane ranë në interesin 2.53%, 19 pikë bazë më poshtë se javën e kaluar. Në Europë, u ulën me 16 pikë bazë në 4.28%. Pavarësisht këtyre lajmeve, dollari fitoi pikë kundrejt të gjitha monedhave kryesore me përjashtim të jenit japonez. Stërlina ra në nivelin më të ulët në tre muaj, ndërsa Euro shënoi nivelin më të ulët në një muaj kundrejt dollarit. Forcimi i monedhës së gjelbër në tregun ndërkombëtar, u vu re edhe në Tiranë, ku dollari u ngjit për herë të parë pas një muaji e gjysmë mbi kuotën e 78 lekëve.

Prodhuesit e makinave paguajnë koston e krizës

Kriza në ekonominë amerikane ka rënduar gjatë këtyre muajve më shumë se këdo tjetër prodhuesit e makinave. Gjigantët General Motors, Nisan dhe BMW, njoftuan humbje më të thella nga sa pritej ose rënie të fortë të fitimeve për shkak të rënies së përgjithshme të shitjeve në tregun amerikan. General Motors u godit më rëndë. Për gjashtëmujorin regjistroi humbje në nivelin e 15.5 miliardë dollarëve si pasojë e faktit se amerikanët as që u afrohen tashmë makinave të stërmëdha që kërkojnë shumë karburant.

Nisan pa se i ranë fitimet me 42% si pasojë e rënies së vlerës së makinave të dhëna me leasing në tregun amerikan për shkak të ndryshimit të shijes së konsumatorëve. Fitimet e BMW ranë me 58% në 425 milionë euro si pasojë e rritjes së provigjoneve si dhe penaliteteve për pushimin e njerëzve nga puna. BMW dhe Nisan shumëfishuan provigjonet për të mbuluar humbjet që po u shkaktohen nga rënia e vlerës tregtare të makinave të dhëna me leasing gjatë viteve të shkuara. Aksionet e General Motors ranë me 7.6% të premten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›