E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinis njohja

Kolumbia do të bëhet shteti i 44-ërt që njeh Kosovën

Numri i shteteve të cilët e kanë njohur Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, që ka mbetur i pandryshuar prej para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, duket se do të zhbllokohet brenda pak ditësh, pasi një njohje e re pritet të arrijë nga Amerika Latine. Sipas të përditshmes kosovare “Express”, Republika e Kolumbisë do të bëhet shteti i dyzetekatër që do të njohë pavarësinë e shpallur më 17 shkurt. Burime të gazetës thanë se Kolumbia, një shtet ky që ndodhet në veriperëndim të Amerikës së Jugut, tashmë e ka marrë vendimin për njohjen e Kosovës, ndaj dhe ka njoftuar ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Ky i fundit pranoi të shtunën se ka marrë sinjale nga një shtet i Amerikës Latine, se do ta njohin pavarësinë e Kosovës, por ai nuk ka specifikuar se për çfarë vendi bëhet fjalë. “Informatën të cilën e kam, e kam marrë nga një përfaqësues i përhershëm i këtij vendi të Amerikës Latine, por për shkaqe sigurie nuk do të them asgjë më shumë”, ka deklaruar shefi i diplomacisë kosovare. Por burime jozyrtare konfirmuan për “Express”, se shteti për të cilin aludoi Hyseni është Republika e Kolumbisë. Procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës pësoi një bllokadë që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës, megjithëse dy liderët e vendit, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi mendonin dhe thoshin se kompletimi i ndërtimit të shtetit do të nxisë edhe më shumë njohje. Një tjetër element që pritet të rrisë numrin e vendeve që do të njohin Kosovën ishte edhe takimi mes me presidentit amerikan Xhorxh Bush. Vetë sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesa Rais, tha se pret një valë të re njohjesh brenda një kohe të shkurtër. Njohja e fundit që arriti në Prishtinë ishte ajo e shtetit të Sierra Leones më 13 qershor, ndërkohë që vetëm disa javë na ndajnë nga mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku Serbia do të tentojë që ligjërisht ta godasë pavarësinë e vendit. Aktualisht Serbia, përmes shefit të saj të diplomacisë, Vuk Jeremiç, ka ndërmarrë një fushatë agresive, në përpjekje që të bëjë sa më shumë mbështetës të kauzës së saj kundër pavarësisë, duke u munduar ta bindë shumicën e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara për të përkrahur idenë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të prononcohet për pavarësinë e Kosovës. Në krejt këtë situatë, përpjekjet nga ana e autoriteteve kosovare duken të pafuqishme dhe janë kritikuar. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi vlerëson se ngecjet në procesin e njohjes së pavarësisë këtë muajin e fundit vijnë për dy arsye. “Ka disa shtete që kanë paqartësi të brendshme, mirëpo disa shtete që lëvizin edhe në mënyrë zinxhirore”. Kuçi foli edhe rreth aktivitetit të ngjeshur diplomatik të shefit të diplomacisë serbe. “Serbia po punon në mënyrë destruktive, ndërsa puna jonë është konstruktive”, tha ai. “Efekti i atij që punon për të keq, gjithmonë duket më shumë sesa i atij që punon për të mirë”, ka thënë zëvendëskryeministri, duke mohuar njëherësh se Serbia është një hap para në këtë proces. Por nuk mendon kështu Vuk Jeremiç, ministër i Jashtëm i Serbisë. Të enjten mbrëma ai foli nga Teherani për një televizion të Beogradit, ku tha se ka arritur të marrë përkrahjen e një numri shtetesh që bëjnë pjesë në Lidhjen e Shteteve të Painkuadruara. “Duke pasur parasysh paraqitjen e delegacionit tonë në Konferencën e Lëvizjes së të Painkuadruarve në Teheran, ne jemi një hap më afër për sigurimin e një shumice në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fund të shtatorit”, - tha Jeremiç. Ai shtoi se delegacioni serb ka zhvilluar takime me përfaqësues të rreth 40 shteteve gjatë konferencës, dhe se deklarata finale e konferencës përmbante një paragraf që nënvizonte mbështetje për iniciativën serbe. Ministri i Jashtëm i Serbisë shtoi se do të udhëtonte në Egjipt të shtunën, pastaj në Kinë, Malajzi, Singapor dhe në Filipine. Sesioni i radhës i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është mjaft i rëndësishëm për Kosovën. Aty do të ballafaqohen potencialisht dy qëllime krejt të ndryshme për Kosovën: njëri i anëtarësimit eventual të shtetit më të ri në radhët e Kombeve të Bashkuara, kurse tjetri i kërkimit të legalitetit të shpalljes së pavarësisë nga Kosova në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›