Pushtimi rus hyn në ditën e 21-të, vijon bombardimi i qyteteve ukrainase dhe kryeqytetit Kiev

Forcat ruse kanë vijuar shënjëstrimin e qyteteve ukrainase ndërsa kanë bombarduar godina në kryeqytetin Kiev këtë mëngjes.
Dy persona u plagosën pasi një pallat 12 katësh u godit në lagjen Shevchenko të kryeqytetit, i cili është në gjendje shtetrrethimi. Qyteti i dytë më i madh i vendit Kharkivi u sulmua gjatë natës.
Dy persona kanë humbur jetën dhe dy pallate me apartamente u shkatërruan plotësisht atje.
Ne qytetin jugor të Mariupolit, kryebashkiaku i tij thotë se trupat ruse po mbajnë peng 400 persona në një spital, mes të cilëve doktorë dhe pacientë.
Ndërkohë në një fjalim gjatë natës, presidenti Volodimir Zelenksi konfirmoi se takimet mes zyrtarëve ukrainas dhe rusë po vijojnë, ndërsa shtoi se qëndrimet e mbajtura gjatë negociatave ishin më realiste. Zelenski gjithashtu tha se lufta do të përfundonte me turp, varfëri, izolim dhe një sistem brutal shtypës. “Nëse mbani të njëjtat pozita, nëse nuk flisni kundër luftës, komuniteti ndërkombëtar do ju privojë nga gjithçka që keni fituar gjatë viteve. Ata po punojnë për këtë”, – tha Zelenski duke iu drejtuar rusëve.
Sipas tij, Rusia ka pësuar humbje të rënda në pajisje, ushtarë dhe gjeneralë. “Shumë ushtarë rusë janë vrarë. Ka dhjetëra oficerë mes pushtuesve të vrarë, dhe një tjetër general u vra sot. Pushtuesit kanë kryer krime të tjera lufte, kanë bombarduar qytete paqësore dhe infrastrukturën civile. Numri i raketa qe Rusia ka përdorur ndaj Ukrainës ka kaluar shifrën 900. Ka kaq shumë bomba nga ajri sa është e pamundur t’i numërosh”, theksoi Zelenski.
Presidenti ukrainas do të mbajë një fjalim për Kongresin Amerikan këtë të mërkurë ku pritet të bëjë sërish thirrje për krijimin e një zone ndalim fluturimi mbi Ukrainë si dhe të kërkojë më shumë ndihma ushtarake, përfshirë edhe avionë luftarakë.
/rtsh/