Putin: Do hetojmë pasurinë e grupit Vagner, ka përfituar nga shteti rus

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar për një hetim të mundshëm ndaj fondeve të grupit mercenar Vagner.
Në një fjalim drejtuar personelit të sigurisë në Moskë, Putin pretendoi se grupi mercenar ishte financuar plotësisht nga shteti rus, me 86 miliardë rubla (rreth 1 miliard dollarë) të derdhura për grupin në 12 muajt e fundit.
Gjithashtu, Putin pretendoi se kompania Concord, në pronësi të shefit të Vagner, Yevgeny Prigozhin, mori 80 miliardë rubla nga Moska për furnizimin me ushqim dhe ofrimin e shërbimeve ushqimore.
“Dua që të gjithë ta dinë: mirëmbajtja e të gjithë grupit Vagner u sigurua plotësisht nga shteti”, ka deklaruar Putin.
Forca në hije e Vagnerit i kishte shërbyer prej kohësh interesave të Moskës, duke avancuar politikën e jashtme dhe ndikimin e Putinit, veçanërisht në Afrikë.
Disa nga operacionet e Prigozhin dukej se ishin pjesërisht të vetëfinancuara, me kompani të ndryshme guaskë që synonin objektet e naftës dhe gazit dhe konkurronin për akses në ar dhe pasuri të tjera.
Ndërkohë që Bashkimi Evropian sanksionoi një shtetas rus dhe një filial të Vagnerit në Sudan, Meroe Gold, për lehtësimin e shfrytëzimit të pasurisë së arit të Sudanit, transmeton CNN.
Të martën, Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi gjithashtu sanksione ndaj katër kompanive dhe një personi të lidhur me Vagner që “janë angazhuar në marrëveshje të paligjshme mbi arin për të financuar Grupin Vagner për të mbështetur dhe zgjeruar forcat e tij të armatosura, përfshirë Ukrainën dhe Afrikën”.
/rtsh.al/