E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putin: Rusia nuk po i rikthehet stalinizmit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mbrojti këtë të enjte masat e marra nga qeveria e tij kundër fjalës së lirë dhe lirisë së manifestimeve, ndërsa refuzoi të pranonte akuzat se Federata Ruse po i rikthehet praktikave staliniste.

Gjatë një fjalimi të përvitshëm përpara kombit, ku për orë të tëra Putin i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, presidenti tha: “Nuk shoh asnjë praktikë staliniste në veprimet e shtetit modern rus”.
”Stalini mbahet mend për kultin e personit, shkeljet masive të ligjit, raprezaljet, kampet e burgosjes dhe gjëra të tilla nuk ndodhin në Rusinë e sotme e shpresojmë që të mos ndodhin kurrë. Rusët nuk do të lejojnë kurrë që ajo kohë të rikthehet”.

”Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të tregojmë disiplinë, nuk duhet të respektojmë rregullin dhe ligjin. Të gjithë qytetarët rusë janë të barabartë përpara ligjit. Askush nuk është në burg sot për shkak të pikëpamjeve të tij politike”, shtoi Putin.

I pyetur për marrëdhëniet me jashtë, Putin tha se raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përmirësuar që prej pushtimit të Irakut, të cilin Rusia e kundërshtoi, por theksoi se disa veprime të fundit të Uashingtonit kanë rikthyer tensione “të panevojshme”, duke iu referuar një ligji që i kufizon hyrjen në SHBA 18 zyrtarëve rusë, të akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut.

Organizatat nderkombetare: Putin po shtyp fjalën e lirë

Deklarata e presidentit të Rusisë vjen një ditë pasi dy prej organizatave më të mirënjohuara të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International”, akuzuan Moskën për kufuzimin e dukshëm të lirive thelbësore të njeriut, që prej rikthimit të Putin në krye të shtetit një vit më parë.

Sipas këtyre dy organizatave, liria në Rusi është përkeqësuar, ndikuar edhe nga miratimi i disa ligjeve që lejojnë autoritetet të shpërndarjnë forcërisht protestat e konsideruara “të paligjshme” dhe mbylljen e organizatave joqeveritare me financim nga jashtë.

”Në vitin që prej rikthimit të Vladimir Putin në presidencë, qeveria ruse ka ndërmarrë një shtypje të paprecedent të shoqërisë civile, në historinë post-sovjetike të Rusisë”, deklaroi të mërkurën “Human Right Watch”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›