Putin: SHBA po nxit protestat në Rusi, paguan qindra milionë $ për të ndikuar në zgjedhje
Tensioni mes SHBA-së dhe Rusisë duket se është në maksimum. Pas kritikave të ashpra të Sekretares së Shtetit, Hilari Klinton, për zgjedhjet me probleme dhe manipulime në Rusi, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit rus, Vladimir Putin.
Ky i fundit, gjatë një takimi që ka mbajtur me mbështetësit e tij, është shprehur se SHBA po nxit protestat në Rusi pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve.
Putin është shprehur se shtete të huaja, duke iu referuar SHBA-së, kanë paguar qindra milionë dollarë, në mënyrë që të ndikonin në zgjedhjet e mbajtura në Rusi.
Jemi të detyruar që të mbrojmë sovranitetin tonë dhe për këtë duhet të forcojmë përgjegjësinë mbi ndikimin e shteteve të huaja, të cilat duan që të influencojnë proceset tona politike, ka thënë Putin, i cili gjithashtu është shprehur se nuk ka asgjë kundër protestave që po zhvillohen për zgjedhjet, por ato duhet të jenë brenda ligjit.
Partia e Putin pësoi një zhgënjim të madh në këto zgjedhje, pasi mori vetëm 49.5% të votave, nga 64% që mori zgjedhjet e kaluara. Por, ajo që e bën shqetësuese situatën, është fakti se partia e Putin ka manipuluar dhe mbushur kutitë në masë. Për këtë arsye, në Rusi kanë nisur protestat.