Putin: Sulmet do të nxisnin terrorizmin
Duke shfrytëzuar faqen e opinioneve në New York Times, për të folur drejtpërdrejt me popullin amerikan dhe liderët e tyre politik, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar për përkeqësim të situatës në Lindjen e Mesme dhe në botë, nëse vendet do të anashkalojnë Kombet e Bashkuara dhe do të ndërmarrin veprime ushtarake.
Sulmi potencial i SHBA-ve ndaj Sirisë do të rezultojë në rritjen e numrit të viktimave të pafajshëm dhe përshkallëzim të tensionit, duke e përhapur potencialisht konfliktin përtej kufijve të Sirisë, shkroi Putin në editorialin e tij, që u shfaq mbrëmjen e së mërkurës online. Sulmi do të shtonte dhunën dhe do të nxiste një valë të re terrorizmi.
Çdo veprim ushtarak do të minonte përpjekjet e gjithanshme për të zgjidhur problemin bërthamor të Iranit dhe konfliktin izraelito-palestinez, si dhe do të destabilizonte më shumë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ai mund të hidhte poshtë të gjithë sistemin e ligjeve ndërkombëtare dhe të çonte në një zhbalancim total.
Duke e quajtur luftën civile si një konflikt të brendshëm, i nxitur nga armët e të huajve të dhëna ndaj rebelëve opozitarë, Putin paralajmëroi të mos mbahej ana e opozitës në Siri, që sipas tij përfshin, më shumë se mjaftueshëm, luftëtarë të al-Qaeda-s dhe ekstremistë të çdo lloji.
Megjithatë, ai nuk përmend fare faktin që Rusia furnizon prej kohësh me armë qeverinë siriane. Lideri i Rusisë tha se nuk del në mbrojtje të qeverisë siriane, por kërkon të favorizojë një plan kompromisi. Veprimet ushtarake kundër qeverisë siriane, pa miratimin e Këshillit të Sigurisë në OKB, janë të papranueshme bazuar mbi statutin e Kombeve të Bashkuara dhe do të konsituonte një akt agresioni, sipas Putin.
Duke kontestuar pohimet e Obamës dhe të tjerëve, Putin tha se ekziston çdo arsye e mundshme të besohet se armët kimike nuk janë përdorur nga ushtria siriane, por nga forcat opozitare për të provokuar ndërhyrjen nga padronët e tyre të huaj e të fuqishëm, që do të viheshin në krah të fundamentalistëve.
Përdorimi i forcës ushtarake ka rezultuar joefektive dhe e pavlerë në vende si Afganistani, Libia dhe Iraku, deklaron presidenti rus në opinionin e tij. Ai hamendëson se vdekjet mes civilëve në Siri, nëse do të ketë sulme ajrore, do të jenë të paevitueshme.
Putin përfundon opinionin e tij duke thënë se ai dhe Obama ndajnë një besim në rritje. E megjithatë, ai sfidoi gjithashtu çështjen e Obamës për mbinatyrshmërinë e amerikanëve në fjalimin e tij të mbrëmjes së të martës, duke thënë se është jashtëzakonisht e rrezikshme të inkurajosh njerëzit të shohin vetveten si të jashtëzakonshëm, për çfarëdo lloj motivi.
Ne jemi të gjithë të ndryshëm, – përfundoi Putin, – por, kur ne lutemi për bekimin e Zotit, ne nuk duhet të harrojmë se Zoti ka krijoi të gjithëve të barabartë.