Putin nuk do të bëjë debate televizive për Kremlinin
Në një kohë kur Rusia është përfshir nga trazira të lindura nga pakënaqësia e zgjedhjeve, kryeministri rus Vladimir Putin ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në debate televizive në kuadër të fushatës elektorale për Kremlinin.
Lajmin është bërë i ditur nga zëdhënësi i tij, Dimitri Peskov, i cili ka saktësuar se kreu i qeverisë do të delegojë përfaqësuesit e tij për të marrë pjesë në programe televizive.
Në garën për Kremlinin, kryetari i Partisë Rusia e Bashkuar do të ketë përballë oligarkun e pasur Mikhail Prokhorov, të cilin e ka cilësuar një konkurrent të fortë.
Ndërkohë në fund të vitit të kaluar, pas zgjedhjeve legjislative, Putin u përball me protestën më të madhe të qytetarëve rusë, që manifestuan pikërisht kundër tij.
Protestuesit denoncuan nivelin e lartë të korrupsionit në shtetin rus, si dhe monopolizimin e politikës nga Putin dhe bashkëpunëtorët e tij të partisë Rusia e Bashkuar.