Putin, presidenti i vjetër dhe i ri i Rusisë

Gerhard Schroder, Silvio Berlusconi, Alexander Lukaschenko, Nursultan Nasarbajev, Viktor Janukovic. Lista e miqve të nivelit të lartë nga bota e jashtme, që ka ftuar presidenti rus, Vladimir Putin për sot në ceremoninë e marrjes së postit, ka theks simbolik. Janë të ftuar pikërisht ata, të cilët me sa duket i qëndrojnë shumë pranë kreut të ri në Kremlin: ish-kryeministrat e Gjermanisë dhe Italisë, të cilët në vendet e tyre janë më se të diskutueshëm, si dhe tre presidentë autoritarë nga ish-republikat sovjetike: Bjellorusia, Kazakistani dhe Ukraina.
Edhe Putin ndonëse edhe sot vazhdon të prezantohet si "një baba i kombit" është figurë e diskutueshme. Edhe pse zgjedhjet presidenciale më 4 mars 2012 ai i fitoi me rreth 64 për qind të votave, fitorja e tij u parapri nga protesta masive, që Rusia nuk i kishte përjetuar qysh prej rreth 20 vjetësh. Dhjetëra mijëra protestuan vetëm nëpër rrugët e Moskës kundër manipulimeve të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Më vonë, protesta u drejtua kundër Putinit personalisht.
Shumica e pjesëmarrësve të lëvizjes së protestës nga shoqëria civile në Shën Peterburg, "Për zgjedhje të lira", janë përfaqësues të shtresës së mesme të shoqërisë. Kjo shtresë është krijuar gjatë periudhës që Putini drejtonte qeverinë, thotë Hanns-Henning Schroder, nga fondacioni i Berlinit Shkenca dhe Politika. Ndërsa tani një pjesë nga kjo shtresë po distancohet prej Putinit. "Problemi është, se një president i vjetër, i cili ka qenë tetë vjet në këtë detyrë, has tani në një shoqëri të re", thotë Schroder.
Pikërisht përpara dymbëdhjetë vjetësh Vladimir Putin eci për herë të parë mbi tapetin e kuq, të shtruar në pallatin madhështor nga koha e carëve. Ai ka qenë dy herë president dhe në vitin 2008 iu desh të largohet, sepse kushtetuta ruse parashikon vetëm dy mandate presidenciale. Pas katër vjetësh kryeministër, Putin kthehet në Kremlin, duke këmbyer postin me pasardhësin e tij, Dmitri Medvedev. Teksa vjeshtën e vitit 2011 u bë i njohur ky pazar, dueti Putin-Medvedev donte të tregonte se në politikën ruse mbizotëron vazhdimësia. Por shumë rusë u ndjenë të provokuar. "Kohët kanë ndryshuar", thotë kryetarja e grupit të Helsinkit në Moskë, Ljudmila Alexejeva. “Shumë janë të indinjuar, që Putin dhe Medvedev merren vesh midis tyre, se kush duhet ta qeverisë vendin”, tha ajo.
Ekspertët perëndimorë, si biografi i Putinit, Alexander Rahr, i cili drejton Qendrën Berthold-Beitz pranë shoqatës gjermane për politikën e jashtme(DGAP), e këshillojnë Putinin që ta integrojë më shumë në politikë shoqërinë civile. "Shtresa e mesme është kthyer në një potencial politik, që nuk mund të mjaftohet thjeshtë me premtime sociale, si në rastin e shtresës së punëtorëve", thotë Rahr.
Presidenti Medvedev në dimër shpalli reforma liberale. Disa prej tyre parlamenti i ka vënë në jetë. P.sh., tani është thjeshtuar themelimi i partive politike. Veç kësaj, është rivendosur zgjedhja direkte e guvernatorëve, që Putini e pati shfuqizuar dikur.
"Ky nuk është fillimi i një epoke të re, por vetëm një hap i vogël në drejtimin e duhur", thotë eksperti për Rusinë, Schroder, duke ju referuar këtyre reformave. Ai megjithatë është i mendimit se këto reforma do të zbatohen në mënyrë të tillë, që pushteti i Putinit të mbetet i pacenuar prej tyre.
Rreth një muaj para marrjes së postit, Putini i prezantoi parlamentit politikën e ardhshme të tij si president. Ai përmendi pesë sfida, që do t'i trajtojë me prioritet. Në radhë të parë për Putinin qëndron zhvillimi demografik i Rusisë. Popullsia e vendit me sipërfaqen më të madhe të globit prej vitesh është në tkurrje. Kreu i ri i shtetit do ta frenojë këtë proces. Të tjera çështje, për të cilat do të kujdeset Putin, janë siguria, hapja e vendeve të punës, dhe ekonomia e aftë për konkurrencë si dhe themelimi i një Unioni Euro-aziatik me ish-republikat sovjetike.
Fakti që reformat liberale nuk janë pjesë e agjendës së prioriteteve të Putinit, ka një arsye të thjeshtë. "Një president i mirë është ai, që bën atë çfarë pret populli prej tij", kështu u shpreh Putin përpara rizgjedhjes në një intervistë për televizionin gjerman ARD.
Së paku në Perëndim shpresohet për një demokratizim të Rusisë gjatë mandatit të tretë të Putinit. "Unë shpresoj, që pas kaq shumë vitesh në post ai ka përvojën dhe mençurinë, në këtë etapë të zhvillimit ta drejtojë vendin më me forcë drejt një demokracie të vërtetë", thotë kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok. "Por nëse ai bën gjithçka për të çimentuar postin e tij, atëherë do të vijë një ditë që ai nuk do të mbështetet më nga populli rus", thotë Brok. (DW)