SHBA i ofron bursë disidentit Chen Guangcheng

Departamenti i Shtetit deklaroi se Chenit i është ofruar një bursë studimi në një universitet amerikan dhe se Guangcheng i është lejuar që të udhëtojë së bashku me gruan dhe fëmijët e tij.
Më parë, Pekini zyrtar kishte deklaruar se aktivisti i verbër do të aplikonte dhe të studionte jashtë, ashtu si çdo qytetar tjetër kinez.
Çështja e tij krijoi një moment tensioni në marrëdhëniet dypalëshe, pasi Guangcheng u arratis nga arresti shtëpiak, duke gjetur strehim në ambasadën amerikane.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, në një takim me presidentin Hu Jintao në Pekin, midis temave me rëndësi dypalëshe, ngriti si shqetësim të sajën edhe trajtimin e disidentit, i cili u largua nga ambasada pas disa ditësh qëndrim, pasi mori garanci që nuk do të ri-arrestohej.
Chen vuajti një dënim prej katër vitesh burg dhe u vendos në regjim të arrestit shtëpiak, pasi demaskoi një skandal, në të cilin zyrtarë të një krahine në Kinë detyronin vajzë e reja të sterilizoheshin ose abortonin, në kuadrin e politikës së kontrollit të lindjeve.