Pyeteni Kryesinë e LDK’së

Presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka dashur ta komentojë letrën që mori ditë më parë nga Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj.
“Për atë pyeteni Kryesinë e LDK’së. Prapë po them, pyeteni Kryesinë e LDK-së së”, ka thënë Sejdiu, të mërkurën, pas kthimit në Prishtinë nga Ankaraja.
Ditë më parë, Kryetari i AAK’së, përmes një letre, i kërkonte Presidentit që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare AAK’ja dhe LDK’ja të garojnë me një listë të përbashkët. Por kjo ofertë e Haradinajt duket se është refuzuar nga Sejdiu.
Presidenti Sejdiu ka folur rreth Strategjisë për Veriun e Kosovës.
“Ne do të vazhdojmë me Strategjinë dhe implementimin e saj. Është një dokument i ndërtuar në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, një dokument që ofron seancën e të gjithë qytetarëve, një dokument që nuk është kundër kërkujt. Është një shans e mirë i zhvillimit të Kosovës në gjithë hapësirën e vet, pasi edhe në këtë pjesë integrale të saj, duke pasur parasysh problemet aktuale që ekzistojnë. Prandaj, unë them se është e rëndësisë që të shtojmë energjitë tona në punë, në efikasitetin e institucioneve, po ashtu edhe një qasje me e thellë të veprimeve të institucioneve ndërkombëtare në mandatin që ato kanë”, tha Sejdiu.
Kthehet me aeroplan të Gul’it
Presidenti i Turqisë, Abdullah Gul, të mërkurën i ka vënë në dispozicion avionin special të tij, për kthimin në Kosovë, Presidentit Fatmir Sejdiu, pasi kreu kosovar i shtetit është dashur të jetë i pranishëm në ceremoninë e varrimit të Kryetarit të Istogut, Fadil Ferati.
“Sot unë kam marrë një lajm shumë të mirë, që ata nuk kanë dashur ta lënë në rrezik të vonesave kthimin tim dhe kanë ofruar me vullnetin e tyre, pa ndërhyrjen dhe pa kërkesën tonë, aeroplanin special të Presidentit të Turqisë”, ka bërë të ditur Presidenti Sejdiu.