Marshojnë për rroga dinjitoze

Sindikalistët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dolën sot në rrugë, me kërkesë përmirësimin e kushteve të tyre të punës.
Rreth 1500 mjekë marshuan sot në rrugën “Agim Ramadani”, deri tek objekti i Qeverisë së Kosovës, duke mbajtur në duar pankartat me mbishkrimet: “Rroga dinjitoze, krahasuar me kolegët tanë në rajon”, “Qendra Emergjente, mos na harroni, ndihmoni, ne shpëtojmë jetë”, etj..
Përmes kësaj proteste, mjekët kërkojnë që t’u ngrihen pagat, të miratohet dhe të nisë të aplikohen Ligji i Punës, si dhe Ligji për Sigurime Shëndetësore.
Pak orë më vonë, udhëheqësit e sindikatës së QKUK-së janë pritur nga ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi dhe U. D. i Sekretarit Permanent të kësaj ministrie, Haxhi Kamberi.
Pasi ka dëgjuar kërkesat të cilat janë shprehur para Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë nga një pjesë e punëtorëve të QKUK-së, ministri Gashi u ka thënë sindikalistëve se kërkesat që ata po i shprehin janë temë të cilën Ministria e ka pjesë të punës së saj të rregullt, me qëllim të përmirësimit të kushteve të punonjësve shëndetësorë dhe cilësisë së shërbimeve.
Ministri ka theksuar se është hera e parë pas luftës që pagat në sistemin shëndetësor janë ngritur për 30 për qind, që nuk është e mjaftueshme, por është një start i mirë për të bërë përmirësime të tjera gjatë vitit.
Pak ditë më parë, FSSHK, thirrjen për marshim nga ana e Sindikatës së QKUK-së e vlerësoi si manipulim të punëtorëve me gjendjen e tyre të vështirë disavjeçare ekonomike-sociale. “Ky marsh ka për qëllim faktorizimin e këtij grupi të interesit josindikal, që thirren në organizimin sindikal, pa iu nënshtruar asnjë dokumenti dhe ligji për organizimin sindikal, duke qenë edhe ndesh me to”, ka thënë kryetari Bajrami.
Me këtë rast, udhëheqësit e Sindikatës së QKUK-së, Bajrami i quajti grupe të interesit.
Përfshirjen e BSPK-së në Federatë, FSSHK vlerëson se kryetari i kësaj sindikate ka shkelur Statutin e BSPK-së, ka cenuar integritetin e FSSHK-së dhe ka tentuar përçarjen e organizimit sindikal të FSSHK-së.