Haug: Mosha e Shumit nuk përbën handikap
Mosha e Mikael Shumaker, që pas pak ditëve do të festojë 41-vjetorin e lindjes, është argumenti që ka shkaktuar më shumë debate në Formula 1. Pas vendimit të shtatë herë kampionit të botës që të rikthehet në pista me Mercedes GP në Botërorin 2010, të gjithë janë kureshtarë për të parë nëse gjermani do të shfaqet konkurrues edhe në këtë moshë. Bindja e njeriut që me afrimin e Shumaker ka rrezikuar më shumë, Norbert Haug, përgjegjës i prodhuesit nga Shtutgarti, është se ish-ferraristi nuk do të ketë asnjë lloj problemi. "Lufta ndërmjet brezave ka ekzistuar gjithmonë në Formula 1", deklaroi ai në një intervistë për agjencinë gjermane DPA. "Në këtë sport nuk ka rëndësi vetëm mosha dhe forca fizike, ashtu si në garat e 100 metrave, por edhe eksperienca, inteligjenca dhe intuita. Formula 1 nuk është e njëjtë si dhjetëgarëshi, por edhe një sport specifik dhe Mikael i plotëson të gjitha kushtet për të qenë fitues. Rubens Barrikelo është 37 vjeç e besoj se edhe këtë vit, ai do të luftojë për titullin. Përse nuk duhet ta shohim në të njëjtin këndvështrim edhe për Shumin, i cili është vetëm tri vjet më i madh në moshë". Më pas Haug foli edhe për rrogën e Shumakerit, i cili do të përfitojë 7 milionë euro në vit: "Nuk duhet të jesh gjeni që të kuptosh sesa e rëndësishme është të kesh në skuadër pilotin, i cili ka fituar më shumë tituj dhe gara se kushdo tjetër. Për sa i takon çështjes së pagesës, mund të them se ende pa filluar kampionati, Mikael vlen sa 100-fishi i rrogës aktuale".