E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse vrapon kështu, Gjeneral Sali?

Nga Mero Baze

Është një perifrazim i një poezie të njohur të Kadaresë për tradhtinë e Moisiut, që më vjen në mendje sa herë shikoj nxitimin e papërmbajtur të këtij njeriu, për të bërë gjeste që nuk ja kërkon njeri.  Dje ishte sërish një e tillë. Me një shkrofëtimë që i lexohej në çdo fjalë, në çdo gjest, në çdo përpjekje për të hetuar kamerat se mos dyshonin në ato që thoshte, se mos dyshonin perëndimorët në atë që dënonte, se mos dyshonin shqiptarët në atë çfarë ai nuk kishte tashmë më aleat…

Doli për t’u gëzuar për rënien e Gadafit!. Koloneli i çmendur i Libisë, që ka muaj të tërë që bën masakra mbi popullin e vet, pas 40 vitesh robëri, në të vërtetë është në fund të sundimit të tij. Libianët ja dolën tia bëjnë tokën t’i rrëshqas nën këmbë, dhe ai i ka orët e numëruara, në mos ka rënë derisa të botohet ky shkrim. NATO ka dhënë ndihmesën e vet të madhe në mbështetje të protestuesve, por ata ja dolën vet të marrin nën kontroll kryeqytetin e tyre.

Në këtë histori krenare të tyre ata kanë përse të gëzohen. Edhe NATO ka përse krenohet në rolin e saj në këtë histori të rrëzimit të një diktatori. Edhe liderët e vendosur perëndimorë kanë përse të dalin dhe të flasin kundër një diktatori.

Po ky i yni përse vrapon kështu? Ky nuk është as protestues libian, as lider demokrat perëndimor dhe as ndonjë i besuar i NATO-s. Kundër këtij njeriu në vitin 1997 bota ka krijuar koalicionin më të madh ushtarak dhe humanitar në historinë e saj, ku u bashkuan vende të NATO-s dhe vende jo anëtare të saj, për të përballuar pasojat e ikjes së tij dramatike nga pushteti.

Dhe pyetja që të vjen vetiu në kokë, përse vrapon kështu Gjeneral Sali?,  e ka përgjigjen e qartë.

Ai ka frikë se mos dikush tjetër në këtë vend kujtohet dhe thotë  kur do të iki Gadafi ynë?  Gadafi ka ardhur në pushtet kur Berisha u bë Sekretar i Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë dhe të dy së bashku kanë gati 40 vjet që janë në pushtet, për shkak të shkollës së tyre totalitare. Berisha na ka drejtuar 20 vjet si komunist sektar dhe 20 të tjera si demokrat komunist, ashtu sikundër Koloneli ka sunduar Libinë me një regjim totalitar mbështetur tek dogmat e tij ideologjike. Të dy njësoj ja kanë besuar pushtetin fëmijëve  dhe kanë kthyer pasuritë kombëtare në pasuri të familjeve të tyre. Të dy njësoj kanë prirje që veprave të mëdha të vendit që  i bëjnë përmes historive të ndyra korruptive t’u vënë emrin e tyre. Ai ka bërë një lumë mes shkretëtirës dhe i ka vënë emrin Gadaf, ky tjetri ka bërë një miliard euro një copë rrugë 60 km mes shkretëtirës së Veriut  dhe po i vë emrin e vet. Të dy jetojnë me paranojat e vdekjes dhe atentateve.

I pari është çmendur krejt dhe fle në çadra ky i yni del me antiplumb, Benz të blinduar, rrethon rrugën e shtëpisë së tij me policë, fsheh fëmijët nga publiku, dhe blen helikopterë të  blinduar për fluturime. Të dy njësoj tentojnë të bëjnë gjeste diktatorësh të marrë, siç është pulsimi në ujë për 2 orë ose  ngritja e çadrës në shkretëtirë. Po ashtu, kanë një raport interesant me femrat, pasi Koloneli i ka truproja dhe u beson vetëm atyre, edhe pse shumica janë femra haremi, ndërsa ky i yni në politikë, ka nisur të afrojë vetëm ish femra haremesh, tek të cilat është i fiksuar për besnikëri.

Dhe ndaj protestave reagojnë njësoj. Gadafi ka thuajse tri muaj që po vret popullin e vet, duke e çuar në mijëra numrin e viktimave. Falë trimërisë së atyre njerëzve që nuk u tërhoqën, ai sot i ka orët e numëruara. Por, i biri i tij dhe vet Gadafi reaguan njësoj si Sali Berisha kur protestat filluan. Sali Berisha tha më 23 janar se jo 3, jo 30 por tre mijë do të vras nëse dikush shkel institucionet. Gadafi në të njëjtën ligjëratë tha “jo 30, jo 3 mijë, por tridhjet mijë” do të vrasim për të mbrojtur Libinë.

Diferenca  është se atje shoqëria i bëri sfidë atij kërcënimi, kurse këtu po pranon në heshtje poshtërimin e Gadafit të Tiranës.  Është kjo ngjashmëri e frikshme mes këtyre dy njerëzve, që fundi i pushtetit nuk i gjen as normal mendërisht, ajo që duket se e bën Sali Berishën të vrapojë ende pa dhënë shpirt Gadafi e të brohoras për rënien e tij.

Por e ka gabim. Edhe kur bën sikur gëzohet për Gadafin, sërish njerëzve Gadafin u kujton. Nuk u kujton dot as atë gazetarin që Gadafi vrau në Bengazi si puçist, vetëm pse transmetoi masakrën në  internet, as atë gruan e përdhunuar në një hotel pse ishte kundër Gadafit!, nuk u kujton dot as opozitën libiane dhe liderët perëndimorë. Maksimumi na kujton fotografinë e pacipë të Lulëzim Bashës me Kolonelin një vit më parë, pasi Shqipëria i shiti armë Libisë, për të shtypur pikërisht ata që po triumfojnë sot në sheshin e Tripolit.

Përse po vrapon Gjeneral Sali? E qartë. Të tradhton frika nga fati i njëjtë me të. Por mos u lodh kot. Prapë Gadafin na kujton. Edhe kur flet gjysmë  ore broçkulla kundër tij!!!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›