Etika e parisë
Niqifor Doda/qytetar
Tani që fushata elektorale, ndoshta ende e pashpallur zyrtarisht, ka filluar me njërën apo tjetrën mënyrë, vëmë re me dëshperim një përdhunim të normave etike të të folurit dhe sjelljes publike të politikanëve tanë, nga podiumi i parlamentit, para kamerave të ftuar në studio televizive, akoma dhe në fjalime gjoja spontane në përurime nga më absurdet të pagëzuara si arritje të mëdha të Qeverisë. Nga ana tjetër, partitë opozitare, duke mos patur panel të mjaftueshëm në Media, sidomos në ato publike, që në bazë të ligjeve të një shteti demokratik e meritojnë, për kundrapeshë i kthejnë restot me të njëjtën monedhë. Për pasojë, në jetën e përditshme sociale, në punë, në dyqane dhe sidomos rrugëve nëpër fanare shikon dhe dëgjon një sjellje dhe një fjalor harbut, akte kriminale që na mbajnë shumë larg etikës për të pretenduar një bashkëjetesë me popuj të Komunitetit Europian. Dimensionet degraduese të vlerës së etikës në vendin tonë kanë arritur nivele alarmante. Nëse mund të thoja se etika e popullit tonë vite para njohu kulme në raport me kushtet tona politiko-sociale, do të hezitoja shumë ta përsërisja këtë për këto 20 vitet e fundit. Më duket se kemi humbur një virtyt të çmuar të identitetit tonë deri në masën që të përbuzemi jashtë kufijve të vendit tonë. Ku e ndesh etikën në vendin tonë? Te politikanët ? Te gazetarët? Tek artistët? Te shoqëria jonë në përgjithësi? Mes segmenteve të tjerë të shoqërisë? Për t’iu përgjigjur më mirë kësaj plethore pyetjesh të veshtira, duhet bërë një studim i hollësishëm në sjelljet e shoqërisë sonë aktuale në tërësinë e saj (në këtë shkrim është e pamundur) duke marrë për ekzemplarë kryesisht politikanët tanë dhe ndikimet në kategori të ndryshme shtresash sociale dhe duke u mbështetur vetëm tek faktet dhe e vërteta. Nuk më vjen mirë që e them, por politikani më i zoti në gënjeshtër, në mashtrim dhe në vjedhje është dhe më i dashuri, sidomos në elektoratin fanatik. Jam i sigurt se po të bëhej një sondazh në të rinj të Norvegjisë dhe Gjermanisë se çfarë nuk do të donin të bëheshin në jetë, përgjigja do të ishte politikan dhe prostitutë. Për të njëjtën pyetje në Shqipëri (për prostitutë nuk bëhet fjalë se jemi një popull me standarde të larta morale në këtë drejtim), por politikan do të donin të bëheshin pjesa dërmuese e të rinjve, duke parë mënyrën e lehtë të pasurimit të politikanëve tanë. Për t’i bërë të besueshme këto nuk do të doja të bëja një retrospektivë të mënyrave të menaxhimit të shtetit shqiptar këto 20 vitet e fundit, por mjafton të hedhim një sy rreth nesh dhe tej vetes sonë dhe do të shohim një dramë sociale dhe kombëtare: varfëri, kriminalitet, korrupsion, humbje dinjiteti kombëtar dhe individual. Më keq s’bëhet, sado që qeveritë përpiqen të na mbushin mendjen për realitet idilik, për një Shqipëri –Zvicër me det, por me lugë bosh dhe gati të hamë njëri-tjetrin. Dhe drama më e madhe është se ne, elektorati, flasim akoma dhe mbështesim me fanatizëm Qeverinë dhe ndjehemi krenarë që një vendim i saj ka për qëllim përkrahjen e paligjshme apo pastrim parash të biznesmenit - sponsor të saj në zgjedhje, apo mbështesim parti të tjera, me të cilat edhe mishërohemi. I bëj pyetjen vetes se çfarë ndodh me jetën politike shqiptare, me politikanët shqiptarë dhe me shoqërinë më gjerësisht? Ekziston një krizë menaxhimi publik, besimi të shoqërisë ndaj politikës dhe anasjelltas apo thjesht një krizë komunikimi politik etik? Besimi dhe komunikimi politik etik duken si të pandashme, por për shumë njerëz ngjajnë me dy armiq të papajtueshëm. Veç kësaj, besimi është i domosdoshëm në demokraci për të legjitimuar njeriun politik dhe për të bërë të pranueshem komunikimin politik. Duket si një paradoks të cilit i shtohet një krizë e dyfishtë: nëse besimi është baza e demokracisë, besimi në politikë kalon një krizë të thellë: njerëzit e politikës kanë shpesh imazh të degraduar dhe politika në vetvete frymezon buzeqeshjen, refuzimin ose ne rastin me te keq mosinteresimin. Nga ana e tyre politikanët mendojnë se kriza e besimit që i prek mund të zgjidhet me mrekullinë e komunikimit politik. Por shumë herë vetë ajo rrezikon të minojë akoma më shumë besimin. Dëgjojmë në Media nga opozita kritika, denoncime, spekullime, korrupsion të qeverisë dhe qeveritarëve. Në fund të fundit detyra e opozitës është kjo, por që i apo të akuzuarit të përgjigjen me akuza ndaj mandatit pararendës të opozitës (për këtë arsye kjo Parti u dënua nga elektorati dhe ndodhet në opozitë), për mendimin tim dëshmon se kjo forcë politike përjeton një krizë të thellë besimi dhe më tepër akoma krizë komunikimi. Vete komunikimi politik, në mënyrën si zhvillohet sot kryesisht nga kryeministri me një populizëm vulgar, pasi figurë tjetër politike brenda PD-së nuk guxon të ketë opinion dhe të flasë, mund të minojë akoma më shumë besimin. Kur dëgjon Kryeministrin të bazojë fushatën elektorale në fyerje dhe shprehje banale ndaj kreut të opozitës dhe nuk shpalos asnjë plarformë programatike veç disa premtimeve populiste pa asnjë bazë financiare reale, për të fituar elektoratin, kryeparlamentaren të mos të mund të konkurojë në etikën e komunikimit deputetin më mediokër të parlamentit të Zogut apo kundërpërgjigjet shumë herë të të njëjtit nivel të opozitës, kam shumë rezerva për aspiratën shqiptare të aderimit në Komunitetin Europian. Jam i sigurt se do t’i çudisim me nivelin e etikes sonë të komunikimit politik. Besimi, komunikimi politik dhe demokracia përbëjnë një triptik, asnjë element nuk mund të përjashtohet apo të neglizhohet. Që të tre këto koncepte synojnë një objektiv të përbashket: gjetjen e një ideali dhe të një vlere superiore. Dy të parat ekzistojnë vetëm duke u bazuar në lidhjet dhe besën e njerëzve: demokracia kërkon që qeveria të besojë te virtyti dhe qytetarët t’i shtojnë atij besimin ndaj përfaqësuesve te tij. Por shumë herë komunikimi mund të bëhet një mjet tradhtie mes besimit dhe demokracisë, duke u kthyer në multi-vegël pa shqetësim etik. Në demokracinë direkte qytetaria i beson qytetarit dhe qytetari manifeston besimin e tij nëpërmjet votës direkte. Humbja e besimit në këtë rast çon në monarki, në despotizëm ose në anarshi. Por në kohët e sotme ku kemi formën e demokracisë indirekte, besimi në institucione zë akoma një vend më të rëndësishëm: jo vetëm qytetari, për të zgjedhur përfaqësuesin e tij duhet të shprehë besimin në figurën e tij, por ky besim duhet ta shoqërojë atë deri në fund të mandatit, madje ky besim duhet të jetë së pari besim ndaj subjektit politik që ai përfaqëson. Nga ana e tij njeriu politik ka nevoje për besimin e qytetarëve për t’u zgjedhur, për të qeverisur dhe për t’u rizgjedhur. Ky besim bëhet më i domosdoshëm në kuadrin e komunikimit politik etik i cili në shumicën e rasteve nuk të ngjall asnjë besim. Kur Partia në pushtet me raportet despotike të imponuara në gjirin e saj dhe sidomos sot në epokën e Mediakracisë kërkon shpëtim në gazetarë, kanale televizive apo në TV-në publike, kur transmetuesen e edicionit të lajmeve ta bëjë zëdhënësen e Qeverisë apo të Partisë, do të thotë se komunikimi politik i saj ka veshur petkun e propagandës demagogjike dhe ndodhet në një situatë paradoksale: ajo përfaqëson në vetvete një mungesë vetëbesimi dhe në vend që të nxisë restaurimin e besimit nëpërmjet komunikimit dhe sjelljes etike që elektorati duhet të ketë tek njeriu politik ose te vetë politika, përdor si kamardare shpëtimi fyerjet, sharjet dhe kritikën ndaj opozitës që nuk ka qeverisur për 8-te vjet, thua se të gjitha të këqijat këtij vendi vitet e fundit i kanë ardhur nga mënyra e qeverisjes së opozitës. Kjo specie politike këtu e vite dhe jo vetëm në Shqipëri, prodhon te njerëzit indiferentizmin politik, abstenimin elektoral dhe venitjen e militantizmit partiak. Etika është e domosdoshme në komunikimin politik, aq më shumë në një Demokraci, për të luajtur rolin e një mjetdhënësi të formës dhe të përmbajtjes së politikës reale dhe jo të një shamie prestigjatori apo të një pasqyre ekuivoke. Së fundi do të thoja se mungesa e etikës komunikuese, veçanërisht në radhët e përfaqësuesve tanë më të lartë nuk përbën një krizë kalimtare, por një gjendje shpirtërore permanente, një nivel kulturor dhe politik larg parametrave Europianë. Komunikimi etik është i domosdoshëm për të qenë i besueshëm para popullit në përgjithësi dhe elektoratit në veçanti ose për të krijuar dhe fituar besimin. Shkathtësia tregohet duke aplikuar një komunikim politik të shoqëruar me një etikë modeste bashkëkohore; vetëm kështu politikanët do të kenë shanse të zgjidhen, të qeverisin dhe të rizgjidhen nga elektorati.