E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi i Saliut pas 2013-ës!

Arben Isaraj/deputet i PS-së 

-235 vjet më parë, me vdekjen e Zhan Zhak Rusoit, të birit të Suzanës dhe Isakut, me profesion filozof i jetës dhe i së drejtës, mbaroi fryma dhe era e demokracisë së drejtpërdrejtë (apo pjesëmarrëse) duke i hapur rrugën përfundimisht (në botën e qytetëruar), demokracisë me përfaqësues (apo parlamentarizmit) duke u mbështetur dhe bazuar në logjikën e fortë dhe të plotë perëndimore sipas së cilës: 

1. Demokracia me përfaqësues vesh me pushtet ligjvënës një pakicë të zgjedhur profesionale, inteligjente, me përvojë dhe interes të veçantë në problemet politike. Demokracia e drejtpërdrejtë e shkrin dhe e zëvendëson këtë pakicë me masat popullore;

2. Përfaqësuesit (deputetët) i kushtohen plotësisht (si detyrë e përditshme) procesit ligjvënës, kurse populli e ka të pamundur, qoftë edhe fizikisht, ta bëjë këtë;

3. Në krahasim me popullin, parlamenti ka mundësi më të mëdha, tekniko-administrative, për një shqyrtim më të matur, të qetë e profesional të projektligjeve;

4. Demokracia e drejtpërdrejtë "mund" të funksionojë vetëm në qytetet-shtete, me sipërfaqe dhe popullsi shumë të vogël. Dhe aty ekzistenca e një grupi të madh njerëzish, të nxitur dhe nga fjalime pasiononte, është e papajtueshme me procesin e shqyrtimit dhe miratimit të ligjeve që bën parlamenti;

5. Demokracia me përfaqësues hap rrugën për integrimin politiko-ekonomik të vendit në shkallë rajonale e ndërkombëtare. Popujt, sado të emancipuar të jenë, nuk kanë mundësi të bisedojnë, diskutojnë e të merren vesh me njëri-tjetrin pa përfaqësues.

Por...235 vjet më vonë, në zemër të Europës së integruar me demokraci, parlamentarizëm dhe shtet ligjor, Sali Berisha, i biri i Sheqeres dhe i Ramës, me profesionin special-doktor që çon në takikardi demokracinë, do të zëvendësojë parlamentarizmin (demokracinë përfaqësuese) me populizmin e ideve të tij antikushtetuese, në procesin e ligjvënies në Shqipëri. Pa "ngrënë" bukë e "pirë" ujë nga tryeza e konstitucionalistëve, që janë me shumicë në të majtë, të djathtë, në shoqërinë akademike e civile, jam i vetështyrë (nuk kanë dorë as serbët as grekët, as Kasëmi e as Mazllëmi) të shpjegoj me Kushtetutën e Shqipërisë, "miratimin" e tri projektligjeve sipas Saliut dhe procesit të tij "ligjvënës", pas qershorit 2013 (po fitoi...).  Megjithëse, germa a, pika 2 neni 81 i Kushtetutës në fuqi të Shqipërisë, thotë së- "miratohen me tri te pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve", për Saliun që e "do" aq shumë Kushtetutën dhe demokracinë, pas 2013-ës (po fitoi...), Kuvendi do zhvishet nga detyra dhe e drejta e ligjvënies dhe kjo do i kalojë popullit referendar sovran. 

Shkojmë më tej. Sipas pikës 1, neni 83 të Kushtetutës në fuqi -"Projektligji votohet tri herë: në parim, nen për nen dhe në tërësi". 

Këtu vjen e pamundura...A e imagjinoni dot, se sa herë dhe si do ti votojë "populli" referendar i Saliut tri projektligjet e integrimit?! A votohen ligjet me votim të fshehtë? Çfarë ndodh kur, larg qoftë, një pjesë e popullit referendar do të amendojë ndonjë nen të projektligjeve? Si do t’i zgjidhe këto "Qoftëlargu" i qershorit të 2013-ës? Referendumi i Saliut për miratimin e tre projektligjeve të "integrimit", po të merret seriozisht, është një përpjekje e çmendur social-politike për ndryshimin e historisë së zhvillimit të shoqërisë dhe demokracisë.  Referendumi i Saliut për miratimin e tre projektligjeve të "integrimit", po të merret seriozisht, është një greminë marramendëse që shpie veç në gjendjen e dhunës totale dhe tiranisë pakufi. Dhe për merakun tim konstitucional, na u tha se kjo nisme është bazuar në ‘pikën 2 të nenit 150 të Kushtetutës’, e cila thotë qartë: "Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum". Gjykata Kushtetuese, është e vërtetë që nuk ka të drejtë të çmojë "rëndësinë e veçantë", por nuk ka as forcën ligjore-hyjnore të barazoje NJË me TRI.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›