“Kënaqësitë e tradhtisë” në Metropol
Komedia ruse “Kënaqësitë e tradhtisë” shfaqi premierën në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit. Vepra e dramaturgut rus, Valentin Krasnogorov është përkthyer nga Mehmet Xhelili dhe ngjitet në skenë nga regjisorja Najada Elmazi. Në këtë komedi, e cila është ngjitur dhe në skena të tjera të teatrove të botës, do të interpretojnë aktorët Helidon Fino dhe Eftjola Laçka. Regjisorja Najada Elmazi sjell tri histori teatrore nga cikli i pjesëve njëaktëshe që përfaqësojnë skena të ndryshme nga jeta e një çifti të dashuruarish. Aktorët do të interpretojnë: “E pasnesërmja”, “Kënaqësitë e tradhtisë bashkëshortore” dhe “Takimi i fundit”.
Këto histori të shkurtra teatrale mund të shfaqen veç e veç ose së bashku si një shfaqje shumë aktëshe e përbërë nga dy deri në katër histori. Dialogu i thjeshtë, historitë paradoksale dhe komike, situatat pothuajse absurde dhe farseske dhe në të njëjtën kohë lirizmi i thellë, e mbajnë spektatorin në një tension të vazhdueshëm dramatik deri në batutën e fundit. Pjesa si e tërë dhe tregimet e saj individuale janë shfaqur me sukses në një numër teatrosh. Në çdo akt është një burrë, një grua, një dekor interier. Tema që i bashkon është kënaqësia e tradhtisë bashkëshortore, të gjitha pjesët kanë vetëm dy personazhe, një burrë dhe një grua. Për të luajtur në një kohëzgjatje të zakonshme mund të zgjidhen deri në katër nga shtatë tregimet e veprës. Trupa të ndryshme teatrore kanë përdorur grupe të ndryshme pjesësh. Karakteret në tre tregimet e parë quhen Ai dhe Ajo. Këto tri pjesë mund të luhen si një pjesë shumëaktëshe, ky opsion është zgjedhur, për shembull, në Teatrin Maly-Teatri i Evropës, nën drejtimin e Lev Dodinit në Shën Petërsburg , por mund të luhen edhe veç e veç. Autori i veprës, Valentin Krasnogorov cilësohet si mjeshtër i paradoksit. Ai krijon me shkathtësi intrigën që nga minuta e parë e veprimit dhe e mban audiencën pezull deri në fund të aktit të fundit. Skenografia e shfaqjes është realizuar nga Beqo Nanaj, ndërsa kostumet nga Edlira Qyshka.