E Diel, 1 Nëntor 2026

Vangjeli prane Bundesliges, interesohen Frajburgu e Kelni

Merkato Vëzhgues gjermanë në ndeshjen e nesërme kundër Rosenborgut në Europa League

Kristi Vangjeli duket fare pranë transferimit më të rëndësishëm në karrierën si futbollist profesionit. Për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare interesohen dy skuadra të Bundesligës gjermane, Frajburgu dhe Këlni. Lajmi është bërë i ditur nga mediat greke, të cilat kanë theksuar se 25-vjeçari është vënë në “shënjestrën” e këtyre dy skuadrave, pas paraqitjeve të jashtëzakonshme në Europa League me Arisin e Selanikut.

Fillimi i këtij sezoni ishte ndër më të vështirët që Kristi Vangjeli kishte përjetuar tek Arisi në Superligën greke, që prej vitit 2003 kur ai u promovua nga ekipet zinxhir të klubit selanikas dhe firmosi kontratë profesioniste. Trajneri Hektor Raul Kuper e cilësonte si të “tepërt” në skuadër, megjithatë mbrojtësi nuk u demoralizua: ai punoi fort për të bindur teknikun argjentinas, priti me durim shansin e tij dhe kur u paraqit momenti e shfrytëzoi në maksimum. Nëpërmjet seriozitetit të shfaqur në seancat stërvitore dhe paraqitjeve të mira në ndeshje të veçanta, korçari ndryshoi statusin brenda ekipit dhe fitoi me meritë një vend titullari. Megjithatë, Vangjeli nuk është mjaftuar me kaq. Në ndeshjet e kampionatit, por mbi të gjitha me aktivizimet në sfidat e Grupit B në Europa League, ai ishte vendimtar, duke tërhequr vëmendjen e klubeve që militojnë në ligat më të mëdha europiane. Paraqitjet e jashtëzakonshme në sfidat dyshe me spanjollët e Atletikos së Madridit (kampionët në fuqi të aktivitetit) dhe gjermanët e Bajer Leverkusen e vendosën kuqeziun në qendër të vëmendjes. Tashmë, për shërbimet e 25-vjeçarit interesohen Frajburgu dhe Këlni në Bundesligën gjermane, ndërsa përfaqësues të këtyre dy klubeve do të jenë të pranishëm në sfidën e nesërme në stadiumin “Kleanthis Vikelidis”, për sfidën që Arisi do të luajë me Rosenborgun. Në fakt, për Vangjelin kjo është hera e dytë që vëzhgohet nga Këlni. Megjithatë, Frajburugu është pjaca më joshëse: aktualisht kjo skuadër po paraqitet shumë mirë në kampionatin gjerman, ndërsa renditet në vendin e pestë, në zonën e kupave europiane. Lojtari ka kontratë me Arisin deri në vitin 2012, ndërsa helenët do të shqyrtojnë oferta të mundshme, duke u bazuar në faktin nëse do të kualifikohen për në fazën tjetër të Europa League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›