Vettel i pari, një pikë larg titullit

Sebastian Vettel e ka fituar garën për Shpërblimin e Madh të Singaporit, duke dominuar plotësisht ndaj kundërshtarëve. Piloti gjerman e fitoi garën e nëntë të sezonit nga 14 sosh, por për ta festuar titullin e dytë të kampionit të botës në Formula 1 i nevojitet edhe një pikë dhe këtë mund ta bëjë në garën e ardhshme, në Japoni.
Ai e mbylli garën prej 61 xhirosh të dielën për kohën 1:59:06.757, duke e lënë prapa Jenson Buttonin e McLarenit, i cili është i vetmi pilot i cili ka ende gjasa matematike për titull. Vettel u shkëput nga kundërshtarët qysh në xhirot e para, duke shkuar deri në 10 sekonda avantazh. Fitoren nuk arriti t’ia rrezikojë asnjë pilot në asnjë moment.
“Ishte një ditë e mirë për ne, vetura funksionoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Shpejtësia e kësaj veture është fenomenale. E dua këtë shteg, i dua sfidat. Sa i përket titullit të kampionit, mendoj se kemi gjasa në garën e ardhshme”, theksoi piloti gjerman pas garës.
I treti përfundoi ngasësi tjetër i Red Bullit, Mark Webber. Fernando Alonso nga Ferrari ishte i katërti, përpara Lewis Hamiltonit të McLarenit. Kampioni i shtatëfishtë, Michael Schumacher nuk arriti ta përfundojë garën pasi që pati një incident, por fatkeqësisht nuk pësoi lëndime.
24 vjeçari, i cili e fitoi për herë të parë garën në Singapor, aktualisht ka 124 pikë më shumë se Button. Ai mund t’i gëzohet titullit në garën e Japonisë, në Suzuka më 9 tetor. Për Vettel, kjo ishte fitorja e 19-të në karrierë, kurse për Red Bullin, triumfi i 24-t.
Gara e Singaporit
1. Vettel1:59:06.757
2. Button+1.7
3. Webber +29.2
4. Alonso +55.4
5. Hamilton +1:07.7
Renditja e pilotëve
1. Vettel309
2. Button185
3. Alonso184
4. Webber182
5. Hamilton168
Renditja e konstruktorëve
1. Red Bull491
2. McLaren353
3. Ferrari268
4. Mercedes114
5. Renault70