E Diel, 1 Nëntor 2026

QKUK zyrtarisht me drejtor

Nga Express më 03 tetor 2011 në ora 13:18

Ushtruesi i deritanishëm i drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Lulzim Emini ia ka dorëzuar detyrën, drejtorit të porsazgjedhur Njazi Gashit. Me këtë rast drejtori i ri i QKUK-së, bëri të ditur objektivat e tij gjatë mandatit si drejtor ekzekutiv, e që sipas tij do të jenë ngritja dhe cilësia e shërbimeve ndaj pacientëve brenda QKUK-së.

Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të QKUK-së Lulzim Emini, në mënyrë solemne ia ka dorëzuar postin drejtorit të ri Njazi Gashit.

Me këtë rast sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj ka falënderuar ushtruesin e deritashëm të drejtorit të QKUK-së Lulzim Eminin, për të cilin ka thënë se brenda një periudhe relativisht të shkurtër ka shënuar rezultate të prekshme .

Ndërkaq sa i përket drejtorit të ri të QKUK-së, Tolaj ka thënë se do ta ketë mbështetjen nga ministria dhe po ashtu edhe nga vet ai.

“Detyrën e deritanishme të ushtruesit të detyrë e ka mbajt dr. Lulzim Emini, i cili brenda një periudhe relativisht të shkurtër ka shënuar rezultate të prekshme, për çka unë në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Shëndetësisë i jam mirënjohës dhe e falënderoj. Në krahun tim të djathtë është dr. Njazi Gashi, drejtori i tashëm ekzekutiv i QKUK-së, të cilit i uroj sukses në punë. Duke deklaruar edhe kështu për përkrahjen që do ta ketë të ministrisë dhe të timen në veçanti”, ka thënë Tolaj.

Ndërkaq Lulzim Emini, i cili për dhjetë muaj e gjysmë drejtoi QKUK-në, ka falënderuar të pranishmit për bashkëpunim. Emini po ashtu ka falënderuar sekretarin e përhershëm në ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolajn, për besimin që i ka dhënë gjatë kësaj periudhe kohore, ndërsa i ka uruar drejtorit të ri punë të mbarë dhe i ka premtuar se do t’i ndihmoi në përcjelljen e detyrave për t’i a bërë punën më të lehtë.

“Për këtë periudhë dhjetë muaj e gjysmë, ju falënderoj që i keni përcjell të gjitha sfidat dhe të arriturat angazhimet eventuale që kanë qenë dhe përkrahjen që ma keni dhënë për këtë periudhë kohore. Juve sekretar i përgjithshëm, ju falënderoj për besimin e dhënë në periudhën kohore në fund të vitit të kaluar dhe që më keni dhënë mundësi që në QKUK mund të punohet më ndryshe se që është punuar. Njëkohësisht drejtorit ekzekutiv të tanishëm Njazi Gashit, i uroj punë të mbarë dhe gjithsesi do të mundohen që edhe në përcjelljen e detyrave t’i ja bej më të lehte detyrat e tij”, ka thënë Emini.

Emini ka përmendur disa nga sukseset e tij gjatë ushtrimit të detyrës si drejtor në QKUK, si hapja e Institutit Onkologjik, krijimi i Qendrës së Neonatologjisë, hapja e repartit të Kardiologjisë Invazive dhe funksionalizimi i saj si dhe rritja e disiplinës në punë.

Në anën tjetër drejtori i ri i QKUK-së dr. Njazi Gashi ka falënderuar panelin që i ka dhënë besimin për ta drejtuar QKUK-në, dhe ka thënë së do të angazhohet që besimi që i është dhënë të mos t’i zhgënjejë.

Ai po ashtu ka falënderuar edhe dr. Lulzim Eminin, duke theksuar se në mënyrë të kulturuar dhe intelektuale ka bërë pranim-dorëzimin e funksionit të drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, që do të jetë shembull për brezat e ardhshëm.

“Fillimisht e përshëndes panelin i cili që ma besoj detyrën e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, dhe unë do të angazhohem që besimi që më është dhënë të mos t’i zhgënjejë dhe t’i realizojmë objektivat që edhe të tjerët kanë punuar. Me këtë rast shfrytëzoj rastin të falënderoj Lulzim Eminin, ushtrues detyre deri me tani, që në mënyrë të kulturuar dhe intelektuale bëri dorëzimin e funksionit të drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, që do të jetë shembull për brezat e ardhshëm se si bëhet pranim-dorëzimi në mënyrë protokollare”, ka thënë Gashi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ofrimi sa më kualitativ i shërbimeve shëndetësore në nivelin sekondar dhe terciar, do të jenë objektivat kryesore.

“Ofrimi sa ma kualitativ i shërbimeve shëndetësore në nivelin sekondar dhe terciar, këto do të kishin qenë ato objektivat kryesore. Këtë funksion e ka QKUK-ja. Ne besojmë që nuk do t’ju zhgënjejmë për besimin dhe projektet që janë bërë deri me tani dhe ajo është ngritja dhe avancimi sa më i madh i përkujdesit shëndetësor”, ka thënë Gashi.

Ndryshe Lulzim Emini, në postin e u. d. të drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, ka ardhur pas shkarkimit të Ali Sadriut dhjetë muaj më parë. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›