QMBI: Qeveritë po sillen me papërgjegjësi

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), po përcjell me vëmendje të veçantë situatën e krijuar ditëve të fundit në raportet ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, gjegjësisht bllokadën qytetare dhe ekonomike të shkaktuar nga sjella e papërgjegjshme politike e qeverive të dy vendeve.
Me këtë rast, QMBI-ja shpreh shqetësimin e vet të thellë lidhur me përkeqësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, duke dënuar hapat e pamatur të dy qeverive, prej të cilave do të kenë dëme të dy shtetet, ndërsa faturën më të rëndë do ta paguajnë qytetarët dhe afaristët.
“Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal, dy vlera këto që janë tregues i vetëdijes shtetërore dhe parakusht i ardhmërisë në familjen e madhe evropiane, edhe njëherë u vunë në sprovë dhe treguan labilitetin e marrëdhënieve Maqedoni-Kosovë, kësaj radhe përmes pengesave absurde në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, njërin nga parimet themelore të ekzistimit dhe funksionimit të Bashkimit Evropian”, theksohet në komunikatën për media të kësaj qendre.
Në kohën kur edhe Maqedonia edhe Kosova deklarativisht synojnë familjen e madhe të BE-së, veprimet e tilla tregojnë për një papjekuri politike e cila do të dëmtojë edhe më shumë imazhin e të dy shteteve para faktorit ndërkombëtar, si edhe ecurinë edhe ashtu të ngadalshme drejt proceseve euro-integruese.
“Lidhur me gjendjen e krijuar, QMBI kërkon nga qeveritë e dy shteteve që ta tejkalojnë sa më shpejt këtë situatë të tendosur dhe të gjejnë një zgjidhje të përhershme pozitive për qytetarët dhe afaristët e dy vendeve, duke larguar të gjitha barrierat, kufizimet dhe taksat e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, si dhe të braktisin njëherë e përgjithmonë veprimet e tilla fëmijërore dhe inatet djallëzore”.
Në këtë drejtim, QMBI kërkon sjellje më të përgjegjshme dhe syçelësi më të madhe edhe prej subjektit politik shqiptar në qeverinë e Maqedonisë karshi situatave të kësaj natyre, si dhe një angazhim më të theksuar politik në rastin konkret për tejkalimin e situatës së krijuar. /Indeksonline/