Shitja e municioneve Delijorgjit, dëmi i shkaktuar shtetit
Hetimi: Me veprimet dhe mosveprimet, të pandehurit i shkaktuan dëme të konsiderueshme ekonomike shtetit, në favor të “Albdemil”
Në kërkesën për gjykim të dorëzuar në brendësi të fashikujve hetimorë, grupi hetimor sqaron me detaje rolin e secilit të pandehur në dosjen “Gërdeci”, lidhjet mes tyre, akuzat për veprime ose mosveprime, nga ku si pasojë erdhi dhe tragjedia e 15 marsit. Lidhur me katër të pandehurit e arrestuar, për të cilët rëndon akuza më e rëndë, ajo e “vrasjes masive”, Ylli Pinari, Sokol Ngjeçi, Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli dhe personi juridik, shoqëria “Albdemil” sh.p.k., me dashje kanë organizuar dhe realizuar procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve, duke shpërfillur çdo rregull e standard sigurie; natyrën e burimit të rrezikut veçanërisht të shtuar, që përbënte zhvillimi i këtij procesi; si dhe me arrogancë, paralajmërimet për rrezikun real të pranishëm që përbënte realizimi i këtij procesi në mungesë totale të kushteve të sigurisë, duke shkaktuar pasoja për jetën dhe shëndetin e shtetasve dhe pasurinë private e publike. Gjithashtu, nga ana e prokurorëve është sqaruar me detaje edhe mënyra sesi janë llogaritur dhe shitur municionet nga komisioni i ngritur për këtë fakt, dëmi që i është shkaktuar shtetit, si dhe përfitimet e “Albdemil” nga anëtarët e komisionit.
Shitja e municioneve
Përgjatë kërkesës për gjykim, prokurorët kanë paraqitur faktet e veprimtarisë kriminale të këtyre të pandehurve të arrestuar, por edhe të tjerëve në gjendje të lirë, sipas veprave penale të kryera prej tyre, në bashkëpunim dhe në bashkëfajësi, si dhe sipas kronologjisë që ka ndjekur e gjithë kjo veprimtari kriminale, deri ditën e shpërthimeve masive që sollën pasojat tragjike të 15 marsit 2008. Sipas prokurorëve, i pandehuri Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIBM në Ministrisë së Mbrojtjes, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve, në bashkëpunim me të pandehurit Ardian Mullahi, ish-sekretar i Përgjithshëm i MM dhe Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, si dhe në bashkëpunim me të pandehurit Rezart Tërshana, ish-shef i sektorit të ligjeve në DHLMK në MM, Agim Babameto, ish-shef i Sektorit të Marketingut në DMIBM në MM dhe Besnik Dauti, oficer me gradën major, me detyrë shef i teknikës speciale të municionit në Brigadën Ajrore, të gjithë në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve, kanë caktuar si çmime të shitjes së municioneve çmimet e ofertës së shoqërisë amerikane “SAC inc”, të përcjella këtij komisioni nga ish-sekretari i Përgjithshëm, i pandehuri Ardian Mullahi, me shkresën e tij nr. 772, datë 20.03.2007, me synim realizimin e përfitimeve të padrejta materiale të shoqërisë “Albdemil” sh.p.k., nëpërmjet kësaj shoqërie të huaj. Të pandehurit kanë marrë vendimin nr. 1, datë 10.04.2007 të këtij komisioni, me të cilin kanë përcaktuar çmimet e municioneve me gëzhojë tunxhi sipas kalibrave: 7.62 mm – 0,00448 $USA/copa, 12.7mm - 0,02571 $USA/copa dhe 14.5 mm-0,03245 $USA/copa. Po sipas prokurorëve, për të realizuar këtë qëllim kriminal, të pandehurit kanë vepruar në shkelje të pikës 2, kreu IV i vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi” dhe në shkelje të pika 5 të urdhrit të MM nr. 417, datë 02.04.2007 “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Çmimeve të Armëve, Teknikës, Pajisjeve, Municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga armatimi dhe Përdorimi në Forcat e Armatosura”, duke mos analizuar elementët dhe kriteret e veçantë të përbërjes së çmimit që janë normuar në akte nënligjore siç janë: investimi, kostoja faktike e punës së bërë, ndikimi në mjedis dhe vlera e nënprodukteve të përfituara nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve. Gjithashtu, të pandehurit nuk kanë përfshirë në çmimin e shitjes së municioneve të këtyre kalibrave shpenzimet e transportit, duke përmbushur ofertën/kërkesën e shoqërisë amerikane “SAC inc”, me qëllim realizimin e përfitimeve të padrejta materiale të shoqërisë “Albdemil” sh.p.k., nëpërmjet kësaj shoqërie të huaj, veprim i kryer në shkelje të udhëzimit të MM, nr. 281, datë 17.06.2003 “Për trajtimin e pjesës së armëve, teknikës dhe pajisjeve të FA që hiqen nga armatimi dhe përdorimi”, pika 8 gërma “j” dhe pika 1, urdhrin e MM, nr. 5, datë 08.01.2002 “Për funksionimin e ndërmarrjes së Eksport–Importit të ushtrisë, “MEICO” dhe marrëdhëniet e saj me drejtoritë, komandat e Ministrisë së Mbrojtjes” pika 3/2 e tij, si dhe ligji nr. 8485, datë 12.05.1999, “Kodi i Procedurave Administrative”, neni 9.
Dëmi nga shitja e municioneve
Këto veprime dhe mosveprime, të kryera nga të pandehurit në bashkëpunim, njëri prej të cilëve është kuadër komandues ushtarak, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, me qëllim përfitimin material të padrejtë nga shoqëria “Albademil” sh.p.k., nëpërmjet shoqërisë “SAC inc”, ka sjellë pasojë të rëndë dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, pasurisë ushtarake në administrim të FA, në vlerë 868.680 473,44 lekë, e cila përbëhet nga: vlera 833.291.227,44 lekë, që përfaqëson dëmin ekonomik të pasurisë ushtarake, të shkaktuar nga mosllogaritja e çmimit të shitjes së municioneve për çmontimin dhe çmilitarizimin, sipas metodikës të përcaktuar në aktet nënligjore të mësipërme; si dhe nga vlera 35.389.246 lekë që përfaqëson shpenzimet e transportit ushtarak të pallogaritura në çmimin e shitjes së këtyre municioneve.
Municionet dhe çmimet e vëna nga komisioni
7.62 mm për 0,00448 $USA/copa
12.7 mm për 0,02571 $USA/copa
14.5 mm për 0,03245 $USA/copa
Detaj
833.291.227, 44 lekë që përfaqëson dëmin ekonomik të pasurisë ushtarake, të shkaktuar nga mosllogaritja e çmimit të shitjes së municioneve për çmontimin dhe çmilitarizimin
35.389.246 lekë që përfaqëson shpenzimet e transportit ushtarak të pallogaritura në çmimin e shitjes së këtyre municioneve
Sa u dëmtua shteti nga shitja që iu bë municioneve të “Albdemil”
Sipas kërkesës për gjykim të prokurorëve, këto veprime dhe mosveprime, të kryera nga të pandehurit në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kanë sjellë pasojë dëmtimin e interesave materiale të shtetit në vleftë 4.425 USD (408.870 lekë), shumë e cila përfaqëson mospagimin e detyrimeve tatimore prej shoqërisë “SAC inc”, si dhe ka sjellë përfitim të padrejtë material të kësaj shoqërie në po këtë shumë. Gjithashtu, kanë sjellë dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, në marrëdhëniet e tij me biznesin, në një shoqëri të ekonomisë së tregut të lirë, si dhe kanë sjellë përfitime të padrejta jomateriale për shoqërive “SAC inc” dhe “Albdemil” sh.p.k., shoqëri të cilat në mënyrë të padrejtë kanë përfituar të drejtën e blerjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim e tyre. Këto veprime dhe mosveprime, të kryera nga të pandehurit në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kanë sjellë pasojë mosgarantimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, për shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme për jetën, shëndetin dhe pasurinë publike e private në rajonin e Komunës Gërdec e më gjerë. Kjo, sepse i kanë hapur rrugë kryerjes së këtij aktiviteti në një ambient/territor të palicencuar, afër qendrave të banuara, objekteve sociale dhe bizneseve, rrugëve nacionale dhe aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas etj., si dhe i kanë hapur rrugë kryerjes së një procesi të pagarantuar për respektimin e standardeve të sigurisë nga shoqëria “Albdemil” sh.p.k., e cila ka kryer një proces të pasigurtë, duke mbajtur të depozituar sasinë prej 404,8 ton barut në ato ambiente, deri në datën e shpërthimit, 15.03.2008, çka ka ndikuar në rritjen e nivelit të pasojave të ardhura nga kjo ngjarje. Gjithashtu, kanë sjellë pasojë përfitimin e padrejtë jomaterial të shoqërisë “SAC inc” dhe shoqërisë “Albdemil”, për marrjen e paligjshme prej saj dhe në shkelje të standardeve të sigurisë, të së drejtës për ushtrimin e kësaj veprimtarie biznesi. Urdhërimi, në pikën 1, gërmat “a”, “b”, “c” për nxjerrjen nga grup-depot e FA-së, të municioneve, duke përdorur formulime evazive: pa specifikuar numrin e emërtimit, të dhënat e kompletimit (partia, viti, uzina), pa përcaktuar saktë sasitë e fishekëve me gëzhojë tunxhi, (kalibër 7.62 mm deri në 100 milionë copë, kalibër 12.7 mm deri në 20 milionë copë dhe kalibër 14.7 mm deri në 20 milionë copë), megjithëse dihej sasia ekzakte e gjendjes së tyre, (kalibër 7.62 mm 53.093 108 copë, kalibër 12.7 mm 4.264.155 copë dhe kalibër 14.5 mm 3.587.566 copë), e përcaktuar në shkresën nr. 927, datë 06.02.2007 dërguar të pandehurit Ardian Mullahi nga Drejtoria Logjistike e SHPFA, si dhe pa specifikimet e tjera për secilin kalibër, të domosdoshme për të bërë të kuptueshëm dhe të zbatueshëm këtë urdhërim, është kryer në shkelje të aktit normativ: “Manuali i Logjistikës”, kapitulli VII “Armatim-Municioni”, seksioni 7.2.2 “Dokumentimi i veprimeve ekonomike të shërbimit të armatim municionit” pikat 1, 2 dhe 19, si dhe modelarët përkatës të miratuar. Ky veprim, i kryer nga të pandehurit në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, ka sjellë si pasojë çrregullime të rëndësishme në veprimtarinë normale të FA lidhur me administrimin e municioneve dhe nxjerrjen tyre nga grup-depot. Ky mosveprim, i kryer nga të pandehurit në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, ka sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 35.389.246 lekë, si dhe ka sjellë përfitimin material të padrejte të shoqërisë “Albdemil” sh.p.k. në vlerën e përmendur më sipër.