E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biçoku: Rama kërkon të miratojë 30 leje ndërtimi për klientët e tij



Drejtori i Urbanistikës: Do braktisim KRRT-në

Të miratohet plani rregullues i Tiranës, jo investime elektorale

Kryetari i bashkisë prej gati pesë vjetësh ka lënë Tiranën pa plan rregullues dhe nga ana tjetër kërkon të nisë nga investimet elektorale, duke favorizuar klientët e tij të ndërtimit. Kështu e ka akuzuar dje kryetarin e bashkisë, Edi Rama, drejtori i Urbanistikës në MPPT&T, Marin Biçoku, ndërsa paralajmëroi se disa nga anëtarët e Këshillit Bashkiak nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e KRT-së, ku Rama kërkon të miratojë lejet e ndërtimit të klientëve të tij. Biçoku akuzoi Ramën se ka zvarritur me vite miratimin e planit rregullues të Tiranës, ndonëse ka pasur në dispozicion edhe fonde të donatorëve. “Që në nëntor 2004 Bashkisë së Tiranës i janë vënë në dispozicion nga donatorët 1.466.000 USD, plus financimin shtesë të qeverisë shqiptare për të hartuar Planin Rregullues, pasi bashkia refuzonte ta financonte vetë. Më 1 nëntor 2006 është lidhur kontrata për hartimin e planit rregullues, i cili duhet të mbaronte në korrik 2007. Nuk mbaroi! 8 gusht 2007, kontrata u shty deri më 31 mars 2008. Nuk e mbaruan! 27 nëntor 2007, kontrata u shty për herë të dytë deri më 30 qershor 2008. Nuk e mbaruan!”, - ka sqaruar Biçoku të gjitha datat ku është shtyrë kontrata për planin rregullues të Tiranës. Ai shtoi se data 20 qershor 2008 ishte data e shtyrjes të tretë të kontratës me afat 20 shtator 2008, ndërsa data 9 shtator ishte shtyrja e katërt e kontratës.

Duke shtyrë nga viti në vit miratimin e kontratës për planin rregullues, Rama ka lënë Tiranën pa një plan për zhvillimin e saj. Biçoku tha dje se hera-herës është kërkuar të miratohet kjo kontratë, por asnjëherë procesi nuk çuar deri në fund dhe sipas tij ai asnjëherë s’do miratohet me iniciativë të Ramës. Biçoku sqaroi se në dhjetor 2008 Rama kërkoi të miratohet në parim në KRRT-në e Tiranës drafti i Planit Rregullues duke premtuar që boshllëqet do të plotësoheshin urgjentisht dhe problemet ligjore të tij do të korrigjoheshin. Por kontrata nuk u miratua sërish. Biçoku u shpreh se ndonëse Rama ka pranuar dështimin, duke mos miratuar planin për Tiranës, sërish kërkon ta drejtojë atë. “Në këtë situatë të paprecedentë babëzie e paaftësie, kryetari i bashkisë në vend që të pranojë dështimin e tij, kërkon të vazhdojë të drejtojë qytetin pa plan. Dje në darkë kryetari na lajmëroi për mbledhjen e KRRT-së me një rend dite për 30 leje ndërtimi të klientëve të tij e 20 investime elektorale. Kjo do të thotë as më shumë e as më pak, por vërtetim të faktit që kryetari i bashkisë vazhdon të abuzojë me lejet e ndërtimit dhe ta përdorë pushtetin e tij në shërbim të klientëve të 15%”, - ka akuzuar dje Biçoku. Sipas tij, kjo është pengesa reale që e lë Tiranën pa plan rregullues prej 10 vjetësh. Biçoku theksoi se kjo shaka e ripërsëritur e tij duhet të marrë fund dhe se Tirana nuk është çifligu i Ramës dhe KRRT-ja nuk është bandë që të grabisë qytetin. Biçaku paralajmëroi se disa nga anëtarët e Këshillit Bashkiak s’do marrin pjesë në mbledhjen e KRRT-së, ku Rama kërkon të ligjërojë aferat e tij elektorale. “Ne si profesionistë e të votuar të Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e KRRT-së të Tiranës. Nuk mund të bëhemi palë në shkatërrimin e kryeqytetit, nuk mund të pranojmë trajtimin e Tiranës si pulla e njolla sheshesh ndërtimi. Ne kërkojmë me forcë miratimin e Planit Rregullues të përfunduar në Këshill Bashkiak e deri në KRRTRSH, sikurse ligji e kërkon. Ne kërkojmë një proces të thellë shqyrtimi që të ketë në fokus interesat më të mira të Tiranës dhe qytetareve të saj dhe jo lejet e ndërtimit të Koçove të kryetarit”, - ka deklaruar dje Biçoku.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›