E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT në anarshi totale, pa ilaçe e në kushte të mjera shërbimi

Pavijonet e spitaleve të mbytura nga papastërtia dhe lagështirë, sjellja e mjekëve brutale

Është folur vazhdimisht e është kritikuar pa masë gjendja në spitalin më të madh në vend, por sërish asgjë nuk ka ndryshuar. Përpos deklaratave pa vend të krerëve të shëndetësisë e urdhrave që kurrë nuk zbatohen e mbeten vetëm fjalë në erë e shkrime që flenë në sirtarët e drejtorisë së QSUT-së, gjendja në pavijone

sa vjen e shpërfytyrohet. Turma njerëzish që vrapojnë për të gjetur një barelë e të tjerë që ndjekin të përlotur shefat e shërbimit ose infermieret, sheh në çdo cep të këtij spitalit numër 1, pavijonet e të cilit janë në amortizim të plotë. Muret brenda dhomave janë në kushte skandaloze e në shumë raste lagështira ndër vite ka bërë që pjesa poshtë lavamanëve apo në pjesën e sipërme të mureve të jetë edhe element i rrezikshëm për të sëmurët që shpesh herë i tremben rënies së ndonjë pjese muri që është krejtësisht e plasaritur. Nga vëzhgimet e njëpasnjëshme të gazetës SOT janë evidentuar jo pak skandale që janë kthyer në QSUT, në mollë sherri midis krerëve të këtij spitali e personave të tjerë. Ndërsa kushtet në pavijonet e spitalit numër 1 janë prej vitesh në mëshirë të fatit, një tjetër element tepër shqetësues për pacientët e të afërmit e tyre, janë mungesat e theksuara të ilaçeve që janë kthyer kohët e fundit në gangrenë për të sëmurët të cilëve në 80 për qind të rasteve u duhet të jetojnë midis jetës e vdekjes duke pritur tenderat e paqena të drejtorit Dashi. Në pavijonin e hematologjisë, atij të sëmundjeve kardiologjike, sëmundjeve të veshkave e të diabetit, pjesa më e madhe e dhomave në këto ditë të nxehta është e tejmbushur me pacientë. Nëse të bie e keqja e aty ke ndonjë të afërm duhet të përshtatesh shpejt me erën mbytëse të papastërtisë e lagështirës e cila është e pranishme kudo. Por jo vetëm kaq, rubinetet e çezmave shpesh herë si për ironi të fatit kur në gjithë kryeqytetin nuk ka pikë uji aty shpërthejnë si pa gjë të keqe duke mbushur të gjithë hapësirën e tualetit të dhomës. Vetëm disa prej dhomave në pavijonin e hematologjisë të cilat kanë luksin të kenë tualete brenda, edhe në këto raste kjo gjë nuk vlen pasi të sëmurëve rëndë u duhet të shpejtojnë për në banjën e përgjithshme pasi tekniku i spitalit ka javë që nuk duket e shpërthimi i ujit ka përmbytur gjithë ËC-në e dhomës. Në këto raste pasi të afërmit kanë kërkuar disa ditë me radhë asistencën e  teknikut a askush nuk i ka dëgjuar fjalët e tyre, janë detyruar të marrin një teknik çfarëdo me pagesë për të shpëtuar të gjithë dhomën nga përmbytja. Në përgjithësi shërbimi për pacientët në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza lë shumë për të dëshiruar por kulmi i gjithçkaje arrin atëherë kur vetë i sëmuri kërkon tek kryeinfermierja e pavijonit të hematologjisë se përse ngjitur me krevatin është një prizë e hapur që duket sikur do të shkaktojë nga momenti në moment ndonjë masë elektrike, ose në pakujdesi nga i sëmuri mund të ndodhë edhe më keq. Në këtë rast, kryeinfermierja me një ton abuzues e ironik gjithashtu i ulëret të sëmurit sikur ky i fundit ta kishte shkulur vetë prizën e cila qëndron ashtu prej muajsh. Apo në raste të tjera, kur një pacienti të saposhtruar i duhet të presë me orë të tëra për të marrë mjekimin e infermiereve kur u kërkon me mirësjellje përse ndodhin këto vonesa të përgjigjen duke të ulëritur në fytyrë. As më shumë e as më pak kjo është gjendja se si na serviret shërbimi i komunikimit nga mjekë e infermierë që përveçse abuzojnë duke marrë ryshfete pa fund e në shumicën e rasteve nuk kryejnë punën e tyre, krijojnë ankth e pasiguri tek pacientët e të afërmit e tyre.


Mungesa e ilaçeve
Citostatikët  të cilët shërbejnë për kurimin e sëmundjeve kanceroze në spitalin onkologjik kanë prej shumë muajsh që mungojnë por edhe pse ky problem është kthyer në makth për të afërmit e të sëmurëve të cilëve u duhet që edhe të paguajnë nën dorë për të gjetur qoftë edhe një qetësues. Në spitalin numër 1 mungesa totale e mjekimit për sëmundjet e gjakut në pavijonin e hematologjisë është kthyer kohët e fundit në një tmerr pa fund, pasi të afërmve të pacientëve u duhet që për disa orë më radhë të kërkojnë përreth farmacive të spitalit medikamentin kryesor pa të cilin nuk mund të kryhet kimioterapia. Adromicina medikament i cili shërben për kurimin e të sëmurëve me anemi të theksuar e që është një prej medikamenteve kryesore për kryerjen e kimioterapisë së vazhdueshme, është kthyer kohët e fundit në një burim fitimi tepër të majmë për farmacitë, të cilat e ndryshojnë çmimin sipas kategorive të qytetarëve. Në shumë prej tyre medikamenti i adromicinës, gjendet me 65 mijë lekë të vjetra e në shumë të tjera çmimi mund të jetë 10 mijë lekë më pak ose më shumë.

Shkretohen pavijonet, mungon penicilina, pambuku dhe paracetamoli
Pavijonet e QSUT-së duke filluar që prej pavijoneve të spitalit onkologjik, urgjencës së përgjithshme, pavijonit të zemrës, sëmundjeve të gjakut, dializës, diabetit apo pavijoneve tek spitali pediatrik i fëmijëve duken sikur janë shkretuar nga mungesa e theksuar e ilaçeve por jo vetëm e tyre. Në infermieritë e këtyre pavijoneve mungojnë edhe mjetet më normale që shërbejnë për kryerjen e gjilpërave, apo të serumeve siç janë pambuku, apo fashat e ngjitëset për mbajtësen e serumit apo vigonët. E gjithë kjo gjendje tejet e pazakontë duket sikur ka shkretuar spitalin që edhe pse ka drejtuesit që përgjigjen për këtë institucion duket sikur është vend pa zot. Në pavijonin e hematologjisë, është vetëm një aparat tensioni i cili edhe ai në të shumtën e rasteve nuk funksionon. Por më skandaloz është fakti që infermieret prej disa muajsh nuk kanë në mjetet e punës së tyre edhe pambuk, në të vend të cilit përdorin kart-peceta në kohën që kryejnë serumet apo gjilpërat. Por jo vetëm kaq, nuk ka as stola për tu ulur dhe as kosha mbeturinash, ËC janë jashtë çdo funksioni e muret e 70 për qind të dhomave në të gjitha pavijonet e spitalit numër 1 janë gjithë lagështirë. Ata që i vuajnë të gjitha këto mungesa, janë pacientët që përveç mungesës së theksuar të ilaçeve, në të gjitha spitalet e QSUT-së duhet të vuajnë edhe kushtet mizerabël. Në spitalin e pediatrisë e jo vetëm aty, prindërit e të afërmit e pacientëve janë detyruar të blejnë edhe termometër, ndërkohë pas injeksioneve vendosin kart-peceta me alkool në vendin e shpuar, pasi nuk ka pambuk. Prej ditësh infermieret presin fashon në copa të vogla për të zëvendësuar pambukun me të cilin ende nuk është furnizuar farmacia e spitalit. E në rastet më flagrante nga infermieret u është kërkuar të afërmve të pacientëve edhe glukozën e serumeve pasi edhe atë nuk e gjen më në spital. Mungesat e medikamenteve duke filluar që nga antibiotikët, serumet, madje në disa raste edhe gjilpërat për uljen e temperaturës tek të vegjlit janë më shumë problematike tek prindërit që vijnë nga rrethet. Sipas tyre kjo gjendje është e papërballueshme. Për disa prej tyre thika ka shkuar në kockë, me borxhe arrijnë të përballojnë shpenzimet. Nuk janë as dhjetë, as 100 mijë lekë se kaq nuk do na vrisnin, e kemi të pamundur të përballojmë kurat nga 400 euro e më shumë, thotë babai i një 13- vjeçareje të shtruar në pavijonin e hematologjisë me sëmundje të rëndë gjaku. Prindër të tjerë pohojnë se, deri tani kanë harxhuar më shumë se 200 mijë lekë vetëm për blerjen e citostatikëve (për trajtimin e sëmundjeve vdekjeprurëse të gjakut), që nuk i ka spitali. Përpara këtyre medikamenteve mungesa e të tjerave nuk bie në sy, vetëm një cikël trajtimi u kushton fëmijëve nga 200-500 euro, me kushtet tona nuk kanë faj që ankohen skanë ku ti gjejnë, pohon një nga mjeket pediatre në pavijonin e hematologjisë. Veç hallit të madh që i ka zënë prindërit e fëmijëve duhet të mendojnë edhe si të sigurojnë paratë për të blerë ilaçet, kjo kur fëmijët sipas të gjitha ligjeve e rregullave gëzojnë më shumë se të gjithë të tjerët të drejtën për tu trajtuar falas në spitalet publike.

Higjiena në spitale skandaloze, pacientët kalojnë nga Infektivi para se të largohen
Qendra Spital

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›