E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT në mungesë totale gjaku, Pediatria dhe Hematologjia në pritje prej 3 muajsh

Pacientët, 2 mijë lekë ryshfet për një flakon gjak

Mungesa e gjakut në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është kthyer muajt e fundit në një makth pa fund për prindërit e fëmijëve me leucemi dhe për të gjithë të sëmurët tek pavijoni i hematologjisë në spitalin nr 1 tek sëmundjet e brendshme.

Pacientët e vegjël, por edhe të sëmurët me sëmundje të gjakut të cilët e kanë mëse të nevojshme marrjen e gjakut në një periudhë dy herë brenda muajit kanë më shumë se tre muaj që nuk marrin asnjë flakon. Vetë të afërmit e pacientëve tregojnë për gazetën SOT se edhe pse kanë bërë disa kërkesa rresht në bankën e gjakut pranë QSUT-së por ende prej javësh të tëra nuk kanë marrë asnjë përgjigje pozitive. Ndërkohë në lidhje me mungesën totale të gjakut në pavijonet e QSUT-së edhe vetë mjekët e kanë pranuar mungesën prej tre muajsh. Sipas tyre edhe pse vetë këta të fundit i kanë bërë kërkesa të vazhdueshme drejtorisë së QSUT-së asnjë masë nuk është marrë për furnizimin me gjak. Rreth 8 prindër të fëmijëve me leucemi kanë pritur ditën e djeshme për orë të tëra mbrapa derës kryesore të bankës së gjakut në QSUT, me shpresën se do të merrnin për fëmijët e tyre ndonjë flakon gjak por edhe pse kanë pritur pothuajse gjysmën e ditës nga infermieret nuk kanë marrë asnjë shenjë pozitive. Disa prej këtyre prindërve kanë pohuar për gazetën SOT se pa u dhënë infermiereve e mjekëve të bankës së gjakut nga 2-5 mijë lekë ryshfet në asnjë rast nuk mund të marrin qoftë dhe një flakon të vetëm gjaku. Sipas tyre edhe pse korrupsioni është ulur këmbëkryq në QSUT, asnjë masë nuk merret nga drejtoria e spitalit e cila është indiferente ndaj ankesave e kërkesave të shumta nga pacientët. Megjithëse ka një sensibilizim të qytetarëve për të ndihmuar personat në nevojë dhe është grumbulluar një sasi e konsiderueshme gjaku, kjo periudhë konsiderohet shumë problematike pasi ka rritje të traumave, plagosjeve dhe të numrit të aksidenteve për shkak të emigrantëve.


Masat
Ka filluar zbatimi i planit të masave të marra nga ministria e Shëndetësisë për sigurimin e rezervave të gjakut, gjatë sezonit të verës. Kanë qenë punonjësit e kësaj ministrie, të cilët kanë dhuruar gjak, pasi gjatë muajve të verës do të jete personeli shëndetësor ai që do të dhurojë gjak, për të ndihmuar kontingjentin e njerëzve që kanë nevojë për të. Sipas qendrës së kontrrollit të gjakut, janë rritur ndjeshëm dhurimet vullnetare, por jo në masën 100%. Siguria e gjakut ka qenë problematike çdo vit dhe kjo ka bërë që nga viti 2005, kur u identifikuan 4 fëmijë talasemikë me HIV/AIDS dhe 88 të tjerë me hepatit B e C, të mos ketë raste të reja. Në të gjithë vendin numërohen rreth 300 pacientë talasemikë. Nga viti 2004-2007 kanë ardhur në jetë 80 bebe talasemike, ndërkohë që zonat që kanë përqindjen më të lartë të pacientëve që vuajnë nga talasemia, ose siç njihet ndryshe mungesa e rruazave të gjakut, janë Fieri, me 22 për qind, Lushnja me 17 për qind, Vlora me 16 për qind dhe Saranda me 12 për qind.


Precedenti
Kërkesat janë shumë të mëdha, kërkohet 380-400 njësi gjaku, por jo gjithmonë arrihet ky numër, pavarësisht se ne kemi ngritje, dhe vetëm brenda këtyre dy javëve kemi marr rreth 150 njësi gjaku dhe të tjerë institucione janë ofruar për të dhuruar gjak, ne prapë themi ka shumë mungesa për gjak. Apeli i strukturave të shëndetësisë çdo vit është, dhuroni gjak të paktën 2 herë në vit, çdo person mbi moshën 18 vjeç dhe që gëzon gjendje të mirë shëndetësore.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Shtune, 17 Korrik 2010 21:22

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›