Alfred Cako: Botimet tona, ndryshe nga tradita e konkurrentëve tanë
Megjithëse vetëm para një viti ai ka nisur aktivitetin e tij me librin, sot cilësohet si një nga njerëzit që ka ditur të sjellë për lexuesit një letërsi me vlera të vërteta. Botuesi Alfred Cako në aktivitetin e tij është i prirur për ta parë dhe për ta pasqyruar tek lexuesi jetën
dhe fazat e historisë, të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Botuesi Cako është i pari që ka sjellë degëzimin e konspiracionit në Shqipëri me librin Kush e sundon botën", "Kodet magjike", Historia e Teorive Ekonomike (libër i futur si tekst në disa universitete shtetërore dhe private), Frimasonët-Historia e shoqërisë sekrete më të vjetër të botës dhe vjet ai themeloi shtëpinë e tij botuese HELGAs SECRETS. Sa i takon përkthimit, për lexuesit nga botuesi Cako erdhi dhe Të kuptojmë bursën, Wall Street. Është e para sipërmarrje serioze që tregon sesi funksionon tregu kryesor i letrave me vlerë në botë. Para këtyre botimeve, ai njihet dhe si përkthyes i disa librave të tjerë në zhanrin non fiction. Në këtë intervistë, botuesi Cako flet për problemet në tregun e librit dhe zbulon botimet që pritet të vijnë para lexuesit.
-Në çfarë lloj zhanri është e përqendruar shtëpia botuese HELGAs SECRETS ?
Shtëpia Botuese HsS ende nuk e ka festuar jubileun e saj të parë, pasi ajo e filloi aktivitetin e saj në tetor 2009. Gjatë këtyre 7-8 muajve janë botuar 11 libra të rëndësishëm e të rrallë në gjuhën shqipe. Nëse i shihni me kujdes titujt dhe subjektet e librave të përkthyera e të botuara nga HsS, do të vini re se aty dominojnë disa fusha që janë nënndarje të zhanrit non fiction; pra ne nuk jemi përqendruar aspak në fushën e letërsisë artistike apo poezisë së krijuar nga mendja e romancierëve dhe poetëve, siç kanë vepruar rëndom të tjerët para nesh, por tek disa fusha të tjera si ajo e konspiracionit, mistereve, historisë sekrete, i të fshehtave të ekonomisë dhe filozofisë rebele. Brumi të cilin gatuajnë autorët e përzgjedhur nga HsS është e vërteta e fshehur, misteret që vinë nga artefaktet e lashtësisë, ciklet e jetës së gjithçkaje që ekziston në dimensionin tonë diellor, ujërat nëntokësore të historisë dhe të lojës së kumarit të ekonomisë. Kur isha në Kosovë takova rastësisht një nga drejtuesit e vjetër të UNMIK-ut, i cili ndoshta ishte i pari që ma drejtoi një pyetje inteligjente që këtu rëndom nuk ta jep një shqiptar: Ju jeni përqendruar në fiction apo non fiction? Kur ju përgjigja, ai më buzëqeshi dhe më tha që kisha kryer një zgjedhje të mirë për shkak se tregu shqip kishte mungesa në këtë zhanër. E përshëndeta me kënaqësi për pyetjen sa inteligjente, aq edhe të thjeshtë që më kishte drejtuar. Në perëndim ka kohë që letërsia non fictioni e ka mposhtur atë artistiken në masën e depërtimit tek lexuesi.
-Përse e kini zgjedhur këtë lloj letërsie?
Përveç arsyes së fitimit që ka çdo sipërmarrës privat si qëllim përfundimtar, një arsye tjetër e imja për këtë zhanër të zgjedhur është padyshim edhe interesi intelektual dhe prirja për ta parë dhe për ti pasqyruar tek lexuesi jetën dhe fazat e historisë të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen si një ajsberg, majën e të cilit e kanë dhënë deri më sot pak a shumë botuesit e tjerë të derisotëm privatë a shtetërorë, ndërsa fundin e tij të errët e vendimtar për fatet e lëvizjes së këtij ajsbergu pretendon ta paraqitë sado pak si novatore HsS. Natyrisht, që përveç zhgënjimit që sjell vepra e HsS tek brezi i baby boomers -me byrekun e historisë me petë të hapura-për shkak të zhgënjimit të idealeve të këtij brezi, ne përpiqemi ti themi disa të vërteta gjithashtu të ashpra brezit të mesëm dhe sidomos të ndihmojmë rininë tonë, e cila është e etur për të vërtetën dhe përdorimin e saj si instrument efikas, më së paku për të mos humbur katër pikat e horizontit, gjatë aktivitetit të saj qoftë privat, ashtu edhe zyrtar shtetëror në marrëdhënie me vektorët e ndryshëm vendimmarrës nga të gjitha anët e botës.
-A është e vështirë mbijetesa e një enti botues nga pikëpamja financiare?
Natyrisht që në përgjithësi është e vështirë mbijetesa në treg. Çdo vit gjallojnë e shuhen me dhjetëra ente botuese; disa syresh e kanë siguruar, me sa duket, ekzistencën e tyre prej mbi një dekadë në tregun e ashpër të botimeve. Gjithsesi, nëse je një nuhatës i mirë i asaj që është i etur një pjesë e caktuar e publikut dhe nëse ke një fushë sado të vogël të lirë për të luajtur, unë mendoj se mund ti mbijetosh vështirësive financiare. Pra kryesorja është të hysh në një lloj fushe ku nuk ke shumë konkurrencë; së dyti të dish të përzgjedhësh veprat që do botosh dhe së treti shpenzimet dhe orientimin e marketingut. Ne kemi pasur një vakum të tmerrshëm të risive letrare nga koha e diktaturës dhe ka një mal me vepra të vlefshme që duhen botuar. Por përveç kësaj, ka rëndësi edhe sa e emancipuar dhe e zellshme është shoqëria jonë për dije.
-Si e shikoni sot konkurrencën e shtëpive botuese?
Ashtu si në të gjitha bizneset e tjera, edhe botimi kërkon një investim fillestar; jo aq shumë në makineri, teknologji e fuqi të madhe punëtore (nëse nuk do investohej në mënyrë vertikale, pra me shtypshkronjë, me pika shpërndarje apo shitje, etj), por me shpenzime për lejë të autorit, përkthime, redaktim e korrektim, faqosje, shtypshkrim dhe marketing, etj. Në këtë drejtim, për të qenë efikas dhe konkurrent, lipset që përkthyesit të jenë sa më të mirë; nëse nuk ke përkthyes cilësorë, zbehet fuqia dhe vlera e një libri. Që të kesh përkthyes të mirë, kjo do të thotë që të rriten shpenzimet dhe këtë mundësi e kanë më të madhe entet botuese të vjetra të cilat kanë mundësi financiare më të spikatura për pagesë dhe kjo përzgjedhje sjell një konkurrencë më efikase të të vjetërve ndaj të rinjve në treg. Megjithatë, të lundrosh në tregun e botimit, në çdo kohë dhe nga gjithkush, është si të lundrosh midis Shillës dhe Karribdes: mjaftojnë disa zgjedhje të gabuara në zgjedhjen për botim dhe atëherë i duhet thënë lamtumirë avantazhit të patriarkut. Një superioritet tjetër i të vjetërve është një lloj aleance e tyre organizative nëpërmjet lidhjeve, njohjeve dhe anëtarësimit në shoqatat e krijuara nga disa botues, për të siguruar edhe superioritete të tjera si informacioni që ata kanë për ngjarjet e ndryshme (siç janë panairet), vendi i preferuar në interieret ku zhvillohen aktivitet e tilla, etj. Këto avantazhe tashmë janë të shtrira edhe në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoni.
-Botuesit pohojnë se ata kanë problem me shpërndarjen e librit. Si e shikoni ju këtë problem dhe çfarë mendoni për libraritë nëpër rrethe?
Po është relativisht e vërtetë vështirësia e shpërndarjes së librit. Unë personalisht jam ithtar i mekanizmit rregullator të tregut. Megjithatë, i ashtuquajturi the invisible hand (dora e padukshme) ka nevojë për retushime të organizuara; për këtë nuk ka nevojë të shpikim. Në Tiranë ekzistojnë disa pika shitje me shumicë të cilat bëjnë ndarjen kapilare të librit, jo me shumë efikasitet. Gjithashtu edhe rrethet bëjnë një farë shpërndarje të vogël nëpër qytetet më të vogla apo libraritë modeste nëpër komuna. Si në çdo biznes tjetër, pronarët e librarive në qytetet e mëdha, lipset të zgjedhin pika kyçe të rrahura nga këmba e njeriut, si dhe të modernizojnë ambientin e tyre me tryeza dhe karrige si dhe të sigurojnë një ambient me temperaturë të përshtatshme për lexuesit. Do të ishte mirë që të kishte edhe një kompjuter me shërbim interneti aty në sallë, meqë blerësi të mund të merrte një info të shkurtër për autorin dhe librin. Ende jemi larg nga të qenit të një niveli të tillë të librarive, me disa përjashtime (në Tiranë ka 2-3 syresh në këtë nivel optimal).
-Çfarë do të ofroni së shpejti për lexuesit shqiptar?
Shtëpia Botuese HELGAs SECRETS është e orientuar drejt së vërtetës pa paragjykime. Ajo nuk niset nga klishetë zyrtare të informacionit qoftë tradicional, qoftë në lidhje me ngjarjet e reja. Busulla e saj është e vërteta dhe zbulimi i saj nga çdo skutë e fshehur. Gjithashtu ne nuk synojmë të godasim me dezinformaci