E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria dhe rektorët përplasen për ligjin e arsimit të lartë

Ministri Tafaj dhe rektorët Kule e Civici flasin përpara komisionit të Edukimit në Kuvend për ndryshimet në ligjin e ri të arsimit të lartë

Komisioni i Edukimit shqyrtoi dje projektligjin Për disa ndryshime në ligjin për arsimin e lartë, ku ishin ftuar për të shprehur qëndrimet e tyre ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, kryetari i Konferencës së Rektorëve, prof. dr. Dhori Kule, dhe nënkryetari, prof. dr. Adrian Civici.

Heq dorë nga Toefli

Debati, në të kundërt nga sa pritej, u përqendrua mbi gjuhën që nevojitej për të hyrë në master. Projektligji parashikon se nevojitet anglishtja e mbrojtur me Toefl për të vijuar masterin, por deputetët u shprehën se kjo përbën një diskriminim për universitetet tona që ofrojnë mbrojtje të gjuhës angleze, si edhe për studentët që dinë një gjuhë tjetër të rëndësishme. Le të bëhet për një test internacional të njohur, - kundërpropozoi ministri Tafaj. - Këtë test të njohur në shkallë internacionale, mund ta bëjnë edhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, fakultetet e gjuhëve të huaja, sepse kemi disa. Synimi që kemi ne, është që fakultetet ta marrin dhe ta zhvillojnë të drejtën për të zhvilluar provime të njohura internacionale. Ne duhet ta hapim procesin që universitetet tona të ofrojnë leksione në gjuhën angleze.

Jo sistemit kilian, po lituanezit

Ndërkaq, ministri Tafaj deklaroi se nuk do të bazohet mbi sistemin kilian, por mbi atë lituanez, të cilat nuk ndryshojnë shumë në thelb, për reformën e financimit të universiteteve. Paketa e reformës financiare do të jetë një paketë që për ju do të jetë krejtësisht e njohur përpara se të transkriptohet në ligj, - premtoi Tafaj. - Modeli kilian nuk është asnjë lloj afeksioni. Kili është një nga vendet që ka arritur të thithë shumë resurse... vetëm disa koncepte për ne mund të shërbejnë si bazë, ne po merremi me sistemin e Lituanisë... Modeli do të jetë në shërbim të studentëve më të mirë dhe në bazë të të ardhurave. Modeli do të ketë një fytyrë tërësisht sociale... Universitetet publike do të jenë tërësisht publike dhe do të funksionojnë në një mekanizëm krejt tjetër, - tha ai.

Kule: Ligj problematik

Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Tiranës, njëherësh kryetar i Konferencës së Rektorëve, prof. dr. Dhori Kule, u shpreh se projektligji është problematik, duke arsyetuar një sërë problemesh që shkakton ai, sidomos për sa i përket autonomisë së universiteteve publike. Kule arsyetoi se projektligji i ri i vendos rektorët nën urdhrat e ministrave, duke thyer jo vetëm parimet e autonomisë, por edhe vetë Kushtetutën. Ai u shpreh kundër disa neneve të projektligjit, të cilat, sipas tij, cenojnë autonominë e universiteteve. Ndërkaq, shprehu shqetësim edhe për rikonvertimin e diplomave të vjetra, të cilat, sipas tij, thyejnë parimin juridik të moscenimit të së drejtës së përfituar.

Asnjë fjalë për MND-të

Megjithatë, duket se deputetët u përqendruan në tema pak të rëndësishme, si gjuha e huaj, duke anashkaluar probleme si rikonceptimi i diplomave të vjetra universitare dhe moskonvertimin në diplomë të masterit të nivelit të dytë. Sipas projektligjit, shkollat e vjetra pasuniversitare (SHPU-të) dhe masterat e nivelit të dytë, sipas projektligjit, nuk konvertohen në diploma, por thjesht në kredite për vitin e parë të doktoraturës. Në këtë mënyrë, një person që ka kryer gjashtë vite studimi (4 vjet me programet e vjetra dhe 2 vjet master të nivelit të dytë), nuk mund të vijojë doktoraturën. Kjo, pasi, sipas projektligjit, ai duhet të ketë master shkencor për të bërë diçka të tillë, diplomë në të cilën nuk konvertohet asnjë nga diplomat e tij. Në këtë mënyrë, mbajtësi i këtyre diplomave, që në sistemin e studimit përkthehet në 4+2, duhet të kryejë një vit master shkencor për të vijuar doktoraturën, të cilën madje e nis në vitin e dytë të saj, pasi masteri i nivelit të dytë i konvertohet realisht në vitin e parë të doktoraturës. Thënë ndryshe, ai ka kryer vitin e parë, të dytë, të tretë, të katërt (që i konvertohet diploma e vjetër katërvjeçare) dhe vitin e gjashtë (në të cilën i konvertohet MND-ja), por projektligji nuk i konverton asnjë nga diplomat në vitin e pestë të studimeve, që praktikisht është masteri shkencor. Kjo hallakatje pritet të sjellë debat mes universiteteve, studentëve, ministrisë, por edhe në Kuvend ku projektligji do të kalojë. Kjo temë nuk u rrok nga deputetët në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Edukimit, të cilët preferuan të përqendroheshin tek sa e rëndësishme është gjuha e huaj për të vijuar një program masteri në universitetet shqiptare.

Unaza

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›