QSUT përjashton epideminë gripale: Situata, e ngjashme me vitet e kaluara
Numri i pacientëve të vegjël, që kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Pediatrik të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë është rritur krahasuar me ditët e fillim vitit, por burime të zyrës së shtypit pranë Qendrës Spitalore në Tiranë thonë se nuk ka epidemi gripale.
"Edhe pse ka një rritje të lehtë të numrit të pacientëve të paraqitur pranë shërbimeve të QSUT-së, me simptoma të stinës, situata nuk konsiderohet epidemi gripale", bënë të ditur burimet zyrtare të Zyrës së Shtypit pranë QSUT-së. Sipas tyre, situata është e ngjashme me atë të viteve të mëparshme. Çdo ditë pranë spitalit pediatrik vijnë 200-230 fëmijë në ditë, ndërsa javë më parë ky numër ishte rreth 200. Sipas të dhënave zyrtare, pacientët e vegjël paraqiten me simptoma të stinës, kryesisht temperaturë, rrufë, etj. Një pjesë e tyre largohen pas marrjes së ndihmës së duhur mjekësore dhe këshillave përkatëse nga mjekët, ndërsa në rast të komplikacioneve, ata qëndrojnë 1- 2 ditë të shtruar në spital. Në shërbimin e kardiologjisë pranë QSUT-së, sipas të dhënave, paraqiten rreth 100-120 persona në ditë. Ndërsa, numri i pacientëve të paraqitur pranë shërbimit të infektivit arrin në rreth 100-120 në ditë. Për shmangien e problemeve shëndetësore, mjekët këshillojnë qytetarët të mbajnë ambientet brenda shtëpive në temperaturë konstante, prindërit të mos veshin fëmijët trashë, të konsumohen sa më shumë lëngje, si dhe të evitohen kontaktet me njerëzit e sëmurë me grip.
Email This Klikime: 2
Email This Klikime: 2