E Diel, 1 Nëntor 2026

Norman Gershman: Besa shqiptare unike në botë, ruajeni traditën

Ekspozita  Besa, shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë vijnë me foto në GKA
Shqiptarët që ndihmuan hebrenjtë vijnë me foto në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita fotografike "Besa, shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës e fotografit amerikan Norman H Gershman, u hap dje në GKA dhe sipas organizatorëve ajo është një model i tolerancës fetare në vendin tonë. Ekspozita përmban 70 fotografi në ngjyra bardhë e zi me portretet e pasardhësve të 35 familjeve shqiptare, që ndihmuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Puna e tij fotografike mund të konsiderohet më tepër si humaniste sesa si foto gazetareske. Në portretet e fotografuara prej tij vihet re depërtimi në shpirtin e njerëzve nëpërmjet kontaktit pamor. Nëpërmjet aparatit dhe aftësisë së tij për të sjellë subjektin në nivel shumë të afërt për shikuesit, ai bën që portretet e tij të dalin jashtë anonimatit dhe të kthejnë në kujtesën e shikueseve copëza të së kaluarës. Autori i ekspozitës Norman Gershman u shpreh se kishte ardhur në Shqipëri për disa vite me radhë për ekspozitën. Ndër të tjera ai theksoi se: Dhënia dhe mbajtja e besës është shumë unike për botën. Mesazhi im është:Mësojeni dhe ruajeni këtë traditë dhe bëjeni tuajën. Kjo quhet Besa.I pyetur se si vendosi që të hapte këtë ekspozitë fotografi Greshman u shpreh se: Para pesë vitesh, një fondacion që quhet Hebre, që është përgjegjës për dekorimet në Nju Jork dhe bën regjistrimet për ata që nuk janë hebrenj, por kanë shpëtuar hebrenj gjatë Holokaustit, ata më treguan se Shqipëria është një vend me mazhorancë myslimane dhe ne nuk jemi të interesuar, por ndërkohë që unë isha. Fillimisht jam prezantuar me shoqatën Izrael-Shqipëri, të cilët njihnin shumë njerëz dhe falë tyre u arrit që të ndërtohej ekspozita. Nga pyetja që bëhej se përse i shpëtuat hebrenjtë, mes përgjigjeve më shumë ishte: vetëm për besën, asgjë më shumë, u shpreh Gershman. Mes të tjerave ai theksoi se ishte bërë regjistrimi i një kulture të rëndësishme, ndërkohë që aktualisht ai po punon për realizimin e një filmi dokumentar. Në këtë ekspozitë kemi bërë vetëm një regjistrim të një kulture të rëndësishme, siç është kultura juaj për të ndihmuar njerëzit në nevojë.   Ndërkohë që po punoj dhe për një film për që bën fjalë për myslimanët që shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore, i cili pritet të dalë në muajt në vijim,u shpreh fotografi amerikan. E pranishme dje në konferencën e shtypit ishte dhe zv/shefja për Marrëdhëniet me Publikun në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leigh Reider, e cila u shpreh se: "Ambasada e SHBA vendosi të sponsorizojë hapjen e kësaj ekspozite sepse këto janë fotografi të shqiptarëve, të realizuara nga një amerikan dhe ky fakt është një tregues i vlerave që ndajnë dy vendet tona dhe së dyti, vlerat e paraqitura nga kjo ekspozitë shërbejnë si një model shumë i mirë i tolerancës fetare, të cilën brezi i ri i shqiptarëve duhet ta njohë dhe të jetë krenar për këtë virtyt të trashëguar në breza. Ajo çka fotografi amerikan do të përcjellë nëpërmjet kësaj ekspozite është se pavarësisht se Shqipëria është një vend më maxhorancë fetare myslimane, ata ishin të parët që u dhanë ndihmë hebrenjve. "Mesazhi i kësaj ekspozite është se myslimanët nuk duhet të shihen vetëm si terroristë, por ata shpëtojnë dhe jetë", tha ai. Norman H Gershman është një fotograf i arteve të bukura, i cili është përfaqësuar në ekspozita të ndryshme në gjithë botën. Kjo ekspozitë u hap fillimisht në vitin 2007 në Izrael, më pas në selinë e Kombeve të Bashkuara në janar të 2008 dhe tani po udhëton në të gjithë botën. Pas Tiranës ekspozita Besa,shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës do të udhëtojë dhe në qytetet e Durrësit dhe Beratit.

*************************************
Familja e Njazi Metafil Bicaku & i biri Njazi
Kur italianët kapitulluan në 1943 dhe erdhën gjermanët, babai im ishte vetëm 12 vjeç. Babi i tij, gjyshi kishte një dyqan në Tiranë. Gjyshi dhe babai udhëhoqën 26 hebrenjtë të tmerruar jashtë Tiranës. Ata udhëtuan 12 orë me kuaj drejt Fshatit Qarrishtë. Babi im ecte zbathur. Hebrenjtë ishin fshehur në një hangar në kodrat pranë fshatit. Ishin mjekë, dentist dhe profesionistë të tjerë, gratë dhe fëmijët e tyre. Ata e quanin babanë tim Baba zoti. Ata i strehuan hebrenjtë për dy vjet gjysmë. Pas disa kohësh njerëzit i patën frikë se gjermanët mund ti zbulonin të strehuarit, kështu që ata vendosën të largoheshin nga fshati së bashku me hebrenjtë e të shkonin të jetonin në mal me ta. Në vitin 1945, gjyshi dhe babi im i përcollën hebrenjtë deri në kufi dhe ata u larguan për në Jugosllavi, prej ku u nisën në vende të ndryshme në vitin 1960. Më pas i humbëm kontaktet me ta dhe pas luftës komunistët e burgosën gjyshin tim për tre vjet.
Elida Bicaku

************************
Familja e Hasan Kalasë
Kjo është shtëpia ku u strehua një çift hebrenjsh jugosllav, David dhe Freda Gabaj në vitin 1943-44. Unë isha 12 vjeç dhe i mësoja Davidit të fliste shqip dhe ai më mësonte serbisht. Davidi kishte qenë i pasur në Beograd, por ne nuk pranuam para prej tyre. Kishte raste kur situata bëhej e rrezikshme për shkak të patrullave gjermane. Ata qëndruan me ne për rreth gjashtë muaj dhe në fund të luftës u larguan në Angli. Pse strehuam hebrenjtë? Ne kishim shtëpinë më të madhe në fshat. Çdo fshatar do të kishte bërë të njëjtën gjë. Pas luftës ne i humbëm lidhjet me ata që kishim strehuar. Ne bëmë atë që do të kishte bërë çdo shqiptar. Ne jemi të gjithë qenie njerëzore.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›