E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat sociale, ndërtimi nis në muajin shkurt



Banka Evropiane Rajonale për Zhvillim dhe banka e Këshillit të Evropës i kanë dhënë një tjetër kredi Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e banesave sociale në kryeqytet. Janë rreth 6 milionë euro për fillimin e projektit dhe ndërtimin e 398 banesave sociale të para në vend. Burime pranë Bashkisë së Tiranës pohojnë se pas përfundimit të projektit, marrja e kësaj kredie hap rrugën për ndërtimin e banesave që në muajin shkurt.

Banesat

Mësohet se ndërtimi i këtyre banesave do të bëhet në ish-Uzinën e Fonder-Mek (Kombinati i Autotraktorëve). Pas miratimit, në 2008-n, nga Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës së lejes për ndërtimin e banesave sociale tashmë pritet që projekti të vihet në jetë gjatë këtij muaji.

Përmes këtyre banesave parashikohet ofrimi i një strehe për familje të madhësive të ndryshme dhe për këtë arsye brenda saj janë planifikuar apartamente të tipit garsonierë, 1+1, 2+1, si edhe 3+1. Banesa në fjalë parashikon të strehojë në çdo kat 16 familje të madhësive dhe përbërjeve të ndryshme. Çdo familje e pastrehë mund të kryejë aplikimin nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit me Qytetarët, pranë Bashkisë së Tiranës ose në njësitë bashkiake, ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet.

Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në bazën elektronike të të dhënave të drejtorisë. Nëpërmjet këtij sistemi, Bashkia e Tiranës mundëson lehtësimin për administrimin e kërkesave për strehim social dhe ofrimin e një shërbimi cilësor, sasior dhe të përpunuar qytetarëve të Tiranës, me anën e të cilit mund të menaxhojë në mënyrë të informatizuar programet e strehimit social gjatë gjithë procesit të tyre administrativ.

Kriteret

Bashkia e Tiranës ka vendosur disa kritere që duhen të plotësohen për tu klasifikuar për tu trajtuar me programet sociale të strehimit. Seleksionimi bëhet për çdo trevjeçar, ku disa objekte me destinacion tjetër do të kthehen, komplet ose pjesërisht, në banesa duke zbatuar projektet e duhura për transformimin e objekteve të sipërpërmendura, të cilat mund të jenë ndërtesa të vogla, të pajisura me kritere kursimi energjitik dhe kosto të ulta mirëmbajtjeje. Trevjeçari i parë (2007 – 2009) i programit do të përbëjë bazën nga e cila do të mund të arrihen objektivat e parë konkretë dhe do të projektohen objektivat afat mesëm (2010 – 2012) dhe afat gjatë (2013 – 2017).

Kriteret për të përfituar banesë sociale

a) Nuk kanë në pronësi një banesë

b) Zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje

c) Kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve

1) Familjet të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji nr. 7652 datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”

2) Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar

3) Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë

4) Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror

5) Individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare

6) Familjet me shumë fëmijë

7) Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç

8) Familjet që kanë ndryshuar vend banim për efekt punësimi

9) Individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.

Buxheti

Replika mes Dervishajt dhe Shalsit

Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, pas situatës së krijuar në mbledhjen e fundit të tij mbi projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2009, cilësoi në një prononcim se “këshilltarët duhet të reflektojnë për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe sa më parë të mblidhemi me një kulturë të ndryshme komunikimi”. Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, më 3 shkurt, kur votimi për projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës u shpall i pavlefshëm nga z. Dervishaj për shkak të anomalive të krijuara në sallë, dokumenti më i rëndësishëm financiar i kryeqytetit pritet të kalojë sërish në këtë procedurë në javët në vijim. Por kësaj here, z. Dervishaj kërkon nga këshilltarët një kulturë ndryshe komunikimi. "Ka ndodhur një anomali e pazakontë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, sepse nuk u respektuan procedurat dhe rregullorja e këshillit”, - tha dje z. Dervishaj, duke këmbëngulur se votimi i projektbuxhetit në atë mbledhje ishte i pavlefshëm.

Ndërkohë, reagoi edhe nënkryetari i bashkisë, z. Eduart Shalsi. Ai u shpreh: "Këshilltarët e forcave politike të PD-së dhe LSI-së janë duke mbajtur peng jo vetëm buxhetin e bashkisë, por edhe demokracinë vendore. Ata janë bërë bashkë për të penguar shumicën e Këshillit Bashkiak që votoi pro buxhetit të Bashkisë së Tiranës".

Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, deri tani, i rrëzuar dy herë me shumicë votash, nga këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së, u diskutua sërish në mbledhjen e 3 shkurtit dhe kaloi në votim. Në përfundim të këtij procesi kryebashkiaku Edi Rama, i pranishëm në sallë, numëroi vetë votat, duke deklaruar se “projektbuxheti u miratua me 29 vota, nga 53 këshilltarë që morën pjesë në votim”, ndërkohë që sërish përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së votuan kundër. Ata e konsideruan këtë projekt "jo transparent, jo të konsoliduar, të pamotivuar, me mangësi dhe jo të denjë për kryeqytetin". Për z. Dervishaj veprimi i z. Rama ishte shkelje e rregullores së Këshillit Bashkiak dhe pas anomalisë së krijuar në sallë, ai e shpalli votimin të pavlefshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›