QSUT, sigurohet heparina, rinisin operacionet te Kardiokirurgjia
Sigurohet përkohësisht heparina, medikamenti kryesor, pa të cilin nuk mund të realizohen dot ndërhyrjet kirurgjikale, mungesa e të cilit kishte pezulluar operacionet e zemrës te Kardiokirurgjia në spitalin “Nënë Tereza”. Kështu, pas tri javë pezullimi, për shkak të mungesës së heparinës, në klinikën e Kardiokirurgjisë në QSUT kanë rinisur dje operacionet. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), e cila njofton se ditën e enjte kanë rinisur operacionet në klinikën e Kardiokirurgjisë. Me ndihmën e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e mundur gjetja e heparinës, një prej medikamenteve kryesore për zhvillimin e këtyre lloj ndërhyrjeve, si dhe medikamente të tjera ndihmëse. Heparina e siguruar do të mundësojë kryerjen e të gjitha operacioneve kardiake për të paktën 3 javë, kohë e cila do të shfrytëzohet për të siguruar sasinë e këtij medikamenti që i nevojitet qendrës spitalore në vijim. Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Ali Refatllari, ka pohuar se gjatë ditës së djeshme është kryer një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, ndërkohë që përgjatë javës në vazhdim do të bëhet planifikimi i operacioneve sipas radhës. “Duke filluar nga dita e premte e në vazhdim, ne do të hartojmë listën e interventeve, si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët”, - ka nënvizuar Refatllari. Ndërsa drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, theksoi se “ky problem erdhi për shkak të mungesës së heparinës në tregun shqiptar, por edhe atë të rajonit. Ndërkohë që tenderi i këtij medikamenti është realizuar në gusht të vitit të kaluar dhe parashikon furnizim për një periudhë njëvjeçare”. Gjithsesi, për të mos pasur probleme të tjera, drejtoria e QSUT-së garanton se gjatë ditëve në vijim do të marrë të gjitha masat për të siguruar sasi të nevojshme të heparinës, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më. Prej tri javësh, në dy shërbime të rëndësishme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tek ai i Kardiokirurgjisë dhe i Urgjencës Kirurgjikale janë pezulluar ndërhyrjet kirurgjikale. Shkak për ndërprerjen e operacioneve është bërë mungesa e medikamenteve dhe rezervave të gjakut. Kështu, në shërbimin e Kardiokirurgjisë prej disa javësh janë kryer vetëm operacionet urgjente, pasi mungonte heparina, medikamenti bazë që nevojitet për ndërhyrjet në zemër. Për mungesën e këtij medikamenti ishte vënë në dijeni edhe drejtoria e QSUT-së, sipas së cilës janë marrë të gjitha masat për furnizimin me heparinë brenda javës që vjen. Përsa i përket mungesës së heparinës, drejtuesit e spitalit argumentojnë se distributorët farmaceutikë nuk e kanë sjellë atë në Shqipëri për shkak të rritjes së çmimit, gjatë muajve të fundit. Ndërkaq, QSUT ka kryer blerjen e 5 mijë heparinave në gusht të vitit 2010. Përveç shërbimit të Kardiokirurgjisë, probleme për kryerjen e operacioneve ka edhe në Urgjencën Kirurgjikale, pasi mungojnë rezervat e gjakut. Në këto kushte, vetë drejtuesit e këtij pavijoni gjenden në vështirësi para rasteve të ndërhyrjeve kirurgjikale, duke çuar deri në anulim apo shtyrje të operacioneve për shkak të mungesës së gjakut. Sipas shefit të Urgjencës Kirurgjikale, Ylli Ziçishti, në vendin tonë edukata për dhurimin e gjakut është shumë e ulët dhe përpara fillimit të një operacioni të planifikuar janë familjarët e pacientëve ata që dhurojnë gjak. Sipas tij, ndërgjegjësimi i njerëzve për të dhuruar gjak lind vetëm në rastet e tragjedive të mëdha. Por, me gjithë shqetësimin e ngritur nga shefat e shërbimeve dhe bluzat e bardha në QSUT për mungesën e medikamenteve, vetëm dy ditë më parë drejtori i spitalit “Nënë Tereza”, Saimir Ivzniku, deklaroi se ky problem do të zgjidhet në muajin maj, çka do të thotë se situata do të vazhdojë të mbetet e njëjtë, të paktën edhe për 3 muaj të tjerë.