HIV/AIDS miratohet vendimi për trajtimin e të prekurve
Miratohet vendimi për parandalimin e transmetimit të HIV/AIDS-it dhe për kujdesin, këshillimin dhe trajtimin e personave që jetojnë me HIV/AIDS në institucionet e arsimit, të riedukimit, institucionet e trajtimit mjekësor, institucionet rezidenciale të përkujdesit social, burgjet dhe vendet e paraburgimit. Sipas vendimit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, sigurohet: ofrimi në mënyrë të barabartë i programeve të parandalimit dhe të kujdesit për personat që jetojnë me HIV/AIDS, me ato për personat e painfektuar; konfidencialiteti, mosstigmatizimi e mosdiskriminimi i personave që jetojnë me statusin e HIV/AIDS-it; mospërjashtimi i personave që jetojnë me HIV/AIDS nga rrjeti i institucioneve të arsimit, institucionet e trajtimit mjekësor, institucionet rezidenciale të përkujdesit social, për shkak të statusit të tyre HIV/AIDS. Po ashtu, fëmijët e moshës parashkollore/nxënësit/studentët me HIV/AIDS kanë të drejtë të ndjekin institucionet arsimore përkatëse, për sa kohë janë të aftë ta vazhdojnë atë.