E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qajnë të bijën, akuzojnë mjekun

Mes lotësh, dhembjes dhe deklaratave për autorësinë e vdekjes së të bijës, të afërmit përcollën dje për në banesën e fundit 17-vjeçaren që humbi jetën pas operacionit të bajameve. Ende pa përgjigje

KORÇË - Ceremonia mortore për nder të 17-vjeçares Matilda Petriti, adoleshentes që humbi jetën tri ditë më parë si pasojë e një hemorragjie, përveçse me lot e dhimbje, u shoqërua dje me shumë polemika e hije dyshimi. Riti mortor ishte tejet i dhimbshëm për familjarët, të afërmit e për këdo që njihte adoleshenten, të cilët edhe pse në ditë zie, nuk i kursyen akuzat ndaj mjekut që operoi viktimën, Xhevahir Hoxhallarit. Ky i fundit sulmohet e akuzohet rëndë nga të afërmit e Matildës, të cilët i faturojnë atij vdekjen e së bijës, edhe pse nuk duan ta deklarojnë këtë publikisht. Para mediave ata vetëm kërkojnë zbatimin e ligjit, në momentin që vajza u “iku” nga duart padrejtësisht njëherë e përgjithmonë. Ndërkohë që kolegë të tij në Korçë e mbrojnë mjekun, duke treguar se viktima kishte që herët anomali individuale me enët e gjakut. Banorët e fshatit Libonik të Korçës, dhe të afërm të familjes Petriti bëjnë të ditur për gazetën, se adoleshentja ka lënguar për 20 ditë rresht nga një hemorragji, e cila herë-herë ndërpritej, për të filluar përsëri. Daja i vajzës, Luan Adili, është shprehur se “operacioni duhej bërë patjetër, pasi vajza kishte për shkak të bajameve të infektuara, shqetësime të vazhdueshme të shoqëruara me dhimbje fyti dhe me temperaturë”, tha Luan Adili, daja i 17-vjeçares që tani është nën dhe.

Nëndrejtori i spitalit civil në Korçë, mjeku Ilir Koroveshi, u shpreh se operacioni për heqjen e bajameve është teknikisht i thjeshtë, por shkaku që solli vdekjen është një anomali individuale e vajzës, që ka të bëjë me enët e gjakut. “Pjesa e enëve të gjakut të pacientes ka qenë problematike, në zonën që është kryer operacioni. Ishte pikërisht reaksioni i organizmit të pacientes pas operacionit, që ndikoi në zonën anomalike”, tha Koroveshi. Sipas tij, para operacioneve të bajameve, pacientëve nuk u bëhen analiza të enëve të gjakut, që mund të parandalonin çarjen e enëve. Nga burime pranë spitalit mësohet se tri ditë pas operacionit, Matilda është paraqitur në spital me një hemorragji të theksuar. Nga mjekët e këtij spitali është bërë ndërhyrja e nevojshme për të ndalur gjakrrjedhjen. Hera e fundit që 17-vjeçarja shkoi në spital, ishte një ditë para vdekjes së saj. Burimet spitalore tregojnë se ajo është paraqitur e shoqëruar edhe nga mjeku Hoxhallari, pasi ka pasur një hemorragji të theksuar. Sipas mjekut specialist, shefit të repartit të ORL-së në spitalin e Korçës, Maksi Lubonja, “vajza është paraqitur me hemorragji, gjë që pas ndërhyrjes së mjekëve në këtë spital është ndërprerë, ndërkohë që i është dhënë edhe gjak për të zëvendësuar humbjen e tij”. Sipas Lubonjës, shkak i vdekjes së Matildës ishte një shok hemorragjik. E ndërsa vajza është larguar përgjithmonë nga kjo jetë, ka mbetur akoma pezull përgjigja e pyetjes se kujt i faturohet humbja e një jete kaq të re.

Në “sitë” dokumentacioni i Hoxhallarit
Grupi i punës i ngritur me urdhër të ministrisë së Shëndetësisë për hetimin e rastit të vdekjes së Matilda Petritit, po verifikon të gjithë dokumentacionin e mjekut Xhevahir Hoxhallari, i cili kreu ndërhyrjen në klinikën private në Pogradec, si dhe po shqyrton kartelën e pacientes që humbi jetën tri ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Gjithashtu, pritet të përfundojë edhe ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që do të përcaktojë shkakun e vdekjes së vajzës dhe rrethanave të ngjarjes.

“Më vjen keq për vajzën, por nuk jam përgjegjës”

Edhe pse pati hemorragji, vajza u nxor nga klinika mjekësore fill pas operacionit

TIRANË - “Operacionin e kam kryer në mënyrë shumë profesionale dhe nuk kam bërë gabime”. I sigurt në dëshminë e tij, mjeku otorino-laringolog, Xhevahir Hoxhallari, mbrojti dje veten dhe stafin e mjekëve të tjerë, përpara grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e shkaqeve që çuan drejt vdekjes 17-vjeçaren Matilda Petriti. Burime zyrtare policore bëjnë me dije, se mjeku i akuzuar nga familjarët si përgjegjës për vdekjen e vajzës së tyre, gjatë deklarimeve të tij në polici, ka dhënë sqarime për shumë pyetje në lidhje me operacionin e bajameve, që ishte fatal për jetën e vajzës së re korçare. “Kam bërë një punë shumë profesionale dhe të përgjegjshme. Edhe impenjimi për përkujdesjen e vajzës ka qenë maksimal si nga ana ime, ashtu edhe nga mjekët e tjerë të spitalit francez”, shpjegoi Hoxhallari. Nga të tjera burime pranë grupit hetimor, bëhet e ditur se një ndër pikat kyçe gjatë marrjes në pyetje ishte edhe fakti se viktima është nxjerrë shumë shpejt pas kryerjes së operacionit. Doktori ka sqaruar se operacioni i bajameve ka shkuar shumë normalisht dhe se parametrat shëndetësore të 17-vjeçares kanë qenë brenda çdo norme. Sipas tij, hemorragjia nuk ka qenë e pakontrollueshme dhe problematike, por ka qenë një fenomen normal, që ndodh pas çdo ndërhyrjeje kirurgjikale. Hoxhallari tha, ashtu sikurse familjarët, se operacioni është kryer në fillim të muajit prill. Ndërkohë që shqetësimet kanë nisur të shfaqen vetëm 20 ditë më vonë. Pasi është marrë në pyetje për disa orë në ambientet e policisë së Tiranës, ai pohoi se ka ushtruar punën e tij si mjek, si në një ditë të zakonshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›