E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa fitoi Delijorgji nga ripaketimi

Dosja Gërdeci . Hetimet përqendrohet mbi përfitimet financiare që erdhën nga procesi i jashtëligjshëm

TIRANË - Përfitimet financiare që solli procesi i ripaketimit të fishekëve në Gërdec, mësohet se është sfida e re mbi të cilën është përqendruar një pjesë e mirë e hetimit. Pas administrimit të informacioneve për procesin e jashtëligjshëm që kryhej në Gërdec, krahas demontimit, të dhëna këto që u gjetën në bllokun e inventarit të fabrikës, prokuroria ka nisur nga puna për përllogaritjen e kostos financiare. Në shërbim të kësaj piste, një pjesë e grupit hetimor që po heton aferat e trafikut, ka nisur verifikimin e një sërë elementesh të tjerë ndihmës, të cilët mund të nxjerrin në pah gjithë mekanizmin e përdorur në këtë aferë. Burime pranë prokurorisë thanë se aktualisht po kryhen verifikime lidhur me përfitimet financiare që ka pasur firma e Delijorgjit nga paketimi i fishekëve, duke bërë diferencën mes kostos dhe fitimit. Sipas rregullave ndërkombëtare, rezulton ambalazhi është i barasvlershëm me 10 për qind të vlerës së çdo malli. Por në rastin e ripaketimit të municioneve në Gërdec, prokuroria dyshon se përfitimet financiare mund të jenë më të mëdha, po të shtohet këtu edhe rritja artificiale e çmimit nga 22 dollarë për 1000 fishekë në 40 dollarë nëpërmjet firmës fantazmë “Edvin LTD”. Në vërtetimin e kësaj piste, prokuroria ka nisur kërkimet në terren qoftë për dokumentacione, qoftë dhe për dëshmi të ndryshme, të cilat deri tani mësohet se kanë qenë të pakta. Një hap tjetër në shërbim të hetimit është dhe verifikimi i aktiviteteve prodhuese të ambalazheve, dhe më konkretisht vendi ku mund të jenë blerë letrat ripaketuese të fishekëve, për të bërë një përllogaritje mes shpenzimeve dhe fitimeve që ka sjellë riambalazhimi i municioneve, i cili sipas dëshmive të punëtorëve, ka filluar nga mesi i muajit korrik të vitit të shkuar. Për një rivlerësim dhe përllogaritje të saktë të diferencës mes municioneve që shkuan në Gërdec, atyre që u demontuan dhe fishekëve që iu nënshtruan ripaketimit, prokuroria pritet të marrë disa ekspertë. Burime nga grupi hetimor thanë se pas përfundimit të procesit të përllogaritjes, nga ku do të dalë edhe shifra e saktë e fishekëve që u ripaketuan, hetimi do të nxjerrë edhe përfitimet financiare që përfitoi Delijorgji nga ky proces i jashtëligjshëm. Ende nuk është saktësuar itinerari i plotë që bënin fishekët e ripaketuar në Gërdec, pasi nuk janë përcaktuar ende se cilat ishin mjetet e transportit që nxirrnin këto produkte jashtë fabrikës së vdekjes. Mësohet se prokuroria ka nisur verifikimet lidhur me transportin e produkteve të dala nga demontimi, si skrapi, baruti dhe predhat që janë shitur për llogari të Mihal Delijorgjit. Nuk ka të dhëna të sakta se me çfarë automjetesh mund të jetë kryer transporti, pasi nuk ekziston asnjë urdhër zyrtar për tërheqje municionesh apo mbetje demontimesh, çka nxit dyshimin e prokurorisë se një proces i tillë mund të jetë kryer nga automjete civile. Nëse vërtetohet se municionet që ripaketoheshin në Gërdec kishin si destinacion Afganistanin, ashtu siç ishte parashikuar në kontratën mes “Meico”-s dhe “AEY”-së, prokuroria do ta ketë më të thjeshtë të llogarisë përfitimet e Delijorgjit nga ripaketimi, pasi Kosta Trebicka e ka vërtetuar me dokumentacione që përfitonte 10 për qind të vlerës së shitjes së produktit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›