Të gjithë si Mediu

Teksa kazani parlamentar po zien nga meditimi i brendshëm nëse do t’i hiqet imuniteti ish-ministrit Mediu, në planet e afërta të Kuvendit të Shqipërisë, rikthehet si pa dashur një projektligj i vjetër për kufizimin e imunitetit të të gjithë deputetëve.
Projektligji i demokratëve “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale” mësohet se është bërë pjesë e kalendarit trejavor të Kuvendit, i cili u miratua të enjten e shkuar. Projektligji në fjalë i njehson deputetët me të gjithë qytetarët e zakonshëm në rastet e hetimit të tyre. Por debati lidhur me kërkesën e të djathtëve që prej ndërrimit të pushteteve, pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, ka qenë përherë i ashpër. Radhën e fundit, kur projektligji u dërgua nga demokratët në Komisionin e Ligjeve, opozita as që mori pjesë fare. Atëherë ishte republikani Arian Madhi, ai që u kërkoi demokratëve ta shtynin për ca kohë shqyrtimin e projektligjit, pasi rëndësia e tij donte detyrimisht edhe konsensusin e opozitës.
Projektligji
Kufizimi i imunitetit kërkon t’i japë mundësi hetimit të deputetëve për vepra penale që lidhen me vjedhjen, shpërdorimin e detyrës, korrupsionit dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tenderë. Sipas propozimit të mazhorancës, ndjekja penale ndaj deputetëve mund të nisë 72 orë pasi të jetë vënë në dijeni kryetari i Kuvendit, si dhe deputeti që do të hetohet. Deputetët që mund të vihen nën hetim, kanë mundësi të ankohen në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatin, që vendos nëse kërkesa e kryeprokurorit është e drejtë apo jo. Por, ndryshe nga sa përcaktohet në rregulloren aktuale, që këshilli vetëm sa paraqiste një raport që votohen më pas në Kuvend, tashmë ai ka kompetencat për ta kthyer mbrapsht kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, çka kundërshtohet nga opozita.
Opozita kundër
Që prej herës së parë, kur mazhoranca propozoi heqjen e mandatit të të gjithë deputetëve, opozita kundërshtoi, duke thënë se në këtë rast do të duhej të ndryshohej Kushtetuta. Më pas, në shtator të vitit 2007 u paraqit në Kuvend propozimi që do të shqyrtohet gjatë këtyre tri javëve. Opozita e kundërshtoi projektligjin, duke theksuar se në vend që të thjeshtonte procedurat, ai i ndërlikonte ato më shumë, e nëse ishte ky vullnet nga mazhoranca, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetua. Më pas do të binte në sy edhe fakti, nëse votimi në Kuvend i kërkesës për heqjen ose jo të imunitetit do të kalonte në votimin e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatin. Gjithsesi, për të treguar gatishmërinë e transparencës së tyre, deputetët e PS-së firmosën një draft, ku shprehnin gatishmërinë për t’u hetuar kurdoherë që prokuroria ta kërkonte. Ndërkaq, një opsion që u fol atëherë, por që nuk u zyrtarizua, ishte një projektligj i përbashkët PS-LSI, ku do të kërkohej që mandati t’u hiqej vetëm ministrave. Sipas disa aktorëve të majtë, heqja e imunitetit mund edhe të përdorej abuzivisht nga mazhoranca në pushtet e për më tepër, deputetët që nuk kanë lidhje me shpërdorim fondesh apo korrupsion, sikurse anëtarët e kabinetit qeveritar. Megjithatë, debati duket se do të rifillojë sërish. Për t’u vënë re është fakti, që projektligji vjen sërish për shqyrtim, në rastin e kërkesës për heqjen e imunitetit të një deputeti nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërsa Ina Rama ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për zhveshjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, shfaqet propozimi i bërë në shtator të 2007-ës, kohë kur kërkohej heqja e imunitetit të Lulzim Bashës. Heqja e imunitetit sipas disa aktorëve të politikës, është një nga 209 rekomandimet e Këshillit të Evropës. saqellari@korrieri.com
Votimi kalon nga Kuvendi, në Këshillin e Mandateve
Diku nga tetori i vitit të shkuar, rreth një muaj pasi mazhoranca kishte dorëzuar projektligjin e ri, ndër të tjera ra në sy një nen, që sipas opozitës ishte vendosur me dinakëri nga demokratët. Në projektligj jo për të gjithë deputetët, ku automatikisht kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit hidhet në votë në seancë, sikurse përcaktohet aktualisht. Ndryshe nga rregullorja aktuale, ku këshilli thjesht përgatit një raport që votohet më pas në seancë, në projektligjin e ri ky organizëm ka të drejtë të hedhë poshtë menjëherë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme. Në propozimin e mazhorancës, neni 3, ku parashikohet e drejta e ankimimit në këtë këshill, thuhet se deputeti ndaj të cilit fillon ndjekja penale, ka të drejtë të kundërshtojë fillimin e ndjekjes si të pambështetur në ligj. Në pikën 2 të këtij neni thuhet: Këshilli shqyrton kërkesën dhe me vendim të arsyetuar për ligjshmërinë e fillimit të ndjekjes penale, vendos pranimin ose rrëzimin e kërkesës së deputetit. Në rast se këshilli vendos pranimin e kërkesës, atëherë ai njofton menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm dhe urdhëron mosfillimin e ndjekjes penale. Ky Këshill sipas të majtëve, mund të kontrollohet më lehtë nga mazhoranca. Kjo sipas tyre, do të mundësonte që Këshilli të shmangte heqjen e imunitetit për një deputet të PD-së, e në të kundërt, pa të drejtë, të mund të miratojë heqjen e imunitetit për ndonjë deputet tjetër, të majtë apo ndonjë partie të papëlqyer brenda koalicionit qeverisës. Rregullorja e Kuvendit parashikon se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga kryetari i Kuvendit, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Këshilli kryesohet nga kryetari i Kuvendit. Por sipas burimeve, kryeministri mund të arrijë më shpejt kompromise e pazare me forca politike, për të bërë të mundur shumicën në këtë komision, të cilën sipas tyre, mazhoranca e ka prej kohësh. Aktualisht, rregullorja nuk i jep kompetenca këshillit të marrë vendim, por thjesht të hartojë një raport nëse deputeti bënte ankimim. Pika 3 e nenit 118 të Rregullores së Kuvendit aktualisht thotë: “Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli brenda 4 javësh harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve”. Më pas, në pikën 4 thuhet se Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet apo rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Pra, ndërsa në Rregulloren aktuale Këshilli thjesht bën raportin, që më pas votohet në seancë, në propozimin e PD-së nuk vendos më vota e deputetëve, por vetë Këshilli ka të drejtë të urdhërojë, madje edhe prokurorinë, që të mos fillojë hetimet.
Propozimi i PD-së
Neni 3, pika 2
“Këshilli shqyrton kërkesën dhe me vendim të arsyetuar për ligjshmërinë e fillimit të ndjekjes penale, vendos pranimin ose rrëzimin e kërkesës së deputetit. Në rast se Këshilli vendos pranimin e kërkesës, atëherë ai njofton menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm dhe urdhëron mosfillimin e ndjekjes penale”.
Rregullorja në fuqi
Neni 118
Heqja e imunitetit të deputetit
3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli brenda 4 javësh harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
4. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.