E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku Gjirokastër me dy sekretarë

Këshilli i Qarkut Gjirokastër ka prej së premtes dy sekretarë; njëri që e mban këtë post prej vitit 2007 dhe tjetri i zgjedhur vetëm nga këshilltarët e majtë një ditë më parë. Ndërkaq, çështja është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe punonjësit e këtij institucioni prej gati 4 muajsh vazhdojnë të jenë pa paga. Në mbledhjen e parë, pas vendimit të

Gjykatës së Apelit, e cila u zhvillua pa praninë e këshilltarëve të djathtë, të majtët diskutuan për riorganizimin e strukturës së Këshillit të Qarkut në varësi të buxhetit dhe nevojave si dhe zgjodhën të vetmen kandidaturë të propozuar për postin e sekretarit të këtij institucioni, Kristaq Lengo, që përfaqëson Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut.

Por, sekretarja aktuale Marjeta Spiri është shprehur se mbledhja dhe vendimet e saj janë të paligjshme, pasi në kushtet kur Këshilli i Qarkut është në proces gjyqësor, nuk mund të thirret mbledhja me këshilltarët. “Mandati i kryetarit Sulo Muçobega është i paligjshëm dhe si i tillë ky i fundit nuk ka të drejtë vote dhe as organizimi. Për shkakun e tij prej disa muajsh punonjësit e Këshillit të Qarkut nuk janë paguar”, shprehet Spiri.

Ndërkaq, ditën e hënë në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit Gjyqësor Gjirokastër do të zhvillohet seanca e dytë në procesin gjyqësor që Institucioni i Prefektit ka hapur në ngarkim të Këshillit të Qarkut.

Në datën 20 shtator u zhvillua mbledhja e konstituimit të këtij institucioni, por prefektja, Mimoza Çomo i ktheu mbrapsht të gjitha vendimet, me argumentin se ka gjetur në to shkelje ligjore, por edhe gabime teknike. Gjithçka lidhej me faktin se kryetari i zgjedhur, Sulo Muçobega ka qenë i punësuar në administratën e Këshillit të Qarkut, deri në momentin e zgjedhjes së tij.

Entela Bani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›