Topalli: Tolerancë zero ndaj çdo forme të dhunës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë sot në Konferencën “Dhuna në familje është krim! Familja pa dhunë-shoqëri në paqe!”, e cila zhvilloi punimet e saj në Tiranë. Duke vlerësuar hapat që po ndërmerren për nënshkrimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, Kryetarja e Kuvendit garantoi personalisht se sapo kjo Konventë të jetë në tavolinën e saj të punës, do të ratifikohet dhe miratohet menjëherë.
Topalli gjatë fjalës së mbajtur u shpreh: “Ka shumë motive, arsye, objektiva që na shtyjnë, na nxisin, na detyrojnë të bëjmë kauzën tonën: të parandalojmë dhe të luftojmë kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje. Por çfarë e bën më të ngutshme, më shtrënguese, më të domosdoshme, më imperativë këtë kauzë, është sepse duhet të shpëtojmë jetën e shumë grave që gjenden ne një rrezik serioz si objekt apo viktima abuzimi apo vrasjeje sa nuk është më vonë”.
Topalli i shpreh se pothuaj çdo ditë ndeshemi me një akt dhune. “Dhuna në familje është forma më e përhapur e abuzimit të gruas në gjithë botën, pavarësisht rajonit, kulturës, etnisë, edukimit, klasës dhe fesë. E vërteta është se nuk mund të ketë një barazi reale ndërmjet burrit dhe gruas nëse dhuna e çfarë do lloji vazhdon. Dhe e vërteta është se nuk mund të ketë shfajësim për këtë abuzim, ne nuk mund të injorojmë apo të tolerojmë asnjë formë dhune kundër gruas, po ashtu, duhet të jetë një tolerancë zero për dhunën kundër gruas”.
Kjo sipas Kryetares së Kuvendit mund të arrihet duke pasur instrumentet funksionues për ndryshim, të tillë që të bëjë tolerancën zero një realitet për qindra dhe mijëra gra që dhunohen. “Shtetet duhet të penalizojnë dhe të procedojnë aktet e dhunës kundër gruas akte që shumë shpesh nuk ndëshkohen.
Kjo duhet të shkojë dorë më dorë me veprimtarinë parandaluese që synon të ndryshojë mentalitetet: fushatat sensibilizuese apo përgatitjen e trajnimit adekuat material. Duhen përdorur instrumentet e nevojshëm që qeveritë, shoqëria civile të marrë përsipër përgjegjësitë. Çdo grua dhe vajzë ka të drejtën të jetojë në një mjedis të lirë nga frika, të lirë nga kërcënimet, të lirë nga rreziku i abuzimit, të lirë nga dhuna”, ka përfunduar Topalli.