E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarku i Lezhës, këtë javë Kolegji Zgjedhor shqyrton tre ankimime

TIRANE- Shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit ende nuk mund të përcaktohet, për shkak të ankimimeve të partive politike në Kolegjin Zgjedhor.

Edhe këtë javë trupa gjyqësore pranë Gjykatës së Apelit pritet të japë vendimin për tre kërkesë-padi për qarkun e Lezhës, më problematiku i këtyre zgjedhjeve. Partia Socialiste kërkon pavlefshmëri në 6 qendra votimi, Partia Demokratike rinumërimin e 14 QV-ve, ndërsa Partia Popullore Kristian Demokrate e Shqipërisë kërkon pavlefshmëri në të gjitha qarqet, mes tyre edhe në Lezhë.

Dy ankesat e para, ajo e PS-së dhe PD-së, do të shqyrtohen më 31 korrik, ndërsa e PPKD më 30 korrik. Por, për shkak se ankimimi është për të njëjtin qark, pritet bashkimi i çështjeve dhe shqyrtimi i tyre mund të afrohet të martën (30 korrik).

Mes tre kërkesave, më me interes pritet ajo e PS-së që kërkon pavlefshmëri në 6 QV-të në Lezhë, ku konstatohet cënim i procesit zgjedhor, gjë që çon në ripërsëritjen e procesit në këtë qark.

Sipas vendimit të KQZ-së të 10 korrikut mandatet e qarkut Lezhë u ndanë: 4 për koalicionin e djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim" dhe tre për koalicionin e majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane".

Aktualisht, në rang kombëtar 83 mandate i ka koalicioni i majtë, i drejtuar nga Partia Socialiste, ndërsa 57 të tjera koalicioni i djathtë i drejtuar nga Partia Demokratike.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›