E Diel, 1 Nëntor 2026

Thikë pas qafe të riut, nëna e të plagosurit: Ndaloi një hajdut

TIRANE - Një konflikt i vjetër mes dy të rinjve në kryeqytet, ditën e djeshme mund të kishte përfunduar edhe në një tragjedi. Në orët e para të ditës së diel, pranë zonës së njohur si “9-katëshet” ka mbetur i plagosur një 24-vjeçar, i cili, pas thikës që ka marrë në qafë, është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që mësohet se autori i krimit është vënë në pranga pak minuta pas ngjarjes.

Ngjarja
Paraditen e djeshme, në zonën pranë Prokurorisë së Tiranës, ka mbetur i plagosur 24-vjeçari Jurfjon Suparaku. Sipas policisë, ai ka qenë duke pirë kafe me shokët e tij në zonën pranë 9-katësheve, ndërkohë që e ka thirrur dikush jashtë. Burime policore bëjnë me dije se, në momentin që 24-vjeçari ka dalë jashtë, ai është ndeshur me autorin e krimit, 25-vjeçarin Indrit Zebi. Dy të rinjtë kanë pasur njohje të mëparshme dhe nuk ishte hera e parë që konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Forcat blu bëjnë me dije se gjithçka ka nisur para 3-4 muajsh, kur dy djemtë kanë nisur konfliktet mes tyre për ish-të dashurën e autorit të krimit. Burime nga policia pohojnë se, pasi 25-vjeçari Indrit Zebi është ndarë nga e dashura e tij, kjo e fundit ishte parë disa herë nën shoqërinë e 24-vjeçarit Jurfjon Suparaku. Mësohet se pikërisht kjo gjë ka shkaktuar edhe zënkën mes dy të rinjve. Pas ndarjes nga e dashura, Zebi nuk e ka pranuar dot faktin që ish-e dashura e tij të shoqërohej me Suparakun dhe kjo ka sjellë konfliktet e herëpashershme mes tyre. Mësohet nga burime të forcave blu, se para disa muajsh, të rinjtë janë zënë me njëri-tjetrin dhe Suparaku e ka rrahur autorin e ngjarjes. Policia sqaron se pas kësaj, Zebi nuk i është ndarë për asnjë moment 24-vjeçarit Suparaku, derisa ditën e djeshme ka mundur që ta gjejë në një nga kafet e kryeqytetit dhe e ka plagosur në qafë me thikë. Pas kësaj, 24-vjeçari është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku pas një ndërhyrjeje kirurgjikale ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Reagimet
Ndërkohë që policia lidhur me ngjarjen e djeshme ka pohuar se konfliktet mes dy të rinjve kanë nisur për shkak të një femre, familjarët e 24-vjeçarit të shtruar në Spitalin Ushtarak nuk e pohojnë një gjë të tillë. Vetëm pak minuta pas daljes së Jurfjon Suparakut nga salla e operacionit, nëna e tij, Tasha pohon se sherri mes të rinjve nuk ka lidhje as me ndonjë çështje parash dhe as me ndonjë femër. “Pse nuk vdes kur jam këtu... Djali im nuk ka lidhje me asnjë sherr për femra apo për para. Unë isha në kafe dhe e lashë në gjumë. E pashë në televizor se çfarë kishte ndodhur”, - pohon nëna e 24-vjeçarit. Ajo jep tjetër motiv për shkakun e konfliktit. “Djali im ka qenë duke pirë kafe aty rrotull dhe ka parë që ky autori ka dashur të grabisë një grua në rrugë, ka dashur që t’i marrë asaj varësen. Në këto momente, djali është ngritur nga kafja dhe ka shkuar është përleshur me autorin, i cili e ka plagosur me thikë në qafë”, - pohon nëna e Jurfjon Suparakut. Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›