Qarkullimi në Tiranë, akset më problematike
Tiranën mund ta quajmë edhe kryeqytet të aksidenteve. Viti 2011 është i mbushur plot me shifra të makinave të përplasur dhe vetëm Tirana ka pasur 248 të tilla. Përplasje fatale me të vdekur dhe të plagosur rëndë kanë zënë shpesh edhe kronikën e parë në edicionet e lajmeve, por edhe në faqet e para të gazetave. Është koha të bëjmë sërish bilancin e një viti në një fillimviti tjetër. Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, prodhon gjithmonë shifra të rënda. Aksidentet, incidentet, mbytjet, zëniet nga korrenti apo humbja e gjithëllojshme e jetës nga pakujdesia përbën numrin e lartë dhe të frikshëm. Rastet nuk mungojnë dhe gjithnjë lindin pyetje: përse ecën në rrugë me një automjet që nuk është në gjendje të mirë teknike? Si mundet një këmbësor të kalojë superstradën mespërmes kur automjetet ecin me shpejtësi të lartë? Dhe shumë përse të tjera që ngrihen pas çdo vdekjeje aksidentale. Pakujdesi dhe neglizhencë, kjo duket sikur është baza e ndodhjes së gjithë këtyre problemeve që kemi me makinat, me rrugët dhe me këmbësorët.
Psikologët e sociologët vijojnë të shprehen për të gjitha këto. Edhe pse nuk kanë botime të mirëfillta shkencore, përsëri konsiderohemi si tipa të rrëmbyeshëm, pasionantë dhe shpeshherë me guxim të tepruar. Specialisti i aksidenteve, Ahmet Meshi, tregon se një nga shkaqet që shpesh bëhen aksidente është edhe mungesa e kulturës individuale dhe respekti për jetën.
Tirana
Kryeqyteti ynë sdo të quhej i tillë nëse sdo të kryesonte në çdo gjë. Ahmet Meshi, shef i hetimit të aksidenteve rrugore të Njësisë së Qarkullimit në Kryeqytet, pohon se gjatë vitit të kaluar në Tiranë kanë ndodhur 248 aksidente. Gjatë këtyre përplasjeve kanë gjetur vdekjen 17 persona dhe ka pasur 22 të plagosur rëndë. Fakti i mirë është se ka 35 aksidente më pak krahasuar me vitin 2010. Ajo që mësohet më tej nga biseda me të është se 70 përqind e këtyre aksidenteve shkaktohen nga drejtuesit e mjeteve dhe 30 përqind shkaktohen nga këmbësorët, të cilët rezulton se kanë një kulturë të ulët të të ecurit dhe respektimit të rregullave të qarkullimit. Meshi pohon se pjesa më ë madhe e aksidenteve shkaktohen nga të rinjtë, të cilët kanë dëshirë dhe tendencë ti shkelin këto rregulla.
Të rinjtë
Si nga studimet sociologjike, ashtu dhe nga specialistët e qarkullimit rrugor, ata që janë më të predispozuar për të ndërmarrë rreziqe të tilla janë moshat e reja. Meshi pohon se në pjesën më të madhe të vendngjarjeve ku ai ka kryer ekspertizën, ka rezultuar se të rinjtë janë ata që rrëmbehen nga shpejtësia dhe adrenalina që ajo përçon. Ndërsa kategoria e dytë është aksidente nga pakujdesia e shoferit, që nënkupton shpesh mungesë të profesionalizmit. Rezulton se patentat shpesh nuk janë marrë në përputhje me rregullat dhe kualifikimit që duhet të kalojë një drejtues automjeti. Ndërsa për dikë kjo mund të shihet si përparësi, në fakt një gjë e tillë bën që një pjesë e konsiderueshme e drejtuesve të mos i njohin në të vërtetë tabelat në rrugë dhe si rrjedhojë të mos i respektojnë ato, që çon më pas edhe në aksidente. Kategoria tjetër e aksidenteve është ajo për shkak të mungesës së sinjalistikës apo mosfunksionimit të semaforëve. Kjo bën që në kryqëzimet tona të ketë shpesh policë të qarkullimit rrugor të cilët bëjnë të mundur rregullimin e trafikut në mënyrë individuale.
Psikologjia
Sipas studimeve, mendohet se njerëzit që ndërmarrin sjellje riskuese nuk e kuptojnë thellë rrezikun real në të cilin ata ndodhen. Në aspektin psikologjik, argumentohet se zakonisht njerëzit të cilët nuk mendojnë shumë për të ardhmen, janë ata të cilët përfshihen më tepër në sjellje të tilla. Humbja e kontrollit apo impulsiviteti i çon ata shpeshherë të mos mendojnë shumë për riskun që ndërmarrin.
Një tjetër fenomen që na karakterizon është edhe krenaria e tepruar ose sedra joefektive. Ndër të rinjtë sidmos ndodh që pavarësisht se mund të kenë fobi apo nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, të ndërmarrin veprime ekstreme që të mos shkëputen nga shoqëria. Mohimi për diçka që kryhet nga shoqëria, luan rol në sedrën e tyre. E vërteta është se shkaktare për aksidentet e shumta nuk janë vetëm rrugët jashtë standardeve, por edhe kultura individuale e personave që i përdorin, qofshin drejtues mjetesh apo kalimtarë. Dhe duket se masa më e mirë për të shmangur tragjeditë, është respekti për jetën.
Lajmet e fundit të fillimvitit
Çdo fund e fillimviti, ndërsa dikush është në shtëpi duke festuar, dikush tjetër është aksidentuar. Nuk ka ndodhur asnjëherë që gjatë festave të mos ketë të plagosur e të vdekur nga aksidentet rrugore. Kjo për disa arsye: konsumi pa kriter i alkoolit, emigrantët e ardhur nga jashtë, por edhe lëvizjet e shumta të njerëzve. Bulevardi i Tiranës përgjaket kryesisht në orët e para të mëngjesit, ku Shumakerat e fillimvitit nuk ngurrojnë të bëjnë gara në atë pistë që të ngjan si bosh, por që nën efektin e alkoolit apo të ndonjë malli tjetër, timoni ndërron drejtim. Këtë vit patëm lajme të mira: Tirana nuk ka pasur aksidente fatale.
Këmbësorët dhe semafori
Duhet pasur parasysh se sipas Kodit Rrugor, këmbësori ka përparësi në raste kur ka vija të bardha. Ndërsa në kryqëzimet me semaforë, qarkullimi rregullohet nga semafori. Në rast se në një kryqëzim ndodhet polici i qarkullimit rrugor, atëherë semafori nuk merret parasysh dhe është polici ai që rregullon qarkullimin në kryqëzim. Ambulancat, zjarrfikëset dhe mjetet e policisë në detyrë janë të vetmet që kanë përparësi dhe mund të kalojnë semaforin edhe kur është me dritë të kuqe
Vullnet Topalli: Policë shtesë në rrugë për fesat
Nga data 24 dhjetor – 3 janar policia rrugore ka qenë në gatishmëri të plotë për të shmangur aksidentet rrugore e për të mbajtur nën kontroll drejtuesit e automjeteve. Në ditët e para të festave drejtori i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, pohoi se gjatë festave policia rrugore hartoi një plan masash për të mbajtur nën kontroll problematikat që do të haseshin gjatë këtyre ditëve. “Policia rrugore ka hartuar dhe vënë në zbatim një plan masash, për të pasur një siguri sa me të lartë në akset rrugore, për të pasur një trafik sa më të lehtë si dhe për të parandaluar ngjarjet aksidentale, që jo rrallë herë kanë qenë me pasoja fatale, masa këto që mbështeten edhe në urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në akset rrugore Drejtoria e Policisë Rrugore ka ofruar një numër shtesë të efektivave të saj në mënyrë që të ketë në monitorim të vazhdueshëm trafikun, si dhe të parandalojë sa më shume të jetë e mundur aksidentet rrugore, pohoi Topalli, ndërsa paralajmëroi masa të ashpra për drejtuesit e mjeteve që shkelin normat e qarkullimit, në veçanti për shkelje të tilla, si: përdorim të pijeve alkoolike apo ecje me shpejtësi tej normave të lejuara.
Këshilla
Evitoni përdorimin e pijeve alkoolike para dhe gjatë udhëtimit. Alkooli dhe droga përbëjnë arratisje nga realiteti dhe jeta.
Shpejtësia nuk është mit. Respektoni kufijtë e lejuar të shpejtësisë dhe modifikoni shpejtësinë në funksion të rrugës, trafikut, kushteve atmosferike dhe shikueshmërisë në rrugë.
Përdorni gjithmonë kaskën mbrojtëse gjatë drejtimit të mjeteve me dy rrota.
Zbatoni rregullat për sinjalizimin pamor, mos e verboni kurrë me drita atë që parakalon apo që vjen përballë jush.
Tregoni kujdes maksimal gjatë kryerjes së parakalimeve të mjeteve.
Respektoni distancën e sigurisë mes mjeteve, për të shmangur goditjen.
Kufizoni përdorimin e telefonit c
