Qato mposht edhe Spitkon, fitorja e 17-të radhazi
Kreshnik Qato, kampioni i botës në versionin WBF, ka regjistruar fitoren e 17-të radhazi në ringun profesionist. Në këtë mënyrë, durrsaku vazhdon ecurinë pozitive, duke mos njohur humbje në vitet e fundit. Të dielën, në “York Hall” të Londrës, boksieri shqiptar mposhti sfidantin letonez, Alex Spitko. Kjo sfidë kishte më tepër karakter përgatitor, në prag të duelit që Qato ka programuar më 1 maj në Tiranë, ku do të mbrojë brezin e kampionit përpara publikut shqiptar. Emri i kundërshtarit të ardhshëm të boksierit 31-vjeçar ende nuk është bërë publik, por ai mendohet se do të jetë Gojko Knezeviç. Serbi me banim në Austri, që regjistron 17 fitore (8 KO-s), 2 barazime dhe 1 humbje, nuk është i panjohur për kampionin kuqezi. Në të kaluarën, Qato kishte programuar një ndeshje me Knezeviç, por ky i fundit ishte tërhequr vetëm pak orë përpara duelit. Në maj, Qato do të mbrojë për herë të katër titullin WBF, edhe pse këtë herë nuk do të bëhet fjalë për mbrojtjen e brezit World Boxing Fundation, por për atë të World Boxing Federation, pas riorganizimit të federatës.
#