E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqiri dhe Teli, humbje që mund tu kushtojnë titullin

Azerbajxhan

Fundjavë e hidhur për dy futbollistët shqiptarë që militojnë në Premierligën e Azerbajxhanit. Skuadra e Kazar Lenkoran ku militon Elvin Beqiri ka humbur 1-0 në fushën e kryesuesve të kampionatit, Inter Baku. Mbrojtësi shkodran është aktivizuar si titullar në radhët e “çelsit kaukazian”, ndërsa ka qëndruar në fushë gjatë gjithë sfidës. Edhe shkodrani tjetër, Admir Teli ka luajtur gjatë gjithë 90-minutëshit, në sfidën ku skuadra e tij, Karabak, u mposht me rezultatin 3-1 në fushën e Kabalasë. 28-vjeçari u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Humbjet e pësuara i kanë ulur shanset e ekipeve ku luajnë Beqiri dhe Teli për të fituar titullin kampion. Aktualisht në Azerbajxhan po luhen ndeshjet “play-off” dhe “play-out”, ndërsa Inter Baku kryeson në kuotën e 53 pikëve. Kazar i Beqirit renditet i dyti, me 47 pikë, ndërsa Karabak e Telit ndodhet në vendin e tretë me 42 pikë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›