Qëllohet me armë djali i biznesmenit të ndërtimeve
LEZHË/ Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti banal, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë hakmarrjeje
LEZHË - Qëllohet me armë në afërsi të banesës së tij 18-vjeçari Frajl Curri, djalë i një biznesmeni ndërtimesh. Burime nga policia bëjnë të ditur se janë identifikuar të dy personat që qëlluan në drejtim të adoleshentit, por emrat e tyre nuk janë publikuar për të mos penguar në hetimin e ngjarjes dhe në vënien e autorëve në pranga.
Mësohet se janë disa pista të ngritura lidhur me ngjarjen e ndodhur, ku nuk përjashtohen edhe ndonjë hakmarrje ndaj babait të 18-vjeçarit, i cili merret me ndërtime në qytetin e Lezhës, si dhe zotëron disa prona.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur pasditen e së hënës, rreth orës 16:00. Frajl Curri, 18 vjeç, ka qenë në afërsi të banesës së tij ndërkohë që është qëlluar me armë në drejtim të tij. Fatmirësisht asnjë nga plumbat nuk e ka kapur të riun, ndërkohë që në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë.
Burime që nuk duan të identifikohen shprehen se në vendngjarje kanë qenë disa dëshmitarë okularë, të cilët kanë mundur të japin detaje lidhur me personat që kanë shkrepur armën në drejtim të djalit të biznesmenit të ndërtimit në qytetin e Lezhës.
Ata janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, duke bërë të mundur që identifikimi i autorëve të bëhet vetëm disa orë më pas, si dhe të përcaktohet saktë numri i atyre që morën pjesë në këtë krim.
Hetimi
Ndërkohë, pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve, si dhe të vetë të riut, mësohet se një ndër pistat që po heton policia është ajo e një grindjeje për një konflikt banal mes 18-vjeçarit dhe personave të tjerë. Dyshohet se konflikti ka nisur për çështje makinash (Frajl Curri mësohet se e zotëronte një të tillë).
Por nga ana tjetër, burime jozyrtare shprehen se tentativa për vrasjen e 18-vjeçarit mund të jetë edhe një kërcënim për babanë e tij, Pashk Curri, i cili është një biznesmen i njohur në qytetin e Lezhës dhe që merret me ndërtime. Mësohet se për shkak të ndërtimeve të kryera, ai mund të ketë krijuar konflikte pronësie.
Ai zotëron edhe një mobileri në qytetin e Lezhës, një lokal etj. Pashk Curri zotëronte edhe një kompleks në Shëngjin, të cilin e kishte në bashkëpronësi dhe që u dogj në 31 tetor të vitit të kaluar. Nga sa u deklarua djegia e lokalit ishte për shkak të një shkëndije elektrike si pasojë e luhatjes së tensionit. Tashmë për tentativën për vrasje të 18-vjeçarit kanë filluar hetimet.
Nga ana e zëdhënëses së policisë, Elona Nika, u deklarua vetëm se autorët do të jenë së shpejti në pranga, ndërkohë që nuk jepen informacione të tjera lidhur me ngjarjen.