Qëlloi me armë zjarri në fshatin Grudë e Re, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar

Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 27-vjeçar, i cili dyshohet se qëlloi me armë zjarri, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në drejtim të një marketi në fshatin Grudë e Re. Personi i shpallur në kërkim është banor i këtij fshati.
Pas identifikimit, policia bëri të ditur se po vijon kontrollin e zonës, me qëllim kapjen e 27-vjeçarit.
“Rreth orës 02:45 të mëngjesit të sotëm, shtetasi T. M. ka njoftuar sallën operative të DVP Shkodër se ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të marketit të tij, gjatë kohës që ky biznes ka qenë mbyllur. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, një grup i posaçëm hetimor ka mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e plotë të këtij rasti. Falë veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi L. L., 27 vjeç banues në fshatin “Grudë e Re”.“- thuhet në njoftim.
Sipas policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se disa ditë më parë, 27-vjeçari ka tentuar të vjedhë në marketin e shtetasit T. M, por nuk ka mundur të realizojë vjedhjen.
“Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e 27-vjeçarit. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”- njofton policia.
/rtsh.al/