E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllon fshatarin, e ngatërroi me shpend të egër

11/08/2009  Plagoset me çifte 52-vjeçari. Policia arreston autorin, nuk kishte as leje për armën e gjahut

KORÇE- Ali Brahimllari, lindur dhe banues në fshatin Melçan ka përfunduar në spitalin e qytetit të Korçës në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të një plagosjeje të rëndë. Mësohet se 52-vjeçari ishte qëlluar me armë gjahu në kohën që kishte qenë duke punuar në tokat e tij bujqësore. Pikërisht në këtë çast ai është qëlluar me çifte nga Alket Mëhilli, 52 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë. Ky i fundit kishte dalë për gjah së bashku me dy persona të tjerë.

Plagosja

Sipas autorit të ngjarjes, (Alket Mëhilli) dhe dy dëshmitarëve që janë ndodhur me të, Mëhilli ishte treguar i pakujdesshëm, ndërsa kishte qëlluar mbi një shpend të egër që po fluturonte pranë 52-vjeçarit nga Melçani. Si pasojë e kësaj mosvëmendjeje kishte mbetur i plagosur 52-vjeçari, i cili pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore dhe nxjerrjes së saçmave nga trupi, tashmë rezulton të jetë jashtë rrezikut për jetën. “Nga deklarimet e të dëmtuarit dhe të vetë personave që kanë qenë për gjueti, rezulton se shtetasi Ali Brahimllari kishte qenë duke punuar në arën e tij me misër, në afërsi të “Fushës së Aviacionit”, pranë fshatit Lumalas të rrethit Korçë. Pikërisht në këtë kohë, shtetasi Alket Mëhilli ka qëlluar në drejtim të arës me misër, pasi kishte konstatuar një shpend të egër shkurtë, pohojnë burimet policore. “Si pasojë e gjuajtjes me armë gjahu, kishte mbetur i plagosur shtetasi Ali Brahimllari, i cili pas ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin civil të Korçës, ku i janë nxjerrë nga trupi 6 saçme, aktualisht gjendet jashtë rrezikut për jetën”, konfirmojnë burimet në fjalë. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Alket Mëhilli ka qëlluar me armën e gjahut, të cilën e disponon me leje shtetasi Tomorr Oranlliu, shitësi i armëve të gjahut”, saktësojnë burimet. Ndërkaq burimet e policisë së Korçës bëjnë të ditur se është arrestuar në flagrancë autori i kësaj ngjarjeje, Alket Mëhilli, i cili akuzohet për veprën penale të “Plagosjes së rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë” të parashikuara nga nenet 91 dhe 280 të kodit penal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›