Qëllon gruan me armë pse nuk bëri fëmijë
Gulsika ishte 13 vjeç kur e detyruan të martohej. Dhjetë ditët e para, ajo thotë se ishin të këndshme, por pastaj nisën abuzimet.
Sot, shtatë vjet më vonë, ajo jeton në një shtëpi të sigurt në Kabul duke u shëruar nga plumbat e marrë.
Burri i saj gjendet në burg në pritje të procesit gjyqësor nën akuzat se e ka qëlluar atë në muajin maj, në shtëpinë tyre në provincën veriore të Takarit.
Në një intervistë për Radio Afganistanin e Lirë të Radios Evropa e Lirë, Gulsika, e lindur në Kandahar, që tani është 20 vjeçe, flet për vuajtjet e saj.
Ajo përshkruan traumat e saj, kur siç thotë, burri i saj e qëlloi me armë zjarri, për shkak se nuk mund të bënte fëmijë me të.
Zorrët më dolën nga barku dhe shtriheshin në tokë. Vjehrra ime mi ka kthyer sërish brenda dhe ma ka lidhur barkun me një copë rrobe. Më thoshte mos qaj. Unë nuk mund të merrja frymë. E kisha vështirë të thithja ajrin, tregon Gulsika.
Sipas Gulsikës, telashet kanë nisur kur i është bërë presion nga familja e saj që të martohej me kunatin e së motrës. Kur ajo nuk arriti të lindë fëmijë, edhe bashkëshorti, edhe vjehrra nisin ta keqtrajtonin.
Në përpjekje për të zgjidhur problemin, Gulsika thotë se i vëllai i dha paratë për tu vizituar te mjeku, i cili pas ekzaminimit, sugjeroi se bashkëshorti i saj, dhe jo ajo, nuk mund të bënte fëmijë.
Mjekët kryen testet dhe më bënë ultrazërin. Ata më thanë se unë isha në rregull. Unë i thashë vjehrrës sime: me mua është çdo gjë në rregull. Tani, bëj dicka për tët bir, tregon Gulsika.
Ajo thotë se situata u përkeqësua kur burri i saj nisi një aferën me një nga të afërmet e tij.
Pas plagosjes, fqinjët e ndihmuan Guliskën të shkojë në spital, ku mjekët arritën tia shpëtojnë jetën. Ajo tashmë pothuajse është shëruar nga plagët, por ende ka probleme në të ecur.